PJESA E PARË
“Çarja, që erdhi duke u thelluar midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, lindi kryesisht ngaqë shqiptarët (Enver Hoxha) i trembeshin demokratizimit”. 209). Kjo është thënia lapidare e Nikita Hrushovit, e shkruar në kujtimet e tij, e cila zbërthen me dy fjalë gjithçka se ku qëndronte e vërteta e prishjes së madhe të Enver Hoxhës me “sovjetikët e rinj”. Dhe këtë e thotë edhe historiani Jon Halliday, në konkluzionet e tij te libri “Shqiptari dinak, Enver Hoxha”.
Deri nga fundi i viteve ‘50, marrëdhëniet midis Moskës e Tiranës, në sipërfaqe dukeshin të mira, por ato zunë të ftoheshin pak kohë pas vdekjes së Stalinit dhe qysh kur Hrushovi nisi të kërkonte pajtim me Titon, ata morën të tatëpjetën pa kthim. Pajtimi i Hrushovit me Titon më 1955 dhe denoncimi prej tij i krimeve të Stalinit më 1956, ishin dy çështjet kryesore që qëndronin prapa ftohjes së marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, të cilave iu shtuan dhe dallimet që kishin mes tyre, për sa i përket personalitetit, Enver Hoxha me Nikita Hrushovin. Ndërkaq, edhe Hrushovi siç del nga studiuesit, nuk kishte konsiderata për udhëheqësit komunistë të Shqipërisë, veçanërisht për Enver Hoxhën. Thelbi i të gjitha gjërave që lidhej me prishjen e Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin, nuk ishin parimet.
Nikita Hrushov në kujtimet e tij për Shqipërinë, i mëshon idesë se “Konferenca e Tiranës do të kishte sjellë demokratizimin në Shqipëri, sikur të kishin zëvendësuar Enver Hoxhën”. Në kujtimet e tij, Nikita Hrushovi flet jo pak për procesin e demokratizimit, nismëtar i të cilit në fakt ka qenë vetë Bashkimi Sovjetik, edhe pse brenda idesë komuniste për botën. Për sa i përket Shqipërisë, ai shkruan se, “në këtë vend kjo çështje mori një kthesë të veçantë. Bashkëpunëtorë të ambasadës sonë atëherë, më kanë treguar se aktivi i partisë për Tiranën u zhvillua nën një tension shumë të madh. Kjo mbledhje zgjati disa ditë dhe Enver Hoxha mbahej në fije të perit. Atë e kritikuan rëndë, madje u hodh ideja që të zëvendësoheshin Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, e tërë kjo trojkë. Nuk më kujtohet se kush tjetër nga drejtuesit partiakë iu nënshtrua kritikës në aktivin e partisë për Tiranën. Por unë po i kushtoj vëmendje këtij fakti, sepse me sa u duk, ai do të kishte rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Megjithatë, Enver Hoxha e kaloi lumin”.210). Përveç kësaj, Nikita Hrushovi shkruan se udhëheqësit shqiptarë “ishin të tronditur në të gjitha drejtimet, sepse e quanin veten autoritete dhe udhëheqës të pa kritikueshëm, që irritoheshin me ata njerëz që kishin guxuar të ngrinin zërin në aktiv dhe të tronditnin autoritetin e tyre dhe që madje jo vetëm e kishin tronditur, por gati sa nuk i kishin rrëzuar nga postet e tyre drejtuese”.211) Nikita Hrushovi shpjegon në kujtimet e tij ngjarjet që u ndërmorën hap pas hapi për demokratizimin e regjimit të Enver Hoxhës, të gjitha lëvizjet politike që shënuan prishjen e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë dhe kjo mendoj se është e domosdoshme për të kuptuar më mirë jo vetëm zhvillimin e ngjarjeve por edhe rrjedhojën e tyre për popullin shqiptar. “Kur midis nesh u acaruan marrëdhëniet dhe më pas ato kaluan në armiqësi, te ne rendën disa shokë shqiptarë, të cilët, duke derdhur lot, na tregonin hollësisht se çfarë situate ishte krijuar në vendin e tyre dhe ku ishin katandisur… Mënyra e tregimit të tyre si vepronte Enver Hoxha, i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Kjo situatë u shkaktua në Shqipëri nga frika e demokratizimit të partisë, nga frika e demokratizimit të jetës shoqërore dhe politike, rrugë të cilën unë e quaja të pashmangshme. Pikërisht për këtë shkak, midis nesh ndodhi prishja e marrëdhënieve. Nëpër cilat etapa kaloi prishja?
BISEDIMET ME KINËN
Para së gjithash, ne u informuam se shqiptarët po zhvillojnë bisedime me kinezët, të drejtuara kundër PKBSsë dhe partive të tjera motra. Fakte të tjera më parë nuk kishim. Në këtë kohë nga Kina nëpërmjet Bashkimit Sovjetik, po kthehej një delegacion shqiptar. Në Komitetin tonë Qendror erdhi një shqiptare, grua shumë e ndershme.
Mendoj se tashmë të gjorën e kanë zhdukur. Gestapo nuk kishte arritur ta asgjësonte, ndërsa “vëllezërit” i lanë hesapet me të dhe e eliminuan, sepse si një komuniste e sinqertë, që erdhi te ne në Komitetin Qendror dhe na tregoi se për çfarë kishin biseduar kinezët me delegacionin shqiptar dhe se si këta të fundit ishin marrë vesh me ta. Nisur nga naiviteti ynë, sapo e morën vesh këtë gjë, rendëm te Mehmet Shehu, që atëherë kurohej tek ne në spital. Atij i treguam gjithçka dhe e pyetëm sesi ishte e mundur që në Kinë të zhvilloheshin bisedime të tilla?! Në të vërtetë Mehmet Shehu u largua me ngut nga spitali dhe po në atë çast fluturoi drejt Shqipërisë. Shkëputja përfundimtare ndodhi në Kongresin e radhës të Partisë Komuniste të Rumanisë… Tani nuk më kujtohet emri i përfaqësuesit të Partisë së Punës të Shqipërisë në Kongresin e Bukureshtit. Ndërkohë unë e pyeta atë: “Si është puna? Ai m’u përgjigj: “Shoku Hrushov, edhe unë vetë nuk po kuptoj gjë, por kam marrë direktivën të mbështes kinezët”… Dhe kur në vitin 1960 u mblodhëm në Kremlin për një këshillim të të gjitha partive komuniste dhe të partive të tjera motra, Enver Hoxha mbajti një fjalim me akuza antisovjetike. Ai na tregoi dhëmbët më fort sesa vetë kinezët…
Liderët shqiptarë, me metodat e tyre të ekzekutimeve të fshehta dhe të hapura, krijuan një parti, e cila mbahej e bashkuar vetëm nga frika. Ata nuk mund të pranonin vendime të Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse në luftën kundër PKBS-së, ashtu si edhe kinezët, ngritën lart emrin e Stalinit. Stalini ishte ideali i vërtetë për ta!… Kjo natyrisht ishte tragjedia e vërtetë e popullit shqiptar. Nuk e di që shqiptarët të kenë dalë të fituar nga e tëra kjo, por unë kam mendimin se kanë dalë të humbur”.212)
Dallimet sovjeto-shqiptare që u shfaqën në mesin e viteve ’50, “për shkak të mosaprovimit nga udhëheqja shqiptare të lëvizjeve të Hrushovit drejt normalizimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe dënimi i “kultit të individit” të Stalinit, – shkruan historiani rus Andrey Edemskiy, (ky është bazuar për të dale në konkluzione mbi shumë dokumentacione përfshi edhe ato të deklasifikuara së fundi të Arkivave Ruse), – vijuan edhe më tej të akumulojnë potencial negativ. Gjithsesi, deri në takimin e Bukureshtit, marrëdhëniet sovjeto-shqiptare vijuan të zhvilloheshin relativisht pa fërkime të mëdha”.213)
Gjatë Bukureshtit, me nismën personale të Nikita Hrushovit, në Moskë u përgatit një notë informative për të gjitha partitë, përmes së cilës kritikoheshin pikëpamjet e liderëve kinezë si false dhe të dëmshme. Po ato ditë, në takimet e improvizuara të delegacioneve të huaja që kishin ardhur të ftuar në Kongresin e partisë rumune, lideri sovjetik Nikita Hrushov kritikoi lidershipin kinez. Nga ana tjetër, delegacioni shqiptar që drejtohej nga “numri tre” sipas hierarkisë partiake, Hysni Kapo, u koordinua me Enver Hoxhën që ishte në Tiranë dhe si asnjë nga pjesëmarrësit e tjerë, që nga fillimi i takimit nuk ishte aktiv në fushatën e improvizuar të dënimit të pikëpamjeve të lidershipit kinez, madje iu shmang edhe detyrimit të rendit alfabetik për të folur i pari. Edhe një sjellje e tillë pasive,-vërejnë dokumentacionet e kohës, -e mërzitën Nikita Hrushovin.
VALA E FËRKIMEVE
Një tjetër valë fërkimesh në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare u shfaq në nëntor të vitit 1960. Siç mund të shihet në dokumentet arkivore, në ndryshim nga ajo që ndodhi në Bukuresht në fund të qershorit, kësaj radhe delegacioni shqiptar erdhi në Moskë me qëllim marrjen e krahut kinez për të gjitha çështjet për të cilat Kina dhe BS-ja kishin pozicione të ndryshme. Delegacioni shqiptar drejtohej nga Enver Hoxha dhe nuk kishte pse të humbej kohë me konsultime me Tiranën, siç kishte bërë Kapo në Bukuresht në fund të qershorit.
Ky ndryshim në qasjen shqiptare është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Sipas një tradite të gjatë në historiografinë perëndimore, ajo ishte rezultat i një lufte të brendshme në parti që përfundoi në fund të gushtit 1960. Fitimtarët e saj adoptuan një linjë të vendosur pro-Pekinit, në sfidimin përherë në rritje të tij ndaj lidershipit sovjetik në bllokun komunist dhe lëvizjen komuniste botërore. Ndërsa historiografia bashkëkohore shqiptare ka ofruar një pamje tjetër të këtyre ngjarjeve, sipas të cilës zërat për një betejë të brendshme në parti, ishin false, përderisa që pas “fjalimit sekret” të Hrushovit në shkurt të vitit 1956, Enver Hoxha kishte eliminuar të gjithë opozitën potenciale, duke spastruar shumë anëtarë të partisë dhe zyrtarë të lartë, që mundet potencialisht të adoptonin kriticizmin sovjetik të “kultit të individit” në Shqipëri. Disa përpjekje të sovjetikëve, për të ulur shqiptarët në një diskutim të hapur dypalësh në mënyrë që të mbyllej plaga e hapur, shkuan kot.
Sapo Enver Hoxha mbërriti në Moskë, sovjetikët i shpërndanë delegacioneve të huaja përgjigjen e tyre ndaj letrës së shtatorit të Partisë Komuniste të Kinës, në të cilën Shqipëria përshkruhej si një tirani. Me një hapje të tillë, Enver Hoxha ishte shumë i acaruar për t’u takuar me Hrushovin. Megjithatë, vetëm pas ndërmjetësimit të francezëve, Enver Hoxha u takua me Hrushovin më 12 nëntor. Diskutimi, thonë dokumentet, nisi qetë. Në përgjigje të pyetjes së sovjetikëve: “Ç’farë doni në këmbim të një përmirësimi të marrëdhënieve tuaja me ne”, pa u dhënë përgjigje Enver Hoxha u kujtoi atyre përpjekjet sovjetike “për të minuar unitetin e lidershipit politik shqiptar, mbështetjen e vazhdueshme të disidentëve politikë, si dhe incidentet mes marinarëve shqiptarë e sovjetikë në bazën detare në Vlorë”. Në rrjedhën e diskutimit, Enver Hoxha evidentoi se kishte pasur edhe më herët mosmarrëveshje me Nikita Hrushovin për qëndrimin ndaj Jugosllavisë dhe të tjera, që sipas tij kishin burim palën sovjetike, të cilën e akuzoi për përkeqësimin e marrëdhënieve pas Bukureshtit. Por Hrushovi ngriti dyshimin dhe i tha Enver Hoxhës se “ju duket nuk keni qenë në marrëveshje me ne edhe para Bukureshtit”.214)
BISEDIMET E TENSIONUARA
Bisedimet u zhvilluan të tensionuara, megjithatë sovjetikët nisur nga politika e tyre e demokratizimit, përsëri e lanë portën e hapur duke theksuar se “shokët shqiptarë të na thonë kur të jenë gati për të rivendosur kontaktet” me përfaqësuesit e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë, sovjetikët shprehën gatishmërinë e tyre për një takim tjetër në nivel kryeministrash, duke tërhequr vëmendjen në “disa çështje që shqetësojnë dy shtetet”. Mesazhi sovjetik u injorua nga Enver Hoxha. Ai iu përgjigj indirekt propozimeve sovjetike në fjalimin e tij në mbledhjen e 81 partive, duke shprehur mbështetjen e tij për pjesën teorike të raportit të kinezëve dhe u deklaroi mosaprovimin e vet ndaj pozicioneve sovjetike në një numër çështjesh, si “bashkekzistenca paqësore”, “drejtimet e tranzicionit drejt socializmit” dhe “kriticizmi ndaj kultit të individit” të Stalinit.
Përveç këtyre, një pjesë thelbësore e fjalimit të Enver Hoxhës iu dedikua Jugosllavisë. Në problemin jugosllav, Enver Hoxha u ndal gjatë, duke vënë në dukje nevojën e rikthimit në përkufizimet e përcaktuara në rezolutën mbi çështjen jugosllave, adoptuar në takimin e tretë të Kominformit në vitin 1949. Në vijim ai u përqendrua veçanërisht në veprimtarinë e Aleksandër Rankoviçit si koordinator i shërbimeve sekrete jugosllave, të cilin e akuzoi për përgatitjen e një operacioni të gjerë nga shërbimet sekrete jugosllave që konsistonte në arratisjen e një grupi oficerësh të lartë shqiptarë drejt Jugosllavisë, për t’i përdorur më pas “në drejtimin e një ofensive kundër Shqipërisë”.
Sipas tij, Tito po ashtu komplotoi me Greqinë për ndarjen e Shqipërisë. Në të dyja rastet, deklaroi Enver Hoxha, lidershipi jugosllav veproi me miratimin e Nikita Hrushovit. Kështu, ai kërkoi të bënte të qartë se kundërvënia mes tij dhe Hrushovit nuk ishte shkaktuar nga mosmarrëveshje personale, por nga politika shoviniste e një fuqie të madhe siç ishin sovjetikët. Kur sovjetikët arritën në përfundimin se me liderët shqiptarë nuk kishin bërë asnjë hap serioz për të normalizuar raportet, atëherë nga ideologu Mikhail Susllov iu dorëzua një raport Enver Hoxhës, i cili i përshkroi shumë mprehtësisht veprimet e tij. Ai vinte në dukje se “burimi i pozicionit të gabuar”, “arsyeja e shkëputjes nga pozicionet sovjetike është dogmatizmi i Enver Hoxhës, papjekuria politike e lidershipit, regjimi i kultit të individit dhe pozicionet nacionaliste të udhëheqjes shqiptare, sidomos në raport me Jugosllavinë”.215)
KONGRESI I 4-RT
Një ditë para Kongresit të 4-të të partisë, jo pa qëllim Enver Hoxha priti delegacionin e PKBS-së me Pospjellovin dhe Andropovin, veprim ky jo kortezie, por zhbirilim për të parë reagimin e tyre teksa ishte e qartë se mes delegatëve nuk kishte asnjë opozitar dhe se partia ishte e vendosur plotësisht nën kontrollin e Sekretarit të Parë. Pas kthimit në Moskë, delegacioni sovjetik, konkludoi para KQ të PKBS se Enver Hoxha nuk e donte një tjetër takim personal me sovjetikët. Në fund të dimrit të vitit 1961, ishte e qartë se konflikti sovjeto-shqiptar ishte thelluar. Një fazë e re ishte ai i shkëmbimit intensiv të letrave në fund të dimrit dhe fillim të pranverës. Ky shkëmbim është studiuar deri më tani vetëm pjesërisht dhe në mënyrë selektive.
Komentet e Nikita Hrushovit të marsit, mbi marrëdhëniet me Shqipërinë lidheshin me hapat e mëtejshëm të mirëmenduara të sovjetikëve në raport me Shqipërinë si në sferën ekonomike, ashtu edhe atë politike. Më 27 mars udhëheqësit sovjetikë kishin miratuar rekomandime mbi politikën ekonomike që kishin të bënin me Shqipërinë. Si pjesë e masave ekonomike u këshillua që Shqipërisë t’i ndërpritej mundësia të merrte kredi sipas marrëveshjes së 3 korrikut të vitit 1957. Disa rekomandime të tjera parashikonin ndalimin e furnizimit me pajisje ushtarake, duke pezulluar marrëveshjet e 28 shtatorit të vitit 1949, të 24 marsit të vitit 1956 dhe të 26 shkurtit të vitit 1959. Kjo e fundit që kishte të bënte me furnizimin me teknologji raketore, theksohej veçanërisht. U vendos po ashtu të injorohej kërkesa shqiptare për një kredi prej 125 milionë rublash për nevoja të Forcave të Armatosura Shqiptare për vitet 1961-1965 nën Marrëveshjen e 26 korrikut të vitit 1960. Programi i elaboruar synonte për ta detyruar Enver Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij që të takoheshin sërish e personalisht me Nikita Hrushovin e udhëheqësit e tjerë të BS, por u pengua nga bashkëpunimi i intensifikuar i Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës.
Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












