“Në Kuvend u bë hipokrizi me Bordin e Paqes”- Haxhinasto: Rama ka probleme në SHBA! Bëri gabim që nuk shkoi në Davos dhe priti vajzën e Trump, por…!

Jan 23, 2026 | 15:55

Ish-ministri i jashtëm, Edmond Haxhinasto, analizoi ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën, teksa u shpreh se seanca e Kuvendit dje kishte nota hipokrizie dhe u përpoq të ekzagjërohej dhe përdorej nga mazhoranca, kur nuk ishte nevoja.

haxhinasto

Deputeti i Partisë së Lirisë nënvizoi se kryeministri bëri gabim që nuk shkoi në Davos për të nënshkruar Bordin sikurse bënë shumë liderë të tjerë, por priti vajzën e presidentit Trump në Vlorë dhe Tiranë, më tej duke e përdorur edhe politikisht në Parlament të enjten.

Por ai argumentoi se shkak i mosvajtjes ishte pamundësia dhe jo respekti ndaj vajzës së Trump apo leja që mori për të mos shkuar, por me kalimin e kohës, nënvizoi se të vërtetat e mëdha për këtë rast do të zbuloheshin.

Sipas tij, Rama ka probleme në SHBA, pasi edhe deklaratat zyrtare nga Amerika lidhen me korrupsionin në nivel të lartë, krimin e organizuar dhe korrupsionin, ku aktualisht numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, është e pandehur nga SPAK.

“Disa vende e panë Bordin e Paqes si rival të OKB. Nuk janë të gjitha vendet pjesë e tij. Pjesëmarrja është 3 vjeçare, paguhen 1 mld dollarë. Ai që drejton dhe firmos është presidenti Donald Trump. Prespektiva duhet parë me kujdes nga të gjitha vendet, përfshi edhe Shqipërinë. Shumë vende i referohen edhe mandatit të presidentit Trump, që ka edhe tre vite për të qëndruar në detyrë. Por unë mendoj se Bordi do të vijojë edhe më tej. Nuk dua t’i paragjykoj vendet që do angazhohen, por Kosova padyshim është vend që kontribuon për paqen, ka arritur pjekurinë e duhur, aftësinë dhe kapacitetet për t’u angazhuar. Pjesëmarrja e Kosovës dhe Shqipërisë është shumë pozitive sepse faktori shqiptar është perceptuar dhe formuar aktivitetin e tij politik, por edhe për të kontribuar për paqen”, shpjegoi ligjvënësi funksionimin e Bordit për “News 24”.

Dhe më tej analizoi atë që ndodhi dje në Kuvend, duke denoncuar mazhorancën për ekzagjërimet dhe notat e hipokrizisë me ftesën e Trump.

“U bënë përpjekje të panevojshme, të ekzagjëruara dje në Parlament, pasi dihet se Shqipëria është vend aleat i SHBA dhe SHBA ka mbështetur dhe mbështet vendin tonë. Ne kemi qenë në mbështetje të vazhdueshme të iniciativave amerikane në Shqipëri dhe rajon. Ndaj ishte e panevojshme përdorimi për Bordin e Paqes, është e ekzagjëruar, Shqipëria është aty, Kosova është aty, nuk është rasti i parë. Kujtojmë se Shqipëria u rreshtua me koalicionin e të gatshmëve në Irak, pra jemi rreshtuar gjithmonë në krah të paqes.  Ndaj retorika e tillë është e panevojshme dhe nxjerr hipokrizinë e atyre që e paraqesin. Nuk ka pse kryeministri vendos emrin e tij në listë, sepse ftesa është për Republikën e Shqipërisë. Ftesa është mbi bazat e asaj që përfaqëson, kontributet nuk janë personale por të shtetit shqiptar”, tha ai.

Deputeti i PL, njëkohësisht ish-ministër në qeverinë “Berisha”, tha gjithashtu se kryeministri ka probleme me SHBA-të dhe ftesën e Bordit të Paqes po e shet si personale, por ajo në fakt është për Shqipërinë si shtet dhe për institucionin, jo individuale.

“Rama ka probleme në SHBA he ne e dimë shumë mirë për problemet e tij atje, si rasti McGonigal, çështja që po hetohet. Kujtojmë edhe deklaratat zyrtare të SHBA-ve kohët e fundit, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, kartelet e drogës dhe korrupsionit dhe Shqipëria merr komente negative atje. Shqipëria duhet të ketë stabilitet të qëndrueshëm dhe kjo arrihet me luftë ndaj korrupsionit dhe krimit. Shqetësim është korrupsioni në nivelin e lartë, që citohet tekstualisht nga SHBA zyrtarisht dhe dimë rastet e zv/kryeministres dhe zyrtarëve të tjerë aktualisht. Dhe këto janë gjëra të rëndësishme. Shqipëria ka pasur problematikë shumë të lartë si në SHBA ashtu edhe në Evropë, në BE. SHBA janë të qartë për Shqipërinë dhe rajonin, ndaj çdo ekzaltim dhe përpjekje për të mbuluar problematikën amerikane me batuta, nuk ndihmon njeri”, komentoi ai.

Haxhinasto dha edhe mendimin personal për zgjedhjen që bëri Rama, duke hedhur dyshime se pas mosvajtjes në Davos nuk fshihet mikpritja për Ivanka Trump, por diçka tjetër.

“Për mendimin tim ishte e gabuar që të presësh vajzën e presidentit Trump dhe të mos shkosh në Forumin e Davosit për të nënshkruar. Unë i referohem gjërave që janë publike, dhe se si mendoj se duhet të jenë, por shumë shpejt ato gjëra do të merren vesh, nëse ishte i ftuar atje apo jo dhe nëse ky ishte shkaku që nuk shkoi në Davos”, tha ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura