
Policia Bashkiake e Tiranës kallëzoi dje penalisht dy ish-inspektore të Bashkisë së Tiranës në Drejtorinë e Tatim-Taksave për sulm verbal, për kundërshtim në krye të detyrës, si dhe për kërcënim. Dy ish-inspektoret kanë qenë në punë në momentin që ato kanë filmuar momentin e shkëmbimit të fjalëve, ndonëse u ishte kërkuar të largoheshin nga godina. “Ambientet e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës menaxhohen nga ana e sigurisë nga Policia Bashkiake. Policia Bashkiake, duke kryer sot detyrën, u përball me një sulm të ashpër të Çobanit dhe Duros, të cilat ushtruan edhe dhunë. Pas kësaj, Policia Bashkiake bëri kallëzim penal ndaj tyre. Çobani dhe Duro prej ditësh dhunojnë institucionin e Drejtorisë së Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, duke mos lejuar funksionimin normal të kësaj zyre. Çobani dhe Duro, prej ditësh, fyejnë dhe kërcënojnë brenda zyrave të Tatim-Taksave, duke e bërë punën të pamundur. Në këtë situatë, drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake për të larguar nga ambientet e punës dy punonjëset e lajmëruara për largim nga detyra”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë Bashkiake. Më tej në këtë njoftim theksohet se punonjësit janë paralajmëruar për largim nga puna. Por, një reagim erdhi pasdite edhe nga dy inspektoret e Tatim-Taksave që akuzojnë kreun e Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. “Për vërtetimin e fakteve të parashtruara, kërkoj nga organi i ndjekjes penale marrjen e provave si deklarimet e personave të pranishëm në ngjarje, si dhe marrjen e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e institucionit, pasi të gjitha ambientet janë të monitoruara me sistem kamerash”, thuhet në kallëzimin e inspektores Anila Çobani, të shpërndarë nga Partia Socialiste. Të njëjtin kallëzim ka bërë edhe inspektorja tjetër, e cila shprehet se ka qenë dëshmitare. Te kjo drejtori kanë shkuar edhe disa këshilltarë të majtë në Këshillin Bashkiak të drejtuar nga Aldrin Dalipi. Ai u shpreh se do të kërkojë seancë speciale në Këshillin Bashkiak.











