TIRANE – Ylli Mansaku, 53-vjeçari që ekzekutoi me shtatë plumba bashkëshorten mbrëmjen e së hënës, ka qëndruar 24 orë brenda shtëpisë bashkë me kufomën e së shoqes, Shpresa Mansaku. Policia e Tiranës konfirmoi dje se krimi në familje ka ndodhur në banesën e çiftit Mansaku, në fshatin Zhur të Ndroqit, dhe autori i krimit ka qenë në gjendje të dehur. Ai ka pohuar dje para oficerëve të Policisë Gjyqësore se kur ka shkrepur armën, ka qenë nën efektin e alkoolit dhe nuk mban mend asgjë se çfarë ka ndodhur. Ndërsa pasi ka vrarë të shoqen, ai është shtrirë dhe e ka zënë gjumi, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi bashkë me gruan e pajetë. Policia ka marrë në pyetje fqinjët e familjes ku ndodhi krimi, të cilët kanë pohuar se kanë dëgjuar të shtënat mbrëmjen e së hënës, por sipas tyre, krismat ishin kthyer në një ngjarje të zakonshme për ta. Gjithashtu ata kanë pohuar se shtëpia e Ylli Mansakut, i cili njihej në fshat si person që pinte shumë alkool, ishte e veçuar në një kodër dhe banorët e tjerë të fshatit nuk kishin ndërtuar ndonjë marrëdhënie të ngushtë me ta. Për këtë arsye, banorët nuk kanë lajmëruar policinë natën që ndodhi krimi, duke menduar se krismat ishin fenomeni që ndodhte çdo natë në shtëpinë e Ylli Mansakut. Nga ana tjetër, vajza e çiftit ka pohuar në polici se i ati e ka marrë atë natë në telefon duke i thënë që e kishte vrarë nënën e saj, por ajo nuk e ka marrë seriozisht, duke qenë se ai fliste shpesh me këtë gjuhë kur ishte i pirë. Por ka nisur të shqetësohet kur nëna e saj, Shpresa Mansaku, nuk po u përgjigjej telefonatave as të nesërmen.











