
KUKES – E ëma e Bleona Matës, Bukuria, kërkon rihapjen e hetimeve për të bijën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo nuk ka reshtur në përpjekjet e saj për të gjetur të bijën e zhdukur prej gati 2 vitesh. Avokati i ri i Popullit ka qenë ndalesa e fundit, ndërkohë që ajo vazhdon t’i mëshojë fort faktit se pesë vajzat që ishin në kullotë me Bleonën pasditen e 22 majit të vitit 2010, janë shkaktaret e humbjes së të miturës. Bukurie Mata thotë se do të vazhdojë sërish kërkimet, duke deklaruar se shteti nuk ka bërë asgjë për gjetjen e vajzës së saj. Ajo i konsideron të kota kërkimet në terren, pasi këmbëngul se Bleonën e kanë marrë për trafikim pesë bareshat e rritura. “Zhdukja e saj nuk është rastësore, por e parapërgatitur që më përpara dhe pesë autoret janë vajzat që ishin në kullotë sipër fshatit. Ato zbritën poshtë për të marrë Bleonën dhe për t’ia dhënë një të riu, që vetëm ato e dinë. Kanë qenë të kota kërkimet në terren, në Kosovë e Maqedoni, se gjoja mos ka vdekur aksidentalisht apo mos e ka dëmtuar ndonjë kafshë e egër. Ajo është grabitur për t’u trafikuar”, thotë Bukuria. Këto dyshime ajo ia ka shprehur dhe Avokatit të Popullit, Igli Totozani. “Avokati i Popullit më siguroi se do të rihapë çështjen e Bleonës dhe se do të merret seriozisht me këtë ngjarje”, u shpreh për gazetën Bukurie Mata. Me gjithë kërkimet, prej 22 majit 2010 asnjë shenjë nuk ka për vajzën, e cila sot është 8 vjeçe. j.h











