Nëse pak vite më parë Dritëro Agollit i duhet të pyeste këdo që i shkonte për të uruar në shtëpi, “Ç’bëhet jashtë? A e kanë zbukuruar ndopak qytetin”, këtë vit nuk ka nevojë sepse kanë buçitur aq shumë televizionet për pamjen e ndryshme që ka marrë Tirana në prag ndërrim viti, ndryshe nga kohët e shkuara. Domosdo, edhe vizitorët e panumërt që e kanë vizituar shtëpinë e tij ia kanë përcjellë këtë atmosferë. Ai vetë nuk lëviz nga kolltuku i tij i preferuar, për ta vëzhguar qytetin vetëm nga dritarja e për ta veshur pamjen me kujtime të largëta. “Në kohën tonë, edhe në fshat, ku nuk kishte asgjë, kujtoj që vinim gramafonin vetëm për të krijuar një atmosferë ndryshe, për t’u gëzuar”, psherëtin sa herë e sheh të ftohtë e të zbrazët atmosferën. Por ky efekt kujtimesh nuk zgjat shumë, sepse ndryshe nga ç’mund të bëhet jashtë, me ritëm feste një vit jo e një vit po, në shtëpinë e tij, qysh se e mban mend, është ndier kur trokisnin festat. Shtëpia është zbukuruar gjithandej. Përveç pemës që zë gjithnjë këndin e saj, edhe muret e shtëpisë janë të dekoruara me drita e me zbukurime të vogla.
Vit pas viti, gjyshi dhe gjyshja, po sidomos ai i pari, u bëjnë nga një lojë të vogël fëmijëve, nipërve e mbesave që presin domosdo dhuratat, si përherë (madje bujari nuk mendon vetëm për ta, kujdeset që të sajdisë edhe të birin e mirëmbajtëses së pallatit për t’ia ndryshuar sadopak humorin). Herë mendonte t’u blinte ndonjë dhuratë përpara se t’ua kishte blerë mendjen se ç’dëshira kishin, herë u bënte gati zarfet për t’jua dhënë përpara Krishtlindjeve, në mënyrë që ata të bënin me to ç’të donin vetë. E sigurt është që dhjetori shkon me mendime vetëm për fëmijët prej të dy gjyshërve. Këto vitet e fundit madje, e ka ‘lëshuar’ pak më tepër dorën brenda zarfit. Dhe nuk priten të lihen poshtë bredhit. E merr secili buzagaz në dorë, për të vrapuar në dyqanin për të cilin ka menduar gjithë muajt e fundit.
Kështu ka qenë gjithmonë. Jo vetëm tani që shtëpia është e madhe e me shtatë pjesëtarë, por edhe 30 vite më parë, kur vetëm ata të dy, çifti i ri, sapo kishin futur këmbët në apartamentin në qendër të Tiranës (vazhdon të jetë po ai). Pema
zbukurohej aty ku është sot, në qoshen pranë dritares, aty pranë telefonit fiks, ku atij vetë i është dashur të rrijë sa e sa herë për t’iu përgjigjur pyetjeve pa fund të gazetarëve. Sapo afron data 15 dhjetor, vetvetiu, të gjithë pjesëtarët e familjes impenjohen për t’i dhuruar vetes e njëri-tjetrit një atmosferë ndryshe të shtëpisë. Sepse përpara, nuk kanë vetëm Krishtlindjet e Vitin e Ri, por edhe ditëlindjen e Drisartës, të voglës së gjyshërve që vetëm tri ditë më parë bëri 11 vjeç. Duke qenë e privilegjuara e dhjetorit (apo e dhjetorëve), Drisartës i bëhet më shumë qejfi, edhe dhuratat i janë zbuluar përpara të tjerëve. Ca sepse si më e vogla e derës nuk ka durimin e më të rriturve, por ca edhe sepse as gjyshit nuk i pritet derisa t’ia shohë buzëqeshjen e madhe. Përpiqet që te ajo të zbulojë gjithnjë talentet e çfarëdo fushe. Për shembull, sapo ta dëgjojë të këndojë, pra të tregojë interes ndaj muzikës, shkon e i blen piano.
“Kur ua lëmë atyre të zgjedhin vetë se ç’duan të kenë për festa, jua japim ato që kemi menduar pak më parë. Kështu që kanë mundësi të mendohen pesë ditë për atë që kanë do të marrin”.
Ama toleranca nuk kanë vetëm të vegjlit. Po aq përkushtim tregojnë edhe për më të madhen, Anën, që studion në Paris. Malli për të i lexohet në rrudha sapo i përmendet emri. Ata të dy, sikur Ana, e presin gjithnjë me padurim ardhjen e saj. Sa më shumë të nxitojë, aq më mirë për ta. Kështu, të gjithë bashkë do të shijojnë gëzimin e asaj shtëpie që nuk di të mbyllet kurrë.
Të dy ata, Dritëroi e Sadija, i pari i ulur në kolltukun e tij pranë tryezës së rrumbullakët gjithnjë me libra e me gotën e rakisë përpara, ndërsa tjetra gjithnjë në këmbë për t’i sajdisur të gjithë (sikur të mos kishte edhe ajo vitet e saj), presin e përcjellin të gjithë. Miq të rinj e të vjetër. Sa herë e keni parë edhe ju në raste përvjetorësh, përmes ekranit, kur shkojnë e i takojnë në shtëpi, ku radha për t’i dhënë dorën nuk kuadratohet dot nga kamera.
Tek flet, ndodh që të nxehet a shpërqendrohet me telekomandën e televizorit në dorë, për shkak të debateve të ndryshme politike që dëgjon. E nxjerr dufin, thotë çka për të thënë e sërish i rikthehesh festës, atmosferës, e cila nuk mund të mendohet për të pa gotën e rakisë përpara. Aq mirë e dinë këtë miqtë e tij, saqë thuajse të gjithë nuk e kalojnë pragun e derës pa marrë një shishe raki të mirë me vete. Libri pa dyshim është një tjetër dhuratë e shtrenjtë. Të dyja këto vijnë e vijnë deri andej nga mesi i janarit. Është radha e Majlindës, nuses së djalit, Artanit, do t’i duhet të heqë zbukurimet e dritat me ngjyra të pemës, edhe pse askush nuk e mohon që e kanë ngrohur shumë atë shtëpi.
Pështjellimet e fundvitit
Dera e telefoni i tyre i shtëpisë nuk pushon asnjëherë. Sadija është përherë e gatshme t’u përgjigjet thuajse të gjithëve, sado që për takime e pyetje të gjata, si Dritëroi, si ajo, nuk janë më në gjendje. Sidomos tani, në dhjetor, kur ca për shkak të moshës e ca për shkak të ngacmimeve të tjera të jashtme, ndjeshmëritë bëhen më delikate. “E gjejmë shpesh veten të na ketë kapur trishtimi. Jemi ngujuar në shtëpi, nuk kemi më mundësi fizike për të lëvizur. E sikur të mos mjaftonte, në fundvit, sa herë që marrim bllokun e telefonit për të kujtuar e uruar miqtë tanë të rinj e të vjetër, shohim që shumë prej tyre nuk jetojnë më. Sa emrave u duhet vënë kryq nga ai bllok i vjetër…!”. Domosdo që miqtë e munguar, dikur një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së tyre, ngacmojnë kujtimet e atyre të dyve, nisin e bëhen nostalgjikë. Të mos ishte për zhurmën e nipërve e mbesave, që ashtu energjikë siç janë hyjnë e dalin zhurmshëm nëpër shtëpi, malli do të ndihej edhe më shumë. “U bënë vite që nuk dalim për Vit të Ri. Qysh kur unë kam qenë 50 vjeçe e Dritëroi 60. Asokohe dilnim gjithnjë pas mesnate e takonim miqtë, për të cilët ju thashë më parë”. Tani mund të shijojnë veç vizitat e urimet përmes të gjitha mjeteve. Veçse, këtë vit, edhe në këtë aspekt, diçka ka ndryshuar. “Ju e merrni me mend se sa shumë kartolina na vijnë, gjithnjë, çdo vit u jemi përgjigjur të gjithave. Në ditët përpara ndërrimit të viteve, Dritëroi ulej e i shkruante kartolinat një e nga një. Këtë vit nuk mund ta përballojë më. Dridhja e dorës nuk e lejon më të shkruajë, për më tepër aq shumë. Prandaj, menduam që këtë vit t’i porosisnim kartolinat e shtypura. Sot na erdhi një kartolinë prej ambasadorit amerikan, Arvizusë, dhe i kthyem një prej tyre”.
Festat kanë nisur që në tetor
Tetorin që sapo lamë pas, në ditën e 13-të të tij, Dritëro Agolli festoi 80-vjetorin. Mediat e përcollën një pjesë të atmosferës që u krijua në atë shtëpi të atyre ditëve. Kush e kush të shkonte për t’i dhënë dorën, për ta përshëndetur e uruar. Ama pjesën tjetër ju nuk e keni parë. Nuk i keni parë të gjitha ato shishe vere, të huaja e të vendit, që i vinin shkrimtarit bashkë me urimet. Domosdo, si dashamirës i tyre, nuk mund t’i linte pa provuar. Shishet janë hapur njëra pas tjetrës për të ngritur dollitë e asaj dite, por meqenëse ishin shumë, kanë mundur të rezistojnë deri tani. Pra, njëfarësoj, prej dy muajsh në shtëpinë Agolli është festë. Me të përfunduar vizitat e ditëlindjes erdhi ditëlindja e Drisartës, pastaj festat e kështu me radhë. Për këtë vit, vera ishte e siguruar. Sa për ushqimin, me të cilin merret Majlinda, i preferuari i tyre, që është gjendur përherë mbi tryezë, është gjeli i detit. Por ka një ndryshim! Gjelin nuk e bëjnë me përsheshin, me të cilin jemi mësuar (sipas traditës së disa zonave kryesisht nga Jugu), por me petanik. Jo se të dy ata konsumojnë aq shumë, ama nuk e lënë pa e provuar edhe shijen ndryshe.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











