“Në një vend, politikanët e ordinerët…”- Shkrimi më 1929 për gjendjen e burgjeve, që gazetarit Haki Stërmilli i kushtoi 5 vite burg, dënimi nga Mbreti Zog

May 20, 2025 | 13:59

Haki Stermilli lindi para 130 vitesh në Dibër, pikërisht më 17 maj të vitit 1895. Ai ishte shkrimtar, gazetar, kryetar i shërbimit sekret shqiptar në vitet 1923-’24 me dekret të Ahmet Zogu, partizan në Luftën e Dytë Botërore, anëtar i KANÇ-it, përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Popullor dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

haki stermilli

Haki Stërmilli vinte nga një familje e madhe, por aspak konservatore. Ai njihet si demokrat për shkak të qëndrimeve të tij të shprehura haptazi si për çështjet e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve, ashtu edhe për të drejtat e gruas në shoqëri. Lidhja me letërsinë e shenjon në histori edhe si drejtor të Bibliotekës Kombëtare. Libri me të cilin u bë i njohur ishte “Sikur të isha djalë”, por ai shkroi edhe romanet “Burgu”, “Dashuni e besnikëri”, “Dibranja e mjerueshme” “Agimi i lumnueshëm”, “Kalorësi e Skënderbeut” e të tjerë.

Në shtyp dhe botime mbajti qëndrime lidhur me të drejtat e shqiptarëve andej kufirit, republikanizmit dhe të drejtave të femrave. Në shkrimet e tij ai trajtoi tema me të drejtat e shqiptarëve të ngelur jashtë kufijve të shtetit shqiptar, republikanizmit dhe të drejtave të femrave. Stërmilli ishte autor i tre romaneve, mbi 30 tregimeve të shkurtëra, pesë pjesëve teatrale, dy ditarëve dhe disa duzina artikuj publicistikë. Vepra e tij më e njohur është “Sikur t’isha djalë”, të cilin e shkroi 1936. Veprat tjera të tij ishin “Dibranja e mjerueshme” (1923), “Dashuni e besnikri” (1923), “Agimi i lumnueshëm” (1924), “Burgu” (1935), “Sikur t’isha djalë” (1936), “Fyelli i Dibrës” përmbledhje që u botua në serinë “Visaret e Kombit” (1944), “Trashëgimtarët tanë” (1950) ndërsa pas vdekjes u botuan ditari “Shtigjet e lirisë” (1966) dhe “Kalorësi e Skënderbeut” (1968).

KRIJIMTARIA

Romani “Sikur të isha djalë” është ndoshta i vetmi roman “më i shitur” me ribotimet periodike nëpër vite. Romani është një apoteozë e fuqishme artistike për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti. Ai zgjoi kërshëri dhe luajti një rol të pazëvendësueshëm në masën e lexuesve në të gjitha trevat shqiptare. Në vitet ’30, në vitet ’50 dhe deri në dhjetëvjeçarin e parë të shek. 21, romani ka njohur mbi 12 ribotime: në Tiranë, Prishtinë e Shkup, duke shënuar një rekord të paarritshëm në historinë e letrave shqiptare. Romani “vë gishtin” në një lëmi të ndjeshme në jetën shoqërore shqiptare – tragjizmin e jetës së femrës. Ai vdiq në Tiranë më 17 janar 1953. Romani “Sikur të isha djalë” ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë. Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija.

Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale. Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjeve të egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj. Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithëse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të.

Nga njëra anë dashuria e saj bëhet tepër dramatike për shkak të fanatizmit të egër, izolimit brenda mureve të shtëpisë, nga ana tjetër , mungesa e ndonjë shprese se mund të bashkohej ndonjëherë me Shpendin në kushtet kur për gjithçka duhet të vendoste i ati, i cili as që mendon se vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi i tij për ta martuar Dijen me një burrë të moshuar, sepse është tregtar i pasur, e shkatërron përfundimisht jetën e saj. Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare. Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve.

Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve `20-`30 si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale. Haki Stërmilli zë një vend të nderuar në historinë e letërsisë sonë, me kontributet ë çmuara që ka dhënë në fushën e prozës, dramaturgjisë, letërsisë dokumentare etj. Por ajo që ngre vlerën e personalitetit të tij është dhe aktivizimi i shkrimtarit në lëvizjet politike dhe revolucionare për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ai është pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të historisë së re shqiptare dhe kjo gjen shprehjen e saj në autobiografinë e tij që po i paraqesim lexuesve.

VEPRIMTARIA

Pasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve, Hakiu u vendos në Shqipëri dhe nisi punë si pjesë e administratës shqiptare. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit, e gjithashtu mësues personal i motrave Zogolli. Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922 Zogolli i propozoi Kryeministrisë emrin e Hakiut për sekretar të shifrës. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti Zogolli ministër e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Lartë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Hakiu qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogollit dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.

Pas Lëvizjes së qershorit, Hakiu merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Ll. Fundo kryetar. Me rikthimin e Zogollit dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha.

Në autobiografinë e tij ku Gazeta Panorama boton një pjesë të saj, Haki Stërmilli para se të ndërronte jetë tregonte njohjen me mbretin Zog dhe si përfunduan në dy armiq të betuar. “Me Ahmet Zogun, qysh kur isha në Mat, isha miqësue dhe ai tregohesh mirënjoftës kundrejt meje, për shkak se i kisha marë të motrat dhe ia kisha mbajt familjen kur ai ndodhesh jashtë Shqipërisë. Por kjo miqësi nisi me u trondit kur fillova me i diktue intrigat e tij që e çuen në tradhti. Vrasja e amerikanëve me shtytjen e tij, politika e tij pro jugosllave e shumë të tjera, më ban me i shkëput përgjithmonë lidhjet e mia miqësore dhe me u radhit në anën e kundërshtarëve të tij. Vjehrri i tij Sh. Verlaci, kur u ba Ministër i Brendshëm më 1924 që të merrte hakun e dhëndrit dhe të vetin, më transferoi në zyrën e shtypit me degradim. Unë dhashë dorëhekjen dhe zuna me shitë cigare. Duhet vu në dukë se grindja eme me Ah. Zogun pat fillue prej kohësh, qysh ahere kur unë isha ba anëtar i shoq. “Bashkimi” dhe ma vonë isha zgjedhë Sekretar i Përgjithshëm i kësaj shoqërie. Agjitacioni i Avni Rustemit m’i pat hapë sytë dhe pat ba efekt në mue. E kur u vra Avniu, më 22 prill 1924, e demaskova Zogun si kriminel e tradhtar dhe gjithë bejlerët, agallarët e pashallarët si të rrezikshëm për Atdheun. Me rasën e varrimit të A. Rustemit, shkova në Vlorë. Mora pjesë në revolucionin e qershorit dhe u ktheva në Tiranë me armë në dorë. Nuk mora nëpunësi në qeverinë e F. Nolit, për shkak se Ministri i Mbrojtjes. i asaj kohe Rexhep Shala më propozoi me shkue nënprefekt në ndonjë vend që të më pëlqente. Por kur unë nuk pranova me dal jashtë Tiranës, desh me më krijue nji nëpunësi speciale për mue , pa mendue se në këtë mënyrë do të randohesh populli me taks. Ky propozim më zemëroi. Prandaj bana një banak dhe përsëri nisa me shitë cigare.

Në gusht 1924, kur u ba Kongresi i Bashkimit, përsëri u zgjodha Sekretar i Përgj. i shoqërisë Bashkimi. Kur u zhvillue gjyqi në gjykatën politike, mbas revolucionit të qershorit, kundër Ah. Zogut, unë me cilësinë time si sekretar i përgjithshëm i shoqërisë “Bashkimi” e padita si shtytës në vrasjen e Avniut dhe kërkova damshpërblim për shoqërinë. N’anën tjetër e padita për llogarinë teme dhe kërkova damshpërblim. Gjithashtu e padita në gjyqin që u zhvillue për vrasjen e amerikanëve dhe hudha dritë në rrjedhjen e ngjarjes që deri atëhere kishte mbetë e errët” thuhet në autobigrafinë e Strëmillit. Au ka treguar më tej jetën në mërgim dhe rikthimin në atdhe. “Këtu duhet shënue se gjatë emigracionit tem jashtë atdheut luftova me çdo mjet kundër A. Zogut dhe regjimit të tij, kundër fashizmit italian që po penetronte në Shqipëri politikisht dhe ekonomikisht, kundër organizatës Bashkimi Kombëtar që bante akrobacina politike në dam të atdheut tonë dhe mbrojta vijën e drejtë të Komitetit të “Konares”, ku unë bajsha pjesë qysh në krijimin e saj.

Në mars të vitit 1929 më arrestuan jugosllavët dhe tue me trajtue si nji kriminel të rrezikëshëm, më përcollën dhe më dorzuen në Shqipni, ku u ndëshkova me pesë vjet burg si kundërshtar i Zogut dhe regjimit të tij. Këtë dënim e vuejta gati të gjithë, pse u lirova vetëm tre muej para se ta mbush kohën pesë vjeçare. Edhe në burg nuk më lanë të qetë dhe disa herë m’u banë kërcënime. Mbas arrestimit tem prej jugosllavëve dhe dorëzimit në Shqipëri, mora vesht ma vonë se personalitete të shquara të botës përparimtare si H. Barbys, Gj. Dimitrov, A. Ejnshtejn e të tjerë protestuan pranë fuqive të mëdha e qeverisë jugosllave për këtë akt arbitrar të qeverisë jugosllave që ishte në kundërshtim flagrant me të Drejtën ndërkombëtare dhe kërkuan nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve shpëtimin e sigurimin e jetës seme”, është shprehur shkrimtari.

DËNIMI

Më 6 gusht 1929 u dënua me 5 vjet burgim se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar mbretit për amnisti, falet dhe lirohet. Gazetari Haki Stërmilli, i njohur për librin ‘Sikur të isha djalë” vuajti për shumë 5 vite dënimin në burgjet shqiptare, pasi foli kundër regjimit të mbretit Zog.

Në drejtorinë e Burgjeve në Tiranë, qëndron dhe një nga shkrimet e Stërmillit lidhur me situatën në burgje. Stërmilli e përshkruan burgun si një shkollë ku vuajnë dënimin disa kategori të dënuarish, nga vrasësit tek më ordinerët. “Është si një kështjellë e arkitekturës moderne që nuk është i përshtatshëm për burg pasi nuk është ndërtuar sipas dispozitave ligjore. P.sh. këtu rrinë fajtorët politikë bashkë me ata ordinerë, vrasësi me hajdutin, debitori me falsifikatorin, plaku me të riun, etj. Për këtë shkak, burgu është bërë si njëfarë shkolle ku mësohet kriminaliteti e jo si një institucion ku shtypet e zhduket ky ves i ligë”, -shkruante Stërmilli. Pas lirimit Haki Stërmilli hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM. Shkruan më 6 prill 1939 poezinë Ti leve o yll përkushtuar princit Leka. Mbas pushtimit të Italisë gazeta “Fashizmi në listat e gjata botonte me nr. 44 edhe anëtarësimi e Haki Stërmillit në Partinë Fashiste, në të njëjtën ditë kur ishte anëtarësuar M. Kruja, B. Valteri, etj. Për Stërmillin shënohej se “merrej me punë private”. Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë.

Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist të Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. Vdiq më 17 janar 1953 i sëmurë pas një lëngate të gjatë, duke qenë edhe deputet i Rrethit të Peshkopisë në Kuvendin Popullor, zëvendësuar prej Jashar Menzelxhiu.

ANGAZHIMET

Jeta e Haki Stërmillit kalon nëpër disa etapa të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes, shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, vitet 20 të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar, mërgimi politik, koha e monarkisë, pjesëmarrja aktive në Luftën Nacionalçlirimtare e deri në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe kontributi i tij në ngritjen e shtetit popullor dhe hapat e para të letërsisë së re.

Ai pati një veprimtarinë politiko-shoqërore dhe letrare, por dhe për zigzaget e jetës së tij, pa lënë anash dhe gabimet njerëzore dhe social-politike që e kanë karakterizuar në kontekstin e realitetit të vështirë shqiptar. Por s’ka dyshim që Haki Stërmilli mbetet një nga figurat shembullore e patriotit dhe demokratit, e shkrimtarit dhe intelektualit popullor. Pakkush e njeh rolin e tij si kryetar i shërbimit sekret shqiptar, në vitet 1923-1024, shërbim i cili në ato kohë njihej si “Sekretaria Sekrete”. Më 31 korrik 1943 u hodh në ilegalitet me urdhër të P.K.Sh. dhe qëndrova jashtë deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Në Mukaj mori pjesë si përfaqësues i Frontit Nacional çlirimtar. Bëri pjesë në çetën partizane të Sllovës në Dibër. Mbas kapitullimit të Italisë fashiste u zgjodh Kryetar i Këshillit Nacional çlirimtar të Peshkopisë dhe më vonë të Dibrës së Madhe. Në Konferencën e Labinotit u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nac. çl. Në shtator 1944, kur erdhën në Dibër forcat Divizionit të I rë S.

U zgjodh n/kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Peshkopisë. Mori pjesë në Kongresin e Beratit, ku u zgjodh qeveria dhe u dhanë vendime me rëndësi. Më 1945 u zgjodh Kryetar i Frontit Nac. çl. të Prefekturës së Peshkopisë dhe iu ngarkua detyra e përgjegjësit të shëndetësisë në prefekturë. Më vonë u zgjodh dhe kryetar i Kryqit të Kuq në qark. Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, u zgjodh asamblist i prefekturës së Peshkopisë dhe sot jam deputet. Në tetor 1946 u transferua në Tiranë, ku u emërua Drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Si shkrimtar bënte pjesë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë duke botuar gjashtë vepra, nji numër novelash e artikujsh. Haki Stërmilli është dekorue me Urdhrin e Flamurit dhe Medaljen e Kujtimit. Më 22 tetor 1949 u transferua dhe u emërua Drejtor i Muzeumit të Luftës Nacionalçlirimtare. “Nuk kam as shtëpi, as tokë, as dhe ndonji pasuni. Gjatë jetës seme luftova për nji atdhe të lirë dhe për nji drejtësi shëmbëllore. Për këtë shkak vuejta mjaftë. Disa herë u përkula, pse nuk qeshë aq i fortë dhe disa herë bana gabime pse vija e eme nuk ishte e sqaruese.”/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura