Në Spanjë, nën presionin e protestave masive kundër papunësisë së lartë dhe politikës së kursimeve të qeverisë, zhvillohen zgjedhjet për parlamentet rajonale dhe qeverisjen lokale. Ato konsiderohen si test për qeverinë socialiste të kryeministrit Jose Luis Rodriguez Zapatero, i cili sipas anketimeve duhet të llogarisë një humbje elektorale. Partia Popullore konservatore mund të shpresojë për një fitore, parashikojnë anketimet e fundit. Pavarësisht nga ndalimi zyrtarisht i demonstratave, të shtunën në mbrëmje mijëra qytetarë u grumbulluan kryesisht në Madrid, Barcelonë dhe Valencia për të kërkuar reforma politike dhe sociale. Sipas të dhënave të lëvizjes së protestës “Demokraci e vërtetë tani”, demonstratat u zhvilluan në mënyrë paqësore. Qeveria socialiste e kryeministrit José Luis Rodriguez Zapatero dëshironte ndalimin e organizimit të demonstratave, por jo duke përdorur dhunën e policisë. Në solidarizim me të ashtuquajturën “Pranvera spanjolle”, këtë të diel në shumë vende ka një sërë aktivitetesh në formë protestash, ndër to edhe në Gjermani.











