Janë të gjithë për t’u duartrokitur: nga Sedorf te Jepes e Straser, nga Nesta te Amelia, nga Abate te Gatuzo. Të gjithë, asnjë nuk përjashtohet. Por titulli i fituar nga Milani kalon mbi të gjitha nga sezoni i shtatë lojtarëve.
Abiati – Devijimi në kënd i topit të goditur nga Diamanti del e tepron për të rrëfyer sezonin e tij fantastik. Pritja e bërë në Breshia, simbol i një sezoni, kujton atë të 23 majit 1999 në Peruxhia, kur shtyu në goditje nga këndi me një fluturim të pamundur topin e goditur nga Buki. Shkëlqimi dhe vazhdimësia në paraqitjet pozitive e Abiatit i ka dhënë siguri repartit defensiv. Eksperienca e tij ka shërbyer shumë. Përveç asaj të Rigamontit, duhet përmendur edhe pritja e çmendur në derbin e kthimit ndaj goditjes së Tiago Motës.
Tiago Silva – Në botë, si qendërmbrojtës, asnjë nuk është si ai. Braziliani ishte pa dyshim njeriu që ka bërë diferencën, absolutisht lojtari më i mirë kuqezi i sezonit. Në vitet e kaluara, me Nestën në krah ka mësuar zanatin, dhe kur senatori u dorëzua e ka udhëhequr repartin duke ua mësuar zanatin të tjerëve. Futbollist i jashtëzakonshëm, i aftë jo vetëm për të mbrojtur, por edhe për të nisur manovrën e sulmit. Njeri që sakrifikon, aq shumë sa për të pranuar edhe impenjimin në mesfushë në momentet e emergjencës.
Boateng – Kevin Princ Boateng është një ndër surprizat e Milanit të Alegrit. Ka të drejtë trajneri kur e cilëson një lojtar që “i shkatërron ndeshjet”. Pas disa lëkundjesh, mesfushori është integruar më së miri me skuadrën, duke u bërë zot i rolit të një fantazisti të aftë për të mbuluar hapësirat dhe për të filluar kundërsulmin. Është një digë e vërtetë, por edhe goaleador. Shënon gola që janë “fotokopje” të atyre që ka realizuar në Berlin, duke konfirmuar tërë superfuqinë e ganezit të Berlinit.
Van Bomel – Nënkampioni i botës me Holandën, me Kasanon dhe Emanuelson, është pjesë e paketës së lojtarëve që kanë ardhur në merkaton e dimrit. Sipas Galianit, ai është një nga blerjet që i kanë mundësuar Milanit të fitojë titullin. Van Bomel është lojtari tipik që zotëron fizik dhe klas, ka gjetur vendin e tij perfekt në mesfushën e formacionit të Alegrit. Ai është edhe njeriu i manovrës në repartin që menaxhon bashkë me të mrekullueshmin Klarens Sedorf.
Pato – Duke lënë mënjanë problemet fizike, Pato është përmirësuar shumë duke vulosur i vetëm fatin e mjaft ndeshjeve. Kur është në formë, është shkatërrues dhe e ka treguar këtë në ndeshjet kundër 2 rivalëve kryesorë për titullin, ndaj Interit dhe Napolit. Është e pabesueshme saktësia e tij për golat: mbetet i paarritshëm, i treti që i ka shënuar Napolit në ndeshjen e kthimit në “San Siro”. Por braziliani është shndërruar edhe në njeriun e asisteve, i aftë që ta plotësojë i vetëm të gjithë repartin e sulmit. Nëse do t’i zgjidhë problemet muskulore, e ardhmja do jetë e gjitha në anën e tij.
Robinjo – Mund të gabojë 100, por herët a vonë atë vendimtarin e realizon. Braziliani, i cili është transferuar verën e shkuar në Milano bashkë me Ibrën, ka qenë shpeshherë vendimtar, duke realizuar një sërë golash dhe thuajse gjithnjë vendimtarë. Ai që i shënoi Breshias del e tepron. Alegri e konsideron një nga shtyllat e skuadrës, sepse ai di të sakrifikohet për shokët, duke hapur shumë rrugë ku të tjerët mund të avancojnë në sulm. Nuk ka bërë kurrë polemika kur i është dashur të qëndrojë në pankinë dhe ka qenë gjithnjë i gatshëm të futej në fushë edhe kur ndeshja kishte filluar. Një “fetë” e titullit është pa dyshim e tija.
Ibrahimoviç – Gjeni dhe i parregullt. E ka nisur aventurën me Milanin duke gabuar një penallti ndaj Çezenës, por pak nga pak e ka fituar “titullin” e njeriut vendimtar. Golat dhe asistet e tij, superfuqia që ka treguar në fushë, e kanë shndërruar në liderin absolut të skuadrës. Pastaj, në mes të fazës së dytë të kampionatit nervozizmi i kushtoi 2 skualifikime të rënda (5 javë jashtë në total). Por mungesa e tij, duke përjashtuar dështimin me Palermon, nuk ka ndikuar shumë, duke konfirmuar edhe një herë kompaktësinë e grupit që ka ndërtuar Alegri. Gjithsesi, suedezi mbetet lojtari më vendimtar i kuqezinjve.











