Ngelës, u vënë flakën regjistrave

May 18, 2011 | 10:29
Shkolla ku u vodhën regjistrat në Fier

Rrezikonin të ishin ngelës në klasë, shkrumbojnë regjistrat e shkollës. Ngjarja e rrallë është shënuar në shkollën 9-vjeçare “Kristaq Shtëmbari”, në qytetin e Fierit, mbrëmjen e së dielës.Policia ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë 2 prej të dyshuarve 15-vjeçarë dhe të ndjekë në gjendje të lirë autorin e tretë, 14 vjeç. Sipas Policisë, të tre personat janë nxënës të kësaj shkolle, në klasën e nëntë të saj. Duket se ata kanë qenë të shqetësuar, pasi notat e ulëta të marra gjatë vitit shkollor 2010-2011 do të bënin që ata të mos e kalonin klasën. Ndonëse njiheshin si ngelës, ata kanë vepruar në mënyrën ekstreme. Për të zhdukur notat e këqija dhe mungesat e shumta, atyre u ka shkuar në mendje që më mirë të eliminonin plotësisht regjistrat. Mbrëmjen e së dielës, ata kanë gjetur një mundësi për të hyrë nga dritarja, në sallën e mësuesve ku mbaheshin regjistrat e të gjithë shkollës 9-vjeçare, ku dhe ata mësonin. Prej andej kanë marrë 5 regjistra, mes tyre regjistrin e klasës së tyre, duke mundur të dalin nga ambientet e shkollës pa u pikasur. Nuk kanë pritur më gjatë, por menjëherë, ngjitur në ambientet e shkollës, u kanë vënë flakën. Policia e Fierit deklaron se sapo është marrë njoftimi ditën e djeshme, janë vënë në kërkim të autorëve. Sipas ekspertëve të policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, në një kohë kur në shkollë nuk ka roje. Të hënën në mëngjes mësuesit janë rikthyer në shkollë për të nisur ditën e parë të javës mësimore, kur kanë konstatuar mungesën e regjistrave. “Ne në fakt, pamë që ishte shkatërruar gjithçka. Sapo nisëm të sistemojmë gjërat dhe të bëheshim gati për mësimin, mësuesit vunë re edhe mungesën e pesë prej regjistrave. Njoftuam menjëherë Drejtorinë Arsimore dhe Policinë”, ka deklaruar Matilda Merkaj, drejtoresha e shkollës. Blutë ndërkohë bëjnë me dije nga specialistët e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Fier, nisën hetimet dhe u bë arrestimi i tre të miturve, të cilët njiheshin dhe si problematike: A.M., 15 vjeç dhe E.M., 15 vjeç, ndërsa F.P., 14 vjeç do të procedohet në gjendje të lirë. “Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”, për arsye se këta shtetas dyshohen se rreth orës 22:00 të datës 15 maj kanë vjedhur 5 regjistra në një shkollë 9-vjeçare të qytetit të Fierit, të cilët më pas edhe i kanë djegur”, bëhet e ditur nga burimet zyrtare të Policisë.
Nga marrja në pyetje ka rezultuar se fëmijët kanë pranuar të kenë hyrë dhe të kenë kryer këtë vepër penale, por hetuesit pohojnë se po kryhen të gjitha veprimet për të zbardhur në detaje këtë vjedhje. Në të njëjtën kohë, janë marrë në pyetje nga policia edhe prindërit e fëmijëve. Materialet proceduriale në ngarkim të autorëve do t’i referohen Seksionit për Hetimin e të Miturve në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Arsimorja

Tashmë, Drejtoria Arsimore mbetet në pritje të një zgjidhjeje se si mund të sigurojë regjistrat e rinj, duke qenë se shkollat duan edhe rreth 20 ditë që të mbyllen. Një shkresë i është nisur Ministrisë së Arsimit, e cila pritet që në ditët në vijim të japë udhëzim për mënyrën se si do të procedohet.

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura