Shtohet me 10 për qind vlera e referencës për makinat e përdorura. Shembujt, sa rritet pagesa e TVSH-së.
Pagesat e importit të makinave të përdorura do të rriten. Ministri i Financave nxori dje një udhëzim, që shton me 10% vlerën e referencës së makinave që vijnë nga jashtë. Kjo do të përkthehet me një shitim me 10 për qind edhe të vlerës që qytetarët do të paguajnë kur të importojnë një automjet. Udhëzimi hyn në fuqi me botimin në fletoren zyrtare, që do të thotë se nga dje, të gjitha makinat që hyjnë në Shqipëri, do paguajnë më shumë.
Skema e re
Në shtator të këtij viti, qeveria hoqi doganën për makinat e importit. Kush sillte një makinë nga jashtë, nuk paguante më taksë doganore, por vetëm TVSH, prej 20%. Për llogaritjen e TVSH, doganat shqiptare kishin çmime reference. Kjo do të thotë se, pavarësisht se sa para kishte paguar qytetari për blerjen e makinës, pagesa e TVSH do të bëhej mbi një vlerësim të doganës në pikën që importohej makina. Vlerësimi i makinës bëhej duke iu referuar revistës italiane “QUATTROROUTE”. Kjo e fundit ka një databazë shumë të gjerë të shitjes së makinave të përdorura, të ndara sipas markës, cilindratës, vitit të prodhimit dhe llojit të karburantit. Pas konfirmimit të vlerës së makinës nga revista, doganieri llogariste 20 për qind të çmimit, të cilin qytetari paguante si TVSH. Duke qenë se në Europë ka shumë tregje, dhe çmimi i një automjeti varion nga vendi në vend, në udhëzimin e vjetër parashikohej një ulje e çmimit deri në 30%. “Në këtë rast, vlera doganore nuk duhet të jetë më e ulët se 70% e çmimit të gjendur në tabelë”, thuhej në udhëzimin e vitit 2007, duke bërë kështu që çmimi i revistës referencë në dogana të mund të ulet deri në 30% për t’iu afruar çmimit që paraqiste qytetari. Kjo gjithmonë në rast se çmimi që paraqiste qytetari për makinën, të ishte të paktën 70% më i lirë se sa ai i referencës. Në udhëzimin e djeshëm, qeveria ka rritur me 10 për qind mundësinë e uljes së çmimit të referencës. “Në këtë rast, vlera doganore nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e çmimit të gjendur në tabelë”, thuhet në udhëzimin e ri të Financave. Pra, ulja e çmimit të referencës në revistë nuk është 30%, por 20%.
Makinat jashtë listës
Në udhëzim parashikohen edhe rastet kur markat e makinave që importohen nuk gjenden në revistën “QUATTROROUTE”. Në udhëzimin e vjetër thuhej: “Kur për autoveturën që vlerësohet në buletin nuk gjendet modeli, vlerësimi të bëhet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Në këtë rast, vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 70% e çmimit që jepet në tabelë”. Me udhëzimin e ri edhe kjo referencë është shtuar në 80%: “Kur për autoveturën që vlerësohet në buletin nuk gjendet modeli, vlerësimi të bëhet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Në këtë rast, vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e çmimit që jepet në tabelë.”
Sa më shumë paguhet
Për ta bërë sa më të qartë ndryshimin, mjafton të marrim një shembull. Në rast se një qytetar blen një makinë “Mercedez” me vlerë 4 mijë euro, ai kur të hyjë në Shqipëri do të paguajë 20% të kësaj vlere si TVSH. Në pikën hyrëse, doganieri do të shikojë se sa kushton kjo lloj makine në revistën “QUATTROROUTE”. Po marrin si shembull që vlera e kësaj makine në revistën “QUATTROROUTE” është 8000 euro. Në bazë të udhëzimit të vjetër, doganieri mund të ulë, në bazë të besimit në faturën e qytetarit, deri në 30% këtë vlerë. Pra, vlera e makinës mbi të cilën do llogaritet TVSH, do të jetë sa 70% e 8 mijë eurove, ose 5600 euro. Mbi këtë vlerë doganieri llogarit 20% TVSH, dhe qytetari paguan 1120 euro. Me udhëzimin e ri, ulja e vlerës nuk do të jetë më 30% por 20%. Kështu, i njëjti qytetar do të paguajë TVSH jo për 70% të 8000 eurove, por për 80% të 8000 eurove. Në këtë rast, vlera e makinës së tij do të jetë 6400 euro dhe vlera e TVSH që do të paguajë 1280 euro. Pra, vetëm me këtë ndryshim TVSH shtohet nga 1120 në 1280, ose 160 euro.
Ndryshimet në udhëzimin për doganën
Pika 13 ishte
13. Vlera e një autoveture do të gjendet në tabelë (QUATTROROUTE) duke u nisur nga marka, modeli dhe viti i prodhimit. Në këtë rast vlera doganore nuk duhet të jetë më e ulët se 70% e çmimit të gjendur në tabelë.
Pika 13 bëhet
“13. Vlera e një autoveture do të gjendet në tabelë (QUATTROROUTE) duke u nisur nga marka, modeli dhe viti i prodhimit. Në këtë rast, vlera doganore nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e çmimit të gjendur në tabelë”.
Pika 15 ishte
15. Kur për autoveturën që vlerësohet në buletin nuk gjendet modeli, vlerësimi të bëhet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Në këtë rast, vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 70% e çmimit që jepet në tabelë.
Pika 15 bëhet
“15. Kur për autoveturën që vlerësohet në buletin nuk gjendet modeli, vlerësimi të bëhet duke u nisur nga modeli dhe cilindrata më e afërt. Në këtë rast, vlera nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e çmimit që jepet në tabelë”.

1. Dogana përdor revistën “QUATTROROUTE”, për të marrë çmimet e referencës për makinat ë përdorura
2. Më udhëzimin e vjetër, dogana mund të ulte, në varësi të faturës së paraqitur nga qytetari, deri në 30% të vlerës e makinës të marrë nga “QUATTROROUTE”, për llogaritjen e pagesës së TVSH, prej 20 për qind
3. Më udhëzimin e ri, dogana mund të ulë, në varësi të faturës së paraqitur nga qytetari, deri në 20% të vlerës së makinës të marrë nga “QUATTROROUTE”, për llogaritjen e pagesës së TVSH prej 20 për qind
NERTILA MAHO
© Panorama.al











