Nga tuneli i Llogarasë tek “Tigri 1” dhe Tigri 3”, Altin Dumani për denoncimet e bujshme ndaj Belinda Ballukut: Janë çështje në hetim, s’mund të jap të dhëna

Oct 27, 2025 | 18:27

Kreu SPAK, Altin Dumani është pyetur në Kuvend lidhur me kallëzimet penale të depozituara ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Deputetët e opozitës pyetën nëse SPAK po heton disa dosje që lidhen me Ballukun, përfshirë çështjet mbi shitblerjen e energjisë, projektet e rrugëve, parqet fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, si edhe termocentralet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”.

Në përgjigjen e tij, Dumani deklaroi se për sa kohë çështjet ndodhen në fazën e hetimit paraprak, nuk mund të jepen detaje apo informacione për ecurinë e tyre.

“Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak, nuk mund të jap asnjë lloj të dhëne dhe asnjë lloj informacioni”, tha ai.

Sa i përket afateve për hetimin e çështjeve, Dumani theksoi se hetimet nuk janë zvarritur, por duhet marrë në konsideratë rëndësia, specifika e çështjes, ngarkesa e prokurorëve, e të tjera.

Pyetje: Për zonjën Balluku ka disa kallëzime penale në SPAK që nga shitblerja e energjisë, rrugët, parqet fotovoltaike, tuneli i Llogarasë apo dhe termocentralet “Tigri 1” dhe Tigri 3”. A janë nën hetim këto çështje? Sa kohë duhet për t’i hetuar kur bëhet fjalë për miliona euro të shpërdoruara?

Dumani: Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak, nuk mund të jap asnjë lloj të dhëne dhe asnjë lloj informacioni.

Koha është e rëndësishme dhe në hetimin e çështjeve penale, por ajo që prokurorët e posaçëm kanë parasysh në hetimet e procedimeve penale është respektimi i kodeve të procedurës penale që parashikojnë afatet e hetimeve.

Çdo prokuror duhet të respektojë ato afate, nuk është taksative. Edhe unë të isha në vendit tuaj do më dukej kohë  gjatë, por duhet marrë në konsideratë rëndësia e çështjes, specifika e çështjes, ngarkesa e prokurorëve, e të tjera. Sa kohë janë brenda afateve procedurale, nuk mund të them që janë zvarritur.

© Panorama.al

Te lidhura