Nën bluzën e Irma Kurtit

Jun 3, 2013 | 13:12

Brenda një kohe të shkurtër, poetja sjell tre libra për lexuesin shqiptar, një përmbledhje me tregime, një vëllim poetik dhe një publicistik

Çfarë mund të ketë nën bluzën e Irma Kurtit?! Mos u keqkuptoni. Bëhet fjalë për një titull libri, në dukje provokues, por që e kalon të prekshmen dhe zbulon thelbin, shpirt e dashuri. Poetja Irma Kurti duket sikur rikuperon vitet e humbura. Pasi kanë kaluar 3 vjet nga botimi më i fundit i romanit autobiografik “Midis dy brigjeve”, ajo sjell njëherësh për lexuesin shqiptar tre libra të rinj: “Një vjeshtë pa kthim”, përmbledhje tregimesh, “Nën bluzën time”, vëllim me poezi dhe “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta”, publicistikë. “Një vjeshtë pa kthim” vjen në shqip pas rrugëtimit që ka bërë në gjuhën italiane. I botuar në 2012 nga shtëpia botuese “Kimerik”, me titullin “Un autunno senza ritorno”, ai është vlerësuar me dy çmime të rëndësishme: çmimin e dytë në Konkursin e 26-të Ndërkombëtar “Giovanni Gronchi 2012” në Pontedera, Pisa, si dhe me çmimin e tretë në Konkursin XIV Ndërkombëtar “Europa”, 2013, në Lugano, Zvicër.
Poezia “Nën bluzën time”, që i jep titullin përmbledhjes poetike, është vlerësuar me çmim të parë në konkursin “Napoli Cultural Clasic” në vitin 2011, në kategorinë e autorëve të huaj. “Zgjodha këtë titull, jo vetëm sepse është një nga poezitë që e kam për zemër, por mbi të gjitha për faktin se vargjet burojnë nga shpirti e në mënyrë të pashmangshme flasin për të, për ndjenjën, dhimbjen, dashurinë etj.”, thotë autorja.
Në “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta”, Irma kthehet pas në kohë, atëherë kur ishte ajo që u bënte intervista të tjerëve. Kjo vepër përmbledh artikuj të shkëputur nga gazeta të ndryshme gjatë periudhës kur Irma Kurti ka punuar si gazetare.
Irma Kurti ka botuar gjashtë libra në shqip, pesë prej të cilëve, përmbledhje poetike: “Këtë natë me ty” 1999, “Shihemi në një tjetër botë” 2002, “Qirinjtë janë fikur” 2003, “Bëj sikur fle” 2005, “Puthja e fundit” 2007 dhe “Midis dy brigjeve” 2010; si dhe tre në gjuhën italiane: “Tra le due rive”(Midis dy brigjeve – roman autobiografik), “Risvegliare un amore spento”(Të zgjosh një dashuri të shuar -poezi) dhe përmbledhjen me tregime “Un autunno senza ritorno”(Një vjeshtë pa kthim).

© Panorama.al

Te lidhura