INTERVISTA/ Astrit Patozi: “Ministri i Brendshëm do jetë nga PD”. Nisin negociatat me PDIU për një post në Qeveri.
“Të njëjtët njerëz detyruan Zaganjorin e Hoxhën të tërhiqen”
Patozi: Vota kundër ishte e Oketës, dy votat e bardha të Dules dhe Islamit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha dje në emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus” se posti i ministrit të Brendshëm do të vazhdojë të mbetet i PD-së.
Ai flet gjithashtu edhe për mbledhjen e të hënës kur Berisha tha se mund të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e Artan Hoxhës. Keni përmbushur një nga ngjarjet kryesore politike të vitit, por edhe një angazhim të rëndësishëm për ju…
Ne nuk e konsiderojmë zgjedhjen e Presidentit si trofe për të cilin duhet të parakalojmë me triumfalizëm dhe pala tjetër duhet të ulë kokën sikur ka humbur një luftë. Nuk është kështu dhe pikënisja e gjithë këtij procesi nuk ka qenë e tillë. PD dhe maxhoranca nuk u nis në këtë proces për të mundur opozitën, por u nis t’i jepte vendit një zgjidhje dinjitoze, që kreu i ri i shtetit të ishte përfaqësues i denjë i mbi 3 milionë shqiptarëve dhe të ishte përfaqësues i tyre. Ne besoj se kemi arritur në një rezultat optimal, pavarësisht se në një farë mënyre zgjedhja e zotit Nishani mund të konsiderohet edhe aksidentale, pra jo nga cilësia. Cilësia e produktit është ekselente, por mënyra se si rrodhi procesi mund të konsiderohet aksidentale. Ne nuk zgjodhëm rrugën për të arritur te Presidenti, por zgjodhëm një proces konsultimesh brenda maxhorancës dhe me opozitën që të arrinim Presidentin konsensual. Si shkuat te kandidatura e Hoxhës?
Ne shkuam te zoti Hoxha me të njëjtën logjike që kishim mbërritur më parë te Zaganjori. Në atë buqetën e kandidaturave që hodhëm në negociatat me Ramën dhe Ruçin, ne zgjodhëm më të larguarin nga politika aktive e maxhorancës. Ishin dy ministra, një këshilltar i Kryeministrit dhe një përfaqësues i shoqërisë civile. Zgjodhëm më të largëtin nga maxhoranca dhe më të afërtin sipas nesh me opozitën. Nëse do të ishte e prirë për konsensus, opozita do të zgjidhte si më parë Zaganjorin ashtu edhe Hoxhën. Opozita nuk bëri as njërën as tjetrën, për mua bëri shumë gabim. Nuk dua të bëj përgjegjës as gjithë PS-në, as gjithë opozitën. Kjo ishte një gafë e rëndë e Edi Ramës. Është diletanteske që ta nisësh procesin duke ngrënë ngjala në një vend që s’ka lidhje me institucionet që zgjedhin Presidentin dhe ta përfundosh atë si punëtor i skenës së Spiropalit, kjo ishte flurudha e Edi Ramës në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Çfarë ndodhi me zotin Hoxha, po prodhoheshin fletët e votimit, Garda u vu në mbrojtje të tij. Ishin luftërat brenda PD-së që nuk garantuan votat, apo kishte diçka në të kaluarën e tij?
Ajo që publiku pret, është bërë e qartë. Mos prisni prej meje që unë të futem në detaje të një historie të pakëndshme, e cila sipas meje është e iniciuar politikisht nga të njëjtët njerëz, nga të njëjtat segmente politike që detyruan Zaganjorin të tërhiqej nga gara. U përdor e njëjta artileri për të krijuar një traumë në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Aryset Hoxha i ka bërë vetë publike. Ajo që ndodhi ishte e papritur, ishte një betejë e pistë për ta ndotur procesin dhe duke pasur si target zotin Hoxha, që ishte kandidati për President. U tha që, në mbledhjen e Grupit të PD-së, përpara se të votohej Nishani, Berisha iu drejtua deputetëve duke thënë që, nëse nuk votohet sot në raundin e katërt, do bëhej raundi i pestë dhe pastaj do shkohej në zgjedhje të parakohshme.
Po është thënë kështu, është e vërtetë, por këtu s’ka asgjë dramatike. Në radhë të parë për të shkuar te kandidatura e Nishanit ka qenë shumë më e lehtë. Në çastin që Hoxha u tërhoq, maxhoranca kishte dy mundësi: e para që të zgjidhte kë të donte nga politikanët e saj nga më i larti te më i ulëti; mundësia e dytë ishte që të mos i ikte seriozitetit me të cilin kishte hyrë në negociata me opozitën. Kur ne shkuam në tryezë me Ramën me 4 emra, shkuam me idenë që këta katër emra ishin më të pranueshëm për opozitën në raport me pjesën tjetër. Imami kishte punuar me të dyja palët, Nishani kish marrë përgëzimet e Ramës për mënyrën si ushtronte detyrën, zoti Hoxha për kontributin e dyanshëm. Ne i qëndruam një kandidature që e propozuam në tryezë. Pse ky ultimatum, ose sot Presidenti, ose zgjedhje?
Nuk ishte ultimatum. Ky është një sqarim që çdo udhëheqës politik ka detyrimin ta bëjë me bashkëpunëtorët e tij. Jo të gjithë janë kaq të vëmendshëm që të lexojnë çdo rresht të Kushtetutës apo Rregullores. Ky ishte një përshkrim se ku po shkonim. Ishte gjëja më normale në botë, që ne do ta zgjedhim sot Presidentin, dhe nëse nuk e zgjedhim të gjithë, e dimë që në zgjedhje do shkojmë se kështu e thotë Kushtetuta, jo se e do Sali Berisha. Sa pranë zgjedhjeve të parakohshme ishim atë ditë?
Asnjë milimetër pranë. Ishim qindra vite dritë larg. Kam qenë plotësisht koshient që ne në të gjitha votimet do të merrnim të njëjtin numër votash. Ka pasur hatërmbetje në grup?
Jo nuk e besoj. Ambicia presidenciale është një gjë shumë njerëzore sidomos për politikanët, sepse është kulmi i karrierës dhe asnjë politikan nuk mund të privohet nga stacioni i fundit, siç një gjykatës nuk mund të privohet nga zgjedhja në krye të Gjykatës së Lartë apo në Gjykatën Kushtetuese. Si kanë qenë ato orë me zonjën Topalli?
Kjo që thoni ju, është thjesht një spekulim mediatik. Berisha e tha në Parlament…
Kjo është një rrjedhojë logjike e asaj që duhet të ndodhte në rast se ne do ishim në një situatë normaliteti në raport me opozitën, që ti do e fillosh nga pika më e lartë dhe pika më e lartë i takon të ishte zonja Topalli, sepse Berisha tha që nuk jam. Piramida fillonte me zonjën Topalli, që është numri dy i shtetit. Berisha e ka thënë pasi ngjarjet rrodhën. Zonja Topalli kurrë nuk ka thënë që unë aspiroj për të qenë Presidente e Shqipërisë. E dini e kujt ishte vota kundër?
Është fare e qartë. Vota kundër është e zotit Oketa dhe dy votat e bardha janë të Dules dhe Islamit. Diferenca mes Dules dhe Islamit është që Dule e bëri demonstrative votën, ndërsa Islami respektoi më shumë procedurën, sepse është njeri më strikt dhe shkoi deri te dhoma e fshehtë. Të dy këto personazhe, megjithëse nuk votuan për një kandidat të maxhorancës, bënë një gjest prej politikani të përgjegjshëm. Vendi i ministrit të Brendshëm është bosh. Kush do ta zëvendësojë, i është premtuar LSI-së?
Vakanca e përkohshme e ministrit të Brendshëm nuk prish ndonjë punë në performancën e qeverisë. Zëvendësimi do të bëhet në kohën që Kryeministri do e gjykojë të përshtatshme dhe nuk gjykoj se kjo kohë do të jetë e gjatë. Do të jetë e shpejtë. Do jetë ministër nga PD?
Nishani u largua nga ai post për t’u ngjitur një shkallë më lart në karrierën si deputet i PD, kështu që i takon PD-së të ketë ministrin e Brendshëm. A do jeni ju ministër i Brendshëm?
Unë kësaj pyetjeje drejtpërdrejt po i jap një përgjigje të drejtpërdrejtë. Unë ndihem mirë në punën që bëj dhe do ta mbyll këtë legjislaturë në Parlament. Ndihem shumë mirë dhe shumë i motivuar në punën që bëj si kryetar Grupi. Edhe nëse Berisha jua kërkon?
Unë mendoj se kjo s’ka për të ndodhur, por tek e fundit unë e kam shumë të zhvilluar sensin e detyrës. Këtu nuk ka nevojë për ta pasur, për shkak se PD ka shumë personalitete për ta ushtruar atë detyrë.
Gaiani: Nishani, zgjedhje e shkëlqyer dhe kushtetuese
Ambasadori i Italisë në Tiranë Massimo Gaiani
Ambasadori italian në Tiranë, Masimo Gaiani, deklaroi dje se zgjedhja e Presidentit Bujar Nishani vetëm më votat e shumicës nuk krijon probleme për marrjen e statusit të vendit kandidat. Nga qyteti i Durrësit, diplomati italian në një leksion të hapur me studentët e universitet “Aleksandër Moisiu”, deklaroi se klasa politike duhet të vazhdojë me seriozitet përmbushjen e reformave të kërkuara nga Komisioni Europian dhe pikërisht nga përmbushja e tyre do të jepet një vendim i statusit të vendit kandidat. “Komisioni Europian e sheh me simpati çështjen shqiptare, por do bëhet një raport nga Komisioni për zbatimin e kushteve nga Shqipëria, por për të vendosur, vendosin vendet anëtare që kanë të drejtën e votës, ndaj duhet unanimitet. Pra, varet nga sa do realizoni në muajt në vazhdim reformat dhe standardet e kërkuara”, theksoi Gaiani. Ambasadori i Italisë theksoi gjithashtu se procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit u realizua në bazë të dialogut dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit. Për ambasadorin, zgjedhja e Bujar Nishanit në krye të shtetit ishte një vendim pozitiv i maxhorancës. “Kandidati i zgjedhur ka një profil të lartë dhe përbën një zgjedhje të shkëlqyer. Unë do të doja të ndalesha në dy aspekte, në atë të procesit të zgjedhjes së Presidentit dhe personi i zgjedhur si President i Republikës. Procesi ishte kushtetues dhe ka pasur dialog mes palëve, nuk kemi asnjë kundërshtim ndaj procesit. Ndërsa figura e Presidentit është një figurë me nivel të lartë dhe askush s’ka pasur asgjë për të thënë ndaj këtij personi. Unë kam deklaruar se kjo zgjedhje i përket Shqipërisë, ne jemi thjesht vëzhgues, është zgjedhje juaja dhe e popullit shqiptar”, pohoi ambasadori italian. l.m