
Një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror është goditur në kokë dhe ndodhet në gjendje kome në Spitalin Ushtarak, pas një incidenti ende të paqartë brenda rrethimit të SHISH. Ai është gjetur pa ndjenja nga kolegët e tij pasditen e së shtunës, në parkingun e brendshëm të SHISH-it, në Tiranë. Fillimisht për ngjarjen janë lajmëruar familjarët e të plagosurit, të cilët e kanë dërguar në shtëpi, duke shpresuar se do të përmendej, por më pas kanë lajmëruar një mjek, i cili kur ka parë gjendjen e tij ka kërkuar transportimin me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Edhe pas ndërhyrjes së specializuar mjekësore, 42-vjeçari, baba i dy fëmijëve, vazhdon të mbetet në koma në reanimacionin e spitalit dhe sipas mjekëve, gjendja e tij paraqitet e rëndë. Në një kohë që familjarët nuk kanë preferuar ta denoncojnë ngjarjen në polici, ka qenë personeli i Spitalit Ushtarak që ka lajmëruar Komisariatin Nr.2 për plagosjen, duke qenë se ai është banor në territorin që mbulon ky rajon policie. Për shkak të detyrës së tij dhe institucionit ku punon, policia nuk bëri të ditur emrin e të dëmtuarit, edhe me arsyetimin që familjarët nuk kanë bërë kallëzim. Nga ana tjetër, edhe të afërmit e tij shpjeguan se ngjarja nuk ka të bëjë me detyrën, por siç thanë ata “është një problem personal i tij”.
PUNONJESI I SHISH
Prej rreth 48 orësh, një punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror ndodhet në gjendje kome në reanimacionin e Spitalit Ushtarak, në Tiranë. Ai është gjetur pa ndjenja dhe me një plagë të rëndë në kokë në parkingun e brendshëm të SHISH, në rrethana ende të paqarta. Pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në shtëpi, mjeku i familjes u ka kërkuar të afërmve që ta dërgonin me urgjencë në spital, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte mjaft e rëndë. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe mjekët e Spitalit Ushtarak, të cilët thanë se 42-vjeçari ka pësuar një frakturë dhe hematomë të rëndë në kokë, duke rënë në gjendje kome. Ai mbahet në terapi intensive në reanimacion, ndërsa familjarët që presin në korridoret e spitalit, nuk preferojnë ta komentojnë ngjarjen. Mbrëmjen e djeshme ata thanë që nuk duan ta bëjnë publike ngjarjen, pasi plagosja e tij nuk ka ndodhur për shkak të detyrës, por për çështje personale, edhe pse brenda rrethimit të SHISH-it. Madje, për këtë arsye ata nuk kanë bërë as kallëzim në polici.
HETIMI
Pavarësisht se familjarët e punonjësit të SHISH nuk kanë preferuar të bëjnë denoncim në polici rreth plagosjes së të afërmit të tyre, të lajmëruar nga personeli i Spitalit Ushtarak, oficerët e Komisariatit Nr.2 kanë nisur një hetim me iniciativë rreth ngjarjes. Burime të rezervuara nga Policia thanë mbrëmë se i është marrë deklarim bashkëshortes dhe vëllait të 42-vjeçarit, të cilët kanë treguar rrethanat e ngjarjes. Të njëjtat burime thanë se nga deklarimet e familjarëve të tij dyshohet se i plagosuri ka qenë në gjendje të pirë, fakt që e ka konfirmuar edhe mjeku. Edhe ngjarja sipas Policisë dyshohet të ketë ndodhur kur ai ka qenë nën efektin e pijes alkoolike, pasi është rrëzuar dhe mund të ketë përplasur kokën në tokë.
Dy pistat e hetimit
Komisariati Nr.2 në Policinë e Tiranës ka nisur hetimet në dy pista në lidhje me plagosjen e rëndë të punonjësit të Shërbimit Informativ. Versioni i parë i ngjarjes lidhet me detyrën, ndërsa versioni i dytë bën fjalë për ndonjë konflikt me motive personale. Ngjarja ka ndodhur brenda rrethimit të godinës së SHISH-it në kryeqytet, ndërsa policia ka nisur hetimet nga njoftimi prej spitalit, pasi nuk ka pasur denoncim.











