Alban Dudushi dhe Xhemi Shehu do të jenë përfundimisht çifti prezantues përgjatë sezonit të ri të programit “E Diell” në “Top Channel”, që për këtë vit rinis transmetimin nesër. Programi që mban autorësinë e Dudushit, pas largimit të Armend Rexhepagiqit dhe Aida Barakut do të ketë një konceptim kryekëput të ndryshëm nga koncepti i çiftit të artistëve nga Kosova. Ky koncept i ri i programit duket se do të ketë një rikthim të ngjashëm me formatin e prezantuar nga Adi Krasta, me shumë rubrika dhe të ftuar. Por formati i konceptuar nga Dudushi do të trajtojë tema më të buta dhe jetësore, duke shmangur diskutimet e rënda politike apo historike. Pas ndërprerjes së kontratës me “Top Channel” të Armendit dhe Aidës, stafeta i kalon Dudushit, i cili moderon prej shtatë vitesh programin e orëve të vona “Top show”. Emri i Dudushit u propozua nga Adi Krasta, pasi vendosi të lërë prezantimin e “E diell” dhe të mbante vetëm “100 milionë”. Arsyeja pse Dudushi nuk pranoi të merrte përsipër fillimisht programin “E Diell”, ishte dhe programi i tij “Top show”, nga i cili ai nuk ka dashur të heqë dorë pas një periudhe prej shtatë vitesh program të orëve të vona. Tashmë gjithçka është gati për sezonin e ri “E diell”, ku një nga rubrikat kryesore është rikthimi në traditat shqiptare, me dasmat tradicionale të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Në mbi pesë orë transmetim do të prezantojnë vetë Albani dhe Xhemi. Në këtë sezon nuk do të jenë pjesë e programit Albana Osmani, motrat Marina e Luana Vjollca etj., të cilat u bënë pjesë e “E diell” nga ideja e autorëve Aida dhe Armend.











