Nëna vret foshnjën e sapolindur

Sep 14, 2011 | 11:41
Infermiere e Maternitetit të Vlorës me foshnjën e pajetë në duar

Nëna hedh foshnjën e sapolindur nga dritarja e maternitetit, më pas tenton të vetëvritet.Ngjarja e rëndë, e cila dyshohet të jetë shkaktuar nga depresioni i postlindjes, ndodhi mëngjesin e djeshëm në maternitetin e Vlorës. Nëna 27-vjeçare, Eglantina Nexho, vrau djalin e lindur disa orë më parë, ndërsa dëshmitar i tragjedisë familjare është bërë edhe i shoqi. Foshnja ka ndërruar jetë menjëherë, si pasojë e përplasjes në trotuarin e maternitetit, ndërsa gruaja, e cila është vetëhedhur menjëherë pas foshnjës, ka pësuar dëmtime. Burime të Policisë bënë të ditur se rreth orës 03:00, 27-vjeçarja, e cila kishte lindur fëmijën e saj të parë, i kishte telefonuar të shoqit, duke i kërkuar ta takonte. Ajo e ka pritur atë dhe, në momentin kur e ka parë në oborrin e maternitetit, ia ka hedhur foshnjën, duke i pohuar se nuk ishte krijesa e saj. Më pas, gruaja është vetëhedhur nga kati i dytë i maternitetit, duke pësuar plagë mjaft të rënda. Ngjarja ka lënë të shokuar bashkëshortin e saj, i cili ka mohuar në polici të kenë pasur probleme në çift. Ngjarjen e rëndë e konfirmoi dje edhe drejtori i maternitetit të Vlorës, Besnik Elezi. “Më 12 shtator, në orët e paradites, 27-vjeçarja Eglantina Nexho solli në jetë fëmijën e saj me një lindje normale. Mjekët, që asistuan në lindje, më pohuan se fëmija i seksit mashkull gëzonte shëndet të plotë bashkë me nënën. Por më njoftuan se nëna e re, sot rreth orës 03:00 kishte hedhur fëmijën nga dritarja, më pas është vetëhedhur, duke tentuar edhe ajo vetëvrasjen. Pas ekzaminimeve të bëra, 27-vjeçarja, e cila e kishte lindjen e saj të parë është në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Mjekët, që kanë ndjekur shtatzëninë e saj, më kanë konfirmuar se ajo ka pasur probleme neuropsikoze gjatë kësaj periudhe”, u shpreh Elezi. Mjekët kanë konfirmuar gjendjen e stresit të gruas gjatë shtatzënisë, si dhe përkeqësimin e gjendjes mendore gjatë lindjes, por ende nuk është sqaruar se pse nëna e re është lënë e vetme me foshnjën e saj në dhomë, duke ditur problemet e mësipërme. Ngjarja e djeshme përhapi panik edhe tek nënat e tjera të shtruara në maternitetin e Vlorës. Mësohet se 25-vjeçarja është nën kujdesin e mjekëve neuropsikiatër. Bashkëshorti i tronditur nga ngjarja ka deklaruar për Policinë se nuk ka pasur konflikte familjare, por probleme të vogla si çdo çift. Mësohet se ata kishin pesë vite të martuar. 27-vjeçarja ishte nga Amonica e Vlorës ndërsa i shoqi nga Lushnja.
Shefi i repartit të maternitetit, Remzi Haxhiu, bëri të ditur dje se pas ngjarjes kishte njoftuar psikiatrinë. Mjekët psikiatër e kishin vizituar dhe dolën në përfundimin se gruaja duhej të transferohet urgjentisht në psikiatri, sepse ajo kishte probleme me shëndetin mendor. Pasi e vërtetuam se nuk kishte ndonjë frakturë ose diçka që të kurohej nga fiziku, është dërguar në psikiatri për të bërë mjekime të tjera”, u shpreh Haxhiu.

3.8 kilogramë
ishte foshnja e sapolindur në maternitetin e Vlorës, që u hodh nga nëna e tij nga kati i dytë i maternitetit. Policia ende nuk bën të ditur se çfarë mase do të merret për gruan e re

KORÇË/ Nuk njoftoi policinë, në hetim mjeku
KORÇE – Nuk njoftoi policinë për pacienten e plagosur me thikë, procedohet penalisht mjeku i Korçës. Mjeku i spitalit rajonal të qytetit të Korçës, Pirro Mosku, është duke u ndjekur në gjendje të lirë, pasi nuk ka bërë denoncimin e rastit, çka ka sjellë që policia të marrë informacionin për ngjarjen një ditë me vonesë. Sipas të dhënave, ngjarja është regjistruar rreth orës 14:00 të së shtunës, kur në spital ka shkuar e goditur me mjet të mprehte (thike) në pjesën e barkut shtetasja D.Bregu, 25 vjeçe, banuese ne fshatin Dishnicë-Korçë dhe nga ana e mjekut 60-vjeçar (i cili ishte mjek roje) nuk është bërë njoftimi në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë për këtë rast të evidentuar në ambientin e spitalit. Policia ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje, nga e cila ka rezultuar se plagosja e 25-vjeçares është kryer nga bashkëshorti i saj Gerti Bregu, i cili ka qenë në gjendje të dehur.       dh.d

“Depresioni i nënave lehonë, si pasojë e mungesës së vëmendjes”

Mjekja Anika Dokle

Anika Dokle, mjeke obstetër-gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni”, Tiranë, u shpreh dje se shkaqet e vrasjes së foshnjave kanë të bëjnë me depresionin e nënave lehonë, si pasojë e terrenit të ftohtë familjar dhe mungesës së vëmendjes nga bashkëshorti. “Rasti i vrasjes së foshnjës nga nëna 27-vjeçare në Vlorë është i dhimbshëm. Situata të ngjashme me të, në mjekësi njihen si faza postpartum, e cila ndodh gjatë lehonisë tek nënat që sapo kanë lindur foshnjat. Shenjat që shfaqen janë ndryshim i menjëhershëm i humorit, gjendje depresive, frikë dhe deri mospranim i fetusit apo i bebes. Faza postpartum në shkallën e saj më të lehtë shoqërohet me luhatje emocionale dhe psikologjike, ndërsa në një gradë më të theksuar ka shenja të një neuroze të theksuar. Nëna që kanë frikë të lajnë fëmijën e ngurrojnë ta mbajnë në duar, se mendojnë që bebja u bie nga duart, e shohin krejtësisht si të huaj krijesën e re që i është bashkuar çiftit”, u shpreh ajo. Sipas saj, raste të tilla janë tepër sporadike e të përkthyera në shifra, ato llogariten deri në 0.5% të lindjeve, ndërsa depresionet më të lehta, ato të gradës së parë dhe të dytë të postlindjes, llogariten rreth 30-40% të rasteve. “Ndër arsyet kryesore të këtyre ngjarjeve janë mungesa e vëmendjes nga ana e familjes, ftohtësia e partnerit e mungesa e vëmendjes të tij ndaj saj. Të tilla shkaqe, nëse shoqërojnë nënën e re gjatë postshtatzënisë, mund të çojnë deri në depresione të rënda, neurozë të theksuar, që shfaqet me mënyra nga më të ndryshmet: një prej tyre është edhe vrasja e foshnjës dhe e vetes”, u shpreh më tej Dokle.    e.i

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura