Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka vizituar dje në Uashington për të zhvilluar një takim kokë më kokë me Presidentin Obama, pas fjalimit të tij të fundit mbi Lindjen e Mesme, i cili i ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Netanjahu e kritikoi fort fjalimin e Presidentit amerikan mbi kufijtë e mundshëm të ardhshëm të Izraelit. Obama tha të enjten se kufijtë e Izraelit duhet të bazohen në linjat që ekzistonin përpara luftës gjashtëditore në vitin 1967, me kushte të caktuara. Ai tha se kushtet duhet të përcaktoheshin reciprokisht me palestinezët për të siguruar njohjen e kufijve nga të dy palët dhe thellimin procesit të paqes. Më 14 maj 1948, pas luftës arabo-izraelite, Izraeli u bë një shtet i pavarur. Rreth 700 000 palestinezë u shpërndanë në Lindjen e Mesme pas kësaj lëvizjeje. Më 5 qershor 1967, Izraeli nisi luftën gjashtë ditore. Ai mori kontrollin e Bankës Perëndimore, Jerusalemit Lindor, Rripit të Gazës, Lartësive Golan, përfshirë edhe territore palestineze. Palestinezët, të cilët lobojnë për shtetësi, i kanë mbështetur deklaratat e Obamës. Por Netanjahu i kritikoi fort ato. Ai tha se kufijtë e 1967 do të ishin “të pambrojtshme” për Izraelin dhe tërheqje e tyre nga ato zona të fituara gjatë luftës,që do të linte shumë hebrenj dhe shtëpitë e tyre jashtë Izraelit. Sipas Netanjahut, “Uashingtoni nuk e kupton realitetin” me të cilin përballet vendi i tij. Rreth 300 mijë izraelitë jetojnë në kolonitë e ndërtuara në Bregun Perëndimor, të cilat shtrihen përtej këtyre kufijve. Kolonitë në fjalë, në bazë të ligjeve ndërkombëtare janë ilegale, edhe pse Izraeli vazhdon ta kundërshtojë një gjë të tillë. Pas fjalimit të Obamës, autoritetet izraelite të sigurisë e kanë shpallur dje “zonë ushtarake të mbyllur” ekstremin verior të lartësive të pushtuara të Golanit.
BE mbështet Obamën
Bashkimi Europian ka shprehur mbështetje për parimet e administratës amerikane mbi Lindjen e Mesme, pas fjalimit të Presidentit Barak Obama, kryesisht për krijimin e një shteti palestinez sipas kufijve të 1967-s, përpara luftës gjashtëditore. Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE, Katerin Ashton, tha se BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë “vizion të përbashkët”.











