“Në rrugëtimin e jetës së tij i provoi të gjitha!”- Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, Majko: Doli nga pushteti me titullin ‘njeri’!

Oct 31, 2025 | 18:19

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka reaguar me një mesazh të ndjerë pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS-së, Fatos Nano.

fatos nano

Në një postim në rrjete sociale, Majko thekson se Nano ishte një njeri që nuk tentoi t’i shpëtonte asaj që ishte dhe i provoi të gjitha.

“Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte! Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri”, shkruan Majko.

Në vijim të reagimit, Majko vlerëson se Nano do të mbahet mend për “rregullat që theu” dhe për faktin se nuk i përkiste kategorisë së politikanëve që mbështeten nga servilizmi.

“Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi!
Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim!
Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori”, shprehet ish-deputeti socialist.

Reagimi i Pandeli Majkos:

Fatos Nano ka ndërruar jetë!…

Përpara se të ishte drejtues i Partisë Socialiste, Fatosi, ishte djali i Maries dhe i Thanasit! Ai ishte një vlla i mirë dhe prind i dhimbsur!

Në politikë, Fatos Nano nuk tentoi ti shpëtonte asaj që ishte!

Si çdo njeri me pushtet, ai kërkoi nga jeta gjëra që nuk janë në “menu”! Në rrugëtimin e jetës së tij, ai i provoi të gjitha, ku burgosja si drejtues i PS në opozitë, ishte momenti më i vështirë, por edhe më i lartë i veprimtarisë së tij si politikan dhe njeri!

Në politikë, pushteti është i shpërndarë mes njerzve që e meritojnë dhe njerzve që e adhurojnë! Fatosi do mbahet mend për rregullat që theu! Ai ishte produkt i kohës që jetoi!

Në konkluzionin njerëzor të jetës, të gjithë dështojnë të jenë ata që duan! Ndaj çdo njeri nuk mund të gjykohet vetëm nga gabimet që ka bërë! Fatosi nuk ishte një përjashtim!

Historia ka plot politikanë që do të mbahen mend nga servilët e tyre! Fatosi nuk ishte kjo kategori!

Kundërshtarët e tij, mund të mbështeteshin tek ai për të vepruar me dinjitet.

Pushteti, është shfaqja më e vjetër, por edhe irracionale e natyrës njerëzore. Fatosi doli prej saj me titullin “njeri”!

Djali i Maries dhe i Thanasit nuk është më! U end pak kohë, midis dy botëve, duke bërë “negociatën” e fundit! Beteja e fundit midis “kush je” me “çfarë je”!

Dheu i lehtë Fatos! Qofsh i parajsës!

© Panorama.al

Te lidhura