IZRAEL- Në ditën e dytë të vizitës ë tij në Izrael, kryeministri Berisha u takua me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu. Konsolidimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira politike midis të dy qeverive dhe vendeve dhe zgjerimi i bashkëpunimin në të gjitha fushat, ishin në qendër të takimit mes homologëve.
Netanjahu i shprehu Berishës dëshirën dhe angazhimin e plotë të qeverisë Izraelite dhe shtetit të Izraelit për të bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë shqiptare me projekte konkrete në të gjitha fushat. “Në veçanti, presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtësisht, duke inkurajuar projekte investimesh izraelite në Shqipëri, në fushën e turizmit, por edhe në atë të teknologjisë e shkencës ”– u shpreh Kryeministri Netanjahu.
Në takim u evidentuan fusha të tjera, ku u rikonfirmua vullneti për projekte konkrete të bashkëpunimit si ajo e arsimit dhe kërkimit akademik, teknologjisë së informacionit, bujqësisë, përfshi projektet e ullirit dhe arrorëve, sistemit të ujitjes dhe shfrytëzimit të ujërave, ndërtimi i veprave të prodhimit të energjisë hidrike e të rinovueshme, në fushën e minierave etj..
Netanjahu e siguroi Berishën se qeveria e Izraelit do të inkurajoje sektorin privat të biznesit të suksesshëm izraelit të vijë të investojë në Shqipëri, duke shfrytëzuar klimën jashtëzakonisht të favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare për biznes e investime. Po ashtu, të dy Kryeministrat ranë dakord për shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës mes të dy vendeve në fushat me interes reciprok.
© Panorama.al











