Ajo e kishte pohuar edhe brenda lojës së “Big Brother”, se kishte një afeksion të veçantë për të shkruarin dhe letërsinë. Por si një studente e filozofisë, ajo u përfol shumë nga ish-banorët e këtij reality show se e tepronte duke bërë filozofen, dhe po ashtu për zakonin e saj të keq të të shkruarit në mure, zakon që e shfaqi brenda bashkëjetesës në shtëpinë e vëzhguar. Për të vazhduar më tej me daljen nga loja, ku dashurinë ia shprehte të dashurit Ogrenit në muret poshtë shtëpisë së tij. Por tashmë duket se Neda Karafili, e etiketuar si “filozofja” e BB4, ka menduar diçka me serioze për pasionin e saj, të shkruarit. Ajo është ulur dhe ka shkruar një libër që e ka titulluar “Archea”, botuar nga shtëpia Botuese OMSCA-1. Për librin me 152 faqe, ajo thotë në parathënie se: “Në këtë libër do të përpiqem t’jua rrëfej edhe juve; Archenë. Timen”. Pra, në këtë libër të konceptuar me copëza prozash, në mënyrë të çrregullt ajo zbërthen Archean, një nga konceptet e para që haset në leximin për lindjen e filozofisë, duke trajtuar lindjen, dashurinë dhe vdekjen.
Nuk dihet se si do të pritet ky libër nga ish-banorët e BB4, ndërkohë që Neda është protagonistja e parë e BB që boton një libër.











