Ngec hetimi për vrasjen e Selimit, vajza e tij 12-vjeçare ndan dhimbjen në Facebook

Sep 29, 2011 | 9:57
Arjan Selimi dhe Inis Gjoni gjatë një feste

Ekspertiza e gëzhojave të armës, të gjetura në vendin ku u vra Arjan Selimi tri ditë më parë në Tiranë, dështon të identifikojë armën apo autorët e atentatit. Grupi i ekspertëve që po heton vrasjen e Arjan Selimit mbrëmjen e së hënës, ka analizuar provat e administruara në vendin e ngjarjes, duke bërë fillimisht verifikimin e 20 gëzhojave të kallashnikovit. Në Laboratorin e Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme është bërë ekzaminimi një nga një i gëzhojave, duke shpresuar që ekspertimi në formën e krahasimit me të dhënat për ngjarje të mëparshme do të zbulonte ndonjë gjurmë të mundshme për autorët. Burime nga grupi hetimor thanë se analizimi i gëzhojave nuk ka rezultuar i suksesshëm, pasi nuk është gjetur asnjë gjurmë. Ekspertiza në fjalë ka sqaruar edhe faktin se arma e përdorur në vrasjen e Arjan Selimit nuk është përdorur në ngjarje të tjera të mëparshme. Pavarësisht se menjëherë pas ngjarjes burimet nga Policia thanë se ishte identifikuar mjeti me të cilin kanë lëvizur autorët e ngjarjes, kjo makinë ende nuk është zbuluar nga policia. Për të tretën ditë radhazi, që nga nata kur ndodhi krimi, agjentë të policisë mbajnë nën monitorim të vazhdueshëm të gjithë zonën, kryesisht rreth pallatit ku jetonte 37-vjeçari Selimi bashkë me partneren Inis Gjoni. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, Hysni Burgaj, çdo lëvizje që konsiderohet e dyshimtë në zonë duhet të verifikohet sa më shpejt, pasi çdo detaj që konstatohet aty konsiderohet i rëndësishëm për hetimin. Pa dashur të komentojnë gjatë, burimet e Prokurorisë së Tiranës kanë thënë dje se ky institucion nuk ka ende asgjë të rëndësishme për hetimin e vrasjes.
MIQESITE E SELIMIT
Policia e kryeqytetit ka kryer hetime në çdo pistë të mundshme në lidhje me vrasjen e Arjan Selimit, pa marrë ende një drejtim nga Prokuroria, si organ që me ligj i takon të komandojë veprimet hetimore. Përveç lëvizjeve të dyshimta në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, agjentët e ngarkuar me detyrë nga grupi hetimor duhet të fiksojnë edhe persona të ndryshëm, kryesisht miqtë e Arjan Selimit, të cilët që prej së martës vazhdojnë të vizitojnë familjen e tij. Këto janë një pjesë e detyrave të caktuara nga grupi hetimor, pasi disa prej miqve që ngushëllojnë familjen, janë persona që Arjan Selimi i ka njohur në burg apo në të kaluarën e tij, para se të arrestohej si kreu i grupit “Kompas”, me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të drogës”. Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë se një pjesë mjaft e rëndësishme dhe që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, janë miqësitë që 37-vjeçari kishte krijuar pas daljes nga burgu. Nga vëzhgimi që i është bërë gjatë kohës që lëvizte në zonën përreth, pasi ishte me masë sigurie “arrest shtëpie”, Selimi është parë të takohet shpesh me disa persona të tjerë, që po ashtu nuk kanë shumë kohë që kanë lënë qelitë. Burimet thanë se kanë siguruar emra konkretë të disa personave me precedentë penalë, që më parë nuk kanë pasur njohje me Selimin, ndërsa miqësia e tyre kishte nisur pas lirimit të tij nga burgu. Edhe prania e Arjan Selimit në botën e biznesit përbën një mister, pasi emri i tij nuk figuron ligjërisht në asnjë dokument dhe në asnjë subjekt, ndonëse 37-vjeçari konsiderohej si biznesmen i fuqishëm i lidhur me disa lokale në kryeqytet.

Varrimi i Setimit u shty tri ditë, Ceremonia mortore, prindërit e 37-vjeçarit vijnë sot nga Amerika
Deri mesditën e djeshme, trupi i pajetë i Arjan Selimit, që u ekzekutua me 5 plumba mbrëmjen e së hënës në Tiranë, ka qëndruar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas të afërmve dhe miqve të tij, ceremonia mortore do të kryhet sot, pasi është pritur që të vinin nga Amerika edhe prindërit e tij, Minella dhe Luçia, si dhe motra e tij e vetme, Mariola Andoni. Ata kanë udhëtuar gjatë gjithë ditës së djeshme nga Miçigani me një linjë tranzit, duke mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e djeshme. Pranë pallatit ku ndodhi ngjarja dhe ku banonte Arjan Selimi nuk ishte vendosur deri mbrëmë në darkë asnjë shpallje për vdekjen e tij. Miqtë dhe të afërmit prisnin familjen e tij nga Amerika, si dhe trupin e pajetë të Selimit, që është transportuar në shtëpi në mbrëmje. Ndërsa në vendin ku ai u qëllua për vdekje, miqtë kishin vendosur një buqetë të madhe me lule dhe një qiri në kujtim të tij. Ceremonia e varrimit do të kryhet mesditën e sotme, ku do të marrë pjesë edhe gruaja e tij e parë, Gerta Avrami, si dhe vajza 12-vjeçare I. Andoni.

Vajza 12-vjeçare e Selimit ndan dhimbjen me miqtë në Facebook
Lidhja e parë e Selimit me miss Gerta Avramin

Pavarësisht se në regjistrin e gjendjes civile, Arjan Selimi, i njohur edhe me emrin Armand Andoni, rezulton të jetë i pamartuar më parë, ai ka pasur një lidhje me një vajzë, pjesëmarrëse në “Miss Shqipëria”, me të cilën ka edhe një vajzë 12-vjeçare. Partnerja e parë e tij është ekonomistja 34-vjeçare Gerta Avrami, e cila nuk është martuar asnjëherë edhe pas ndarjes nga Selimi, para se ai të arrestohej. Madje edhe pse tashmë Selimi kishte nisur bashkëjetesën me regjisoren Inis Gjoni, e cila pret një vajzë prej tij, 37-vjeçari vazhdonte të takonte vajzën e tij të parë, I. Andoni dhe nënën e saj, me të cilat kishte marrëdhënie mjaft të mirë. Pas daljes nga burgu, Arjan Selimi kishte rivendosur kontaktet me to, madje edhe kishte kaluar disa ditë pushimi. Ndarja me Gerta Avramin ishte kryer me mirëkuptimin e të dyve dhe Selimi e kishte njohur vajzën duke i dhënë asaj edhe atësinë. Kjo lidhje ishte njohur edhe nga familja e Selimit, që jeton prej shumë vitesh në Miçigan të Amerikës, madje 12-vjeçarja ka një afrimitet mjaft të ngushtë me hallën, Mariola Andoni dhe gjyshin e gjyshen e saj. Vajza e mitur e ka përjetuar në mënyrë mjaft të dhimbshme vrasjen e të atit, dhimbje që e ka ndarë edhe me miqtë dhe të afërmit e saj në profilin “Facebook”. Vajza ka vendosur si foto profili fotografinë e babait të saj, Arjan Selimi, me shënimin, “Për ty, babi im, të dua shumë…”. Ndërsa shkruante gjithashtu se, “ata që do më shumë, ata largohen prej teje, në momentin më të keq të jetës, kur s’ta pret mendja për asgjë…”. Vajza “fajëson” në dhimbjen e saj edhe Selimin, që sipas saj, nuk duhej ta kishte lënë meqë e donte.

Policia heton për trafiqet
Nisur nga e shkuara e Arjan Selimit, i cili në vitin 2004 u arrestua me akuzën e trafikimit të tetë ngarkesave me drogë nga Shqipëria në Itali, hetimet e policisë në lidhje me vrasjen janë përqendruar pikërisht te çështjet e drogës. Sipas burimeve nga Policia, dyshohet se pas lirimit nga Gjykata e Lartë në pranverën e këtij viti, Arjan Selimi mund t’i jetë rikthyer linjave të vjetra të trafikut të drogës. Sipas Policisë, 37-vjeçari shquhej për krijimin e rrjeteve efektive të trafikut të drogës dhe organizimin e personave brenda një kohe mjaft të shkurtër.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura