Nënçmimi i lekut, BSH: Si kanë ndikuar shpenzimet qeveritare

May 9, 2011 | 9:04

Nënçmimi i lekut ndaj euros duket se mbart me vete një sërë arsyesh që lidhen me shpenzimet qeveritare, me transferimin e fitimit të kompanive të huaja jashtë apo edhe me përfundimin e efektit të fundvitit. Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit 2011, Banka e Shqipërisë vlerëson se janë një sërë arsyesh që kanë ndikuar në nënçmimin e monedhës vendase, karshi asaj europiane. Për Bankën e Shqipërisë këto efekte janë disi të zhvendosura në kohë dhe të përqendruara sidomos në muajin mars. “Dobësimi sezonal i monedhës vendase në raport me monedhën europiane është zhvendosur disi në kohë duke u përqendruar kryesisht në muajin mars, kur nënçmimi i lekut ka rezultuar në terma mesatare mujore -0.4%. Ky raport për herë të parë preku nivelin historik 140.14 lekë për euro”, thuhet në raportin e bankës. Ndërkohë, zhvillimet më të mëdha për nënçmimin e lekut karshi euros erdhën pas marsit. Gjatë prillit, por edhe majit, euro nuk ka rënë për asnjë ditë poshtë nivelit 142.2 të shkëmbimit, ndërkohë që niveli më i lartë i regjistruar në prill ishte plot 143 lekë. Ky nënçmim duket se lidhet sërish me të njëjtat arsye që vlerëson Banka e Shqipërisë, por sidomos me rritjen e shpenzimeve qeveritare bashkangjitur me sfondin e fushatës elektorale, që u zhvillua në prill-maj për zgjedhjet e mbyllura dje. Një euro dje në Tiranë këmbehej në nivelin 142 lekë.

© Panorama.al

Te lidhura