Në sy të djalit: Atentati, plumb kokës oficerit të policisë

Dec 25, 2011 | 11:01
Automjeti ku u qëllua oficeri Naim Hyska

Oficeri i Rrugores, Naim Hyska, qëllohet në kokë te banesa.

Policia: Dyshojmë për konflikt të viteve 1997-1998 për shkak të detyrës në Vlorë dhe Sarandë.

Oficeri i Sallës Operative të Policisë Rrugore të Tiranës qëllohet me armë mbrëmjen e pritjes së Krishtlindjes, kur ndodhej në makinë bashkë me djalin 12 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në një rrugicë fare pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit” në Rrugën së Kavajës në Tiranë. Rreth orës 17:45, efektivi i Policisë Rrugore, Naim Hyska, po kthehej në banesë me djalin e tij 12 vjeç në makinë. Kur po i afrohej shtëpisë, në kohën kur makina ka qenë duke lëvizur në një rrugicë dytësore me mjete të parkuara në njërën anë të saj, është shfaqur edhe atentatori. Duke përfituar nga errësira dhe nga distanca e afërt, autori i ngjarjes ka qëlluar me precizion të lartë. Me sa duket me synimin për ta goditur në kokë policin, autori i ngjarjes ka shkrehur tri herë pistoletën, por ka bërë një vrimë me diametër 20-25 centimetra në xhamin e krahut të shoferit të mjetit, xham i cili nuk është thyer plotësisht, por vetëm në pjesën e prekur nga plumbat. Makina ka mbetur në vend e ndaluar, ndërsa efektivët e policisë, që shkuan në vendngjarje, paralelisht me dhënien e ndihmës për kolegun e tyre të plagosur rëndë, është dashur të heqin edhe fëmijën nga vendi i ngjarjes dhe ta dërgojnë menjëherë te një psikolog.
Atentati
Naim Hyska, oficer i Sallës Operative të Policisë Rrugore në Tiranë, dje ka kaluar një ditë pushimi dhe pasdreke ka dalë me djalin e tij 12 vjeç. Efektivi i policisë ra pre e atentatit pikërisht në kohën kur po kthehej për në banesë. Ai ka marrë një plumb në kokë që në qitjen e parë të armës së autorit, duke humbur çdo mundësi kundërpërgjigjeje apo qoftë edhe një tentativë për të ikur nga vendngjarja e për t’u shpëtuar plumbave. Ndërkohë që efektivi i Policisë Rrugore me një karrierë të gjatë në strukturat e ruajtjes së rendit ishte në gjendje kome, kolegët e tij të Policisë së Tiranës kanë nisur hetimet për ngjarjen. Dëshmitarët e krimit kanë qenë të paktë për shkak se rrugica ku ndodhi ngjarja nuk ka as dyqane, as lokale apo ndonjë aktivitet tjetër. Një numër i kufizuar personash që rastësisht kanë qenë kalimtarë në zonën ku ndodhi atentati ndaj oficerit, kanë thënë se autori ka qenë i vetëm. Sipas përshkrimeve të dëshmitarëve, ata kanë arritur të shohin një person të vetëm që është afruar te makina e policit nga ana e derës së shoferit dhe ka qëlluar. Sipas dëshmitarëve, atentatori kishte ndaluar në një pjesë të pandriçuar të rrugicës dhe ndonëse ka qenë i pamaskuar, fytyra e tij nuk dallohej. Një numër i madh veprimesh hetimore po kryheshin mbrëmë nga policia për zbardhjen e ngjarjes, e cila është klasifikuar si vrasje e mbetur në tentativë. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë mbrëmë për gazetën “Panorama” se pista kryesore është lidhja e ngjarjes me detyrën e oficerit të plagosur rëndë.
Motivi
Polici i plagosur mbrëmë, Naim Hyska, 46 vjeç, baba i tre fëmijëve, sipas hetimeve paraprake të zhvilluara, është sulmuar me armë për shkak të detyrës. Zanafilla e ngjarjes së ndodhur mbrëmë dyshohet se i përket periudhës së viteve 1997-1998, kur Naim Hyska punonte me strukturat e rendit në Policinë e Shtetit dhe ishte dërguar me shërbim për njëfarë kohe në qytetin e Vlorës e Sarandës për shkak të trazirave të ndodhura atje. Burimet zyrtare të Policisë kanë thënë se periudha e punës në Vlorë përbën konfliktet e vetme për shkak të detyrës së 46-vjeçarit, të pohuara këto edhe nga dëshmitarët. Burimet e Policisë lanë të kuptohej se kanë një datë konkrete dhe persona konkretë me të cilët është konfliktuar Naim Hyska për shkak të detyrës kur ndodhej me shërbim në Vlorë si efektiv policie.

Polici
Oficeri i Policisë Rrugore të Tiranës, Naim Hyska, i cili mbrëmë u qëllua me armë zjarri teksa kthehej në banesë me makinën private, ishte ulur në detyrë muajt e fundit. Ai mësohet se ka pasur një funksion më të lartë në Policinë Rrugore të kryeqytetit, por pak kohë më parë ishte ulur në një detyrë më të ulët duke nisur punën si oficer pranë Sallës Operative të Policisë së Qarkullimit Rrugor në kryeqytet. Sipas he-tuesve, detyra që kryente së fundi oficeri nuk e vinte në kontakt direkt me qytetarët.

Konfliktet
Krahas hetimeve që po zhvillohen nga policia në pistën e tentativës së vrasjes për shkak të detyrës, objekt i verifikimeve në lidhje me ngjarjen e ndodhur me oficerin e Policisë Rrugore është edhe ndonjë konflikt personal i tij. Mbrëmë, burimet e Policisë kanë pohuar se kanë marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e 46-vjeçarit për të mësuar ndonjë gjë më shumë në lidhje me konfliktet apo mosmarrëveshjet e mundshme private të efektivit të Policisë Rrugore.

Spitali: Gjendja në rrezik për jetën
TIRANE – Mjekët e Spitalit Ushtarak ku mbërriti mbrëmë oficeri i plagosur rëndë kanë thënë se ai është në gjendje kritike për jetën. Pas goditjes me armë, polici është transportuar në spital, por gjatë rrugës, si pasojë e dëmtimit të arterieve kryesore, ka humbur sasi të mëdha gjaku. Veç komplikimeve të ardhura nga plaga e rëndë në kokë, sipas mjekëve, polici ka vuajtur shumë edhe nga humbja e sasive të mëdha të gjakut. Bluzat e bardha mbrëmë rreth mesnatës thanë se gjendja e oficerit mbetet kritike.


Dëshmia e djalit të policit: S’e pashë  autorin

Hetimi, 12-vjeçari merret në pyetje në praninë e psikologut
Oficeri në koma në Spitalin Ushtarak, kolegët dhurojnë gjak
TIRANE – Të dhënat e para të fiksuara mbrëmë në vendin ku u qëllua me armë efektivi i Policisë Rrugore Naim Hyska krijonin bindjen se vendi i atentatit ndaj policit ishte menduar mirë nga ana e autorit. Automjeti “Mercedes Benz”, brenda të cilit udhëtonte efektivi Hyska dhe djali i tij 12-vjeçar, ishte në një nga rrugicat e lagjes pranë “21 Dhjetorit”, paralel me Rrugën e Kavajës. Ndriçimi i kufizuar në atë pjesë të rrugicës duket se ka qenë “aleati” kryesor i autorit të ngjarjes, i cili deri më tani nuk është identifikuar. Po ashtu, segmenti ku ka qenë duke kaluar Hyska ishte i shkurtët, çka detyronte shpejtësi shumë të vogël, si edhe godinat në dy anët e rrugës nuk kanë pasur biznese në katin e parë. Përkatësisht në një anë ndodheshin qepenat e mbyllur të disa garazheve, ndërsa në anën tjetër pallati. Ndonëse automjeti u largua shumë shpejt nga vendngjarja me anë të një karrotreci, ciflat e xhamit të thyer nga depërtimi i plumbit ishin në rrugë deri vonë. Në anën tjetër, në Spitalin Ushtarak, holli para derës së Pavijonit të Kirurgjisë ishte i mbipopulluar mbrëmë nga familjarët e efektivit të plagosur, si dhe nga punonjës të policisë, kolegë të tij. I traumatizuar nga ngjarja, në mes të familjarëve qëndronte edhe i mituri 12-vjeçar, i pranishëm në skenën e plagosjes. “Nuk kam parë gjë”, u mësua t’i jetë përgjigjur ai pyetjes së hetuesve nëse e kishte parë autorin. Solidariteti i uniformave blu për kolegun që po luftonte me jetën në sallën e operacioni dukej hapur. Brenda në sallë kërkohej gjak. Për këtë shkak, disa prej efektivëve qëndronin në radhë para derës së bankës së dhurimit të gjakut për t’i ardhur në ndihmë kolegut të tyre Hyska. Sulmi me armë ndaj policit ka angazhuar mbrëmë gjithë kupolën drejtuese të Policisë së Tiranës. Çdo informacion i marrë si dhe çdo veprim hetimor i kryer është parë e ndjekur me kujdes nga zyrtarët e Policisë së kryeqytetit me qëllim që hetimi të jetë efikas dhe i shpejtë. Nga ana tjetër, vetë polici i plagosur rëndë nuk ka arritur të japë asnjë shpjegim për ngjarjen, pasi është në gjendje kome në Spitalin Ushtarak, ku mbahet në reanimacion nën kujdesin e mjekëve.                          ar.ba

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura