Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn, është paditur në Nju-Jork për ngacmim seksual dhe përpjekje për përdhunim.Këtë e njoftoi një zëdhënës i policisë, i stacionit policor në Harlem të Nju-Jorkut, ku po mbahet Strauss-Kahni. Sipas tij, francezi 62-vjeçar është arrestuar disa orë më parë në një avion në aeroportin “John F. Kennedy”, të Nju-Jorkut, i cili pritej të nisej për në Paris. Sipas “Deutsche Welle”, Strauss-Kahn akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një pastruese të dhomave të hotelit. Sipas të dhënave të policisë, ai pastaj është larguar me nxitim nga hoteli ku ka lënë telefonin e tij mobil dhe sendet e tjera personale. Reporteri i gazetës “New-York Times”, Al Baker, informoi të dielën duke iu referuar deklaratës së punëtores 32-vjeçare të pastrimit: “Sipas saj, që tregon punëtorja e pastrimit, ajo kishte hyrë në suitën e Strauss-Kahnit, duke besuar se ishte bosh, në hotelin “Sofitel”. Në këtë kohë, ai thuhet se ka dalë nga banja dhe e kishte mbërthyer e shtyrë në krevat. Ajo arriti të çlirohet me vështirësi e me luftë. Këto janë fjalët e saj.” Francezi, i cili konsiderohet si kandidat i mundshëm socialist për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vendin e tij, do të pritej këtë të diel në një takim në Berlin nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Franca në panik
Socialisti Strauss-Kahn konsiderohet si favorit dhe rivali më i fortë i Nicolas Sarkozy-së në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë. Titujt e dy gazetave të mëdha franceze të së dielës kontrastojnë si asnjëherë tjetër: “Le Parisien -Aujourdhui en France” boton një sondazh të madh me titullin “Dominique Strauss-Kahn i preferuari i francezëve”. “Le Journal du Dimanche” në të kundërt kishte marrë një sinjal nga Nju-Jorku dhe në mes të natës ia doli që ta ripunojë faqen e parë të gazetës, duke botuar kronikën për arrestimin e shefit të FMN-së.
Reagimi i socialistëve
Politikanët francezë gjatë paradites (15.5.2011) me shumë ngadalë arritën ta kapërcejnë një lloj gjendjeje shokimi. Njeriu që donte të sfidonte Nicolas Sarkozy-në në zgjedhjet presidenciale pas një viti, të jetë një përdhunues? Ségolène Royal, e cila gjithashtu do të kandidojë për socialistët në garën paraelektorale, në një intervistë radiofonike, të planifikuar prej kohësh, dha deklaratën se nuk do të prononcohet tani për tani lidhur me këtë rast. “Ashtu si çdo qytetar, Dominique Strauss-Kahn ka të drejtën e prezumimit të pafajësisë, për aq kohë sa nuk ka dëshmi. Unë bashkohem me shqetësimin, me të cilin duhet të përballet tani familja e tij dhe ai vet.” Tek socialistët duket tani të jetë hedhur parulla: “Kjo që tregohet, nuk përputhet me një person si ai”. Të gjithë e përsëritin këtë, madje edhe kundërshtari i tij, ish-deputeti socialist, Jean-Marie Bockel, nga Strasburgu: “Kjo nuk përputhet me tipin e tij. Si avokat që jam, sot nuk mund të them më shumë se kaq.”
FMN funksionon
“Fondi Monetar Ndërkombëtar mbetet plotësisht funksional dhe operativ.” Në deklaratën
e Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë të Fondit, theksohet se “FMN nuk ka asnjë koment mbi këtë çështje. Të gjitha kërkesat duhet t’i drejtohen avokatit personal të Strauss-Khan dhe autoriteteve të Nju-Jorkut”.
Strauss-Kan, sfidanti i Nicolas Sarkozy
Muajt e shkuar, Dominique Strauss-Kahn ose DSK, siç e shkurtojnë emrin e tij mediat franceze, kryeson në sondazhe. Sipas “Deutsche Welle”, vitin e ardhshëm ai me siguri do ta largojë Nicolas Sarkozy-n nga pallati Elysée, mendohet. Madje kjo mund të mbetet kështu edhe pas arrestimit të tij në Nju-Jork, thotë eksperti i sondazheve me opinionin, i cili ka kryer anketimin për gazetën “Le Parisien”. Si të vetmit në Europë, thotë ai, francezët bëjnë dallimin mes jetës private dhe politikës. E megjithatë, kësaj here duket të jetë e pamundur të ndodhë kështu, të paktën nëse dëgjon njerëzit nga Sarcelles, vendi ku ai ka qenë kryebashkiak. Qytetarë: “Unë jam i befasuar dhe i shokuar”, “Dominique Strauss- Kahn ka qenë i njohur në Sarcelles. Kjo është shumë e rëndë dhe turp”, “Unë e konsideroj këtë shokuese si për Francën e madje ashtu edhe për Europën”, “Nga të gjitha ato që kemi dëgjuar për Berlusconi-in, edhe kjo mund të jetë e mundshme.” Gazetarët nga ana tjetër tërheqin vëmendjen për hetimet e FMN-së në vitin 2008, kur DSK pati një aferë me një bashkëpunëtore. Ekstremistja e djathtë, Marine Le Pen, e cila vitin e ardhshëm mund të dalë në balotazh me DSK-në, thumboi se të gjithë gazetarët kanë pasur dijeni për aferat e kandidatit socialist me gratë.
© Panorama.al











