
Rrethuar nga fotot dhe trofetë e të birit, nëna e volejbollistit 24-vjeçar Juxhin Guza, i cili u vra rreth 2 muaj më parë, tregon mes lotësh momentet më të vështira të jetës së saj, të cilat përkojnë me humbjen e Juxhinit. Mes dhimbjes dhe fatkeqësisë që ka pllakosur në shtëpinë e djalit të vetëm, Irma Guza shpreson se një ditë do të vihet në vend drejtësia për vdekjen e të birit. Thotë se pas disa orësh në spital e priste të birin t’i kthehej në shtëpi, sepse mjekët vetë i kishin konfirmuar se ai ishte jashtë rrezikut për jetën. Por, në mbrëmje u përball me vdekjen e të birit, në rrethana ende të pasqaruara. Dhimbja dhe fatkeqësia morën të tjera përmasa, pasi Juxhini, sipas së emës, u vra dy herë, së dyti nga mjekët. Zhgënjimi nga policia në lidhje me zbardhjen e ngjarjes është një tjetër peng që e shton akoma edhe më shumë dhimbjen e kësaj nëne. Juxhin Guza u qëllua me thikë në oborrin e pallatit të tij më 13 shtator. Ai mori katër plagë në kofshën e djathtë, por pas 20 orësh ai humbi jetën. Familjarët kanë kallëzuar mjekët në Prokurori për neglizhencë.
Çfarë kujtoni nga mbrëmja e 13 shtatorit?
Juxhini kishte dalë të priste të motrën, e cila kthehej nga një turne në Turqi. Ka qenë mesnatë dhe djali u nis në drejtim të Pallatit të Sportit, stacioni ku do të zbriste motra. Pasi e solli deri këtu, im shoq zbriti për t’i ndihmuar që të ngjisnin valixhet lart. Vajza dhe burri u ngjitën lart, kurse Xhini nuk u ngjit. Pyeta vajzën se pse u largua i vëllai, më tha se do të shkonte te lokali ku punonte, pasi i duhej të mbyllte llogarinë. Sikur ma ndiente zemra se do t’i ndodhte diçka. Kur pas rreth një ore, diku rreth orës 01:15 pas mesnate, dëgjuam një thirrje të çjerrët e të tmerrshme jashtë pallatit. Vrapuam që të gjithë nëpër dritare dhe në moment vajza bërtiti: Mami është Juxhini! Ashtu siç ishim në atë çast, bashkëshorti zbriti nga shkallët, ndërsa unë e vajza morëm ashensorin. Kur zbritëm poshtë pamë djalin të mbuluar në gjak. Fjalët e tij të fundit që më ka thënë ishin: Mami, donin të më vidhnin. Bashkë me tim shoq e dërguam menjëherë në spital dhe aty e morën nën kujdes mjekët.
Si ishte gjendja e tij në spital?
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët pohuan se është jashtë rrezikut për jetën dhe se të nesërmen mund ta merrnim për ta kuruar në kushtet e shtëpisë. Pas këtij informacioni që më dhanë mjekët jam kthyer në shtëpi për të marrë disa rroba të djalit dhe për të larë gjakun e derdhur para oborrit të pallatit, ndërkohë, Juxhini u dërgua në reanimacion. Më pas, unë jam kthyer në spital dhe kam qëndruar afër djalit, pasi më kishte kërkuar. Dhe ato momente kanë mbetur të rrënjosura në kujtesën time, pasi ishte hera u fundit që unë e pashë për së gjalli, pasi më vonë i nisën komplikacionet derisa humbi jetën.
Cila është arsyeja që akuzoni mjekët?
Për arsye se kam qenë vetë e pranishme në kohën kur djali është përkeqësuar. Ai më kishte kërkuar që të flisnim dhe në momentin që unë vura re probleme te djali që me mpirjen e këmbës dhe më pas me aparaturat, lajmërova infermieret, që të zgjonin mjekun e rojës. Ata nuk denjuan të bënin një veprim të tillë, që mbase do t’i kishte shpëtuar jetën djalit. Kur u zgjua mjeku i rojës, djali kishte dhënë jetë dhe vetëm kam dëgjuar që ai po zihej me infermieret, pasi më vonë kam humbur ndjenjat. Tani me këtë çështje po merret Prokuroria dhe shpresoj që ta vënë sa më shpejt në vend drejtësinë.
A keni qenë në dijeni nëse djali juaj ka pasur probleme, gjë që do të çonte deri në këtë akt?
Unë kam pasur një marrëdhënie shumë të hapur me djalin dhe jo që nuk pasur probleme, por synonte të arrinte sa më lart, qoftë si volejbollist, apo dhe në punët e tjera që bënte. Infermierja roje e urgjencës që ka pritur djalin atë natë, më ka treguar se përpara se ta dërgonin djalin në sallën e operacionit ajo e kishte pyetur se çfarë i kishte ndodhur. Dhe fjalët e Juxhinit kishin qenë se donin t’i grabisnin varësen, e njëjta gjë që më kishte thënë edhe mua, në momentin që e gjeta të larë në gjak para pallatit.
Ju keni deklaruar në polici se djali është qëlluar për grabitje, a jeni të informuar se çfarë po ndodh më tej me autorët?

Nisur nga fjalët e fundit të tim biri jam e sigurt se ai u qëllua për t’u grabitur. Me pas, mësuam se autorët kanë pasur si objekt grabitjen e një makine, por më mbërritjen e Juxhinit, kanë ndërruar shënjestër. Prisja më shumë prej policisë, por puna e saj deri më tani na kanë zhgënjyer. Vetëm pas 1 muaji u kujtuan që të vendosnin 30 mijë euro për personat që do të ndihmojnë në gjetjen e autorëve. Po të funksiononte policia, ngjarja duhej të ishte zbardhur brenda 24 orëve. E them këtë sepse atë natë kur ka ndodhur ngjarja, ndërkohë që bashkëshorti i shoqëruar nga dy policë kishte ardhur në shtëpi për të marrë vajzën, efektivat e policisë kanë reaguar në një mënyrë të tillë sikur donin t’u jepnin kohë autorëve për t’u larguar. Në kohën kur kemi dalë në dritare, vajza ka arritur të dallojë njërin nga autorët dhe për këtë u ka treguar punonjësve të policisë dhe për itinerarin që ai përshkoi, por e vetmja përgjigje që kanë dhënë personat, që në fakt duhej të siguronin jetën tonë, ka qenë si mund të dilet nga kjo lagje.
Aktualisht kjo çështje po ndiqet dhe nga Prokuroria. Shpresoni se drejtësia do të vihet në vend?
Unë shpresoj shumë që vdekja e djalit tim të ndëshkohet, pasi kam qenë dëshmitare e neglizhencës së mjekëve, në kohën kur lajmërova infermieret për të zgjuar mjekun reanimator të rojës. Për momentin po mundohem të përballoj dhimbjen që më ka pushtuar dhe të respektoj kujtimin e djalit dhe gjithçka ia kam lenë në dorë drejtësisë. Por si nënë, i bëj thirrje gjithë shoqërisë që të mos qëndrojë indiferente, por të ngrejë zërin dhe të kërkojë forcimin e rendit dhe të sigurisë. Pasi, duke parë zvarritjen e zbardhjes se çështjes nga policia, kam frikë se kjo që më ndodhi mua mund të përsëritet në ndonjë familje tjetër.
Policia
Një shumë prej 30 mijë eurosh ka vënë në dispozicion Policia e Durrësit për çdo informator mbi autorët e krimit ndaj volejbollistit Juxhin Guza. Ky njoftim u dha më 12 tetor, 1 muaj pasi 24-vjeçari u qëllua disa herë me thikë në hyrjen e pallatit ku jetonte. Me gjithë shoqërimet në polici të të dyshuarve, nuk ka asnjë person të vënë në pranga për krimin që tronditi të gjithë qytetarët durrsakë e më gjerë.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











