Akuzë për falsifikim edhe 3 përfituesve të pagesës
Një punonjëse e Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore të Tiranës po hetohet për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Ndaj saj, Sektori i Antikrimit Ekonomik në polici ka filluar procedim penal, pasi dyshohet të ketë lejuar lidhjen e pensioneve me dokumente false për tre persona. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ka filluar procedim penal me akuzën “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” ndaj Flora Cekës, punonjëse e administratës në zyrën e lidhjes së pensioneve. Me ndihmën e saj, duke përdorur dokumente të falsifikuara me rritje moshe, kanë përfituar pension të parakohshëm 3 persona. Të njëjtat burime thanë se personat që kanë përfituar pension në këtë mënyrë janë Lutfi Koçi, Zajdi (Zyhdi) Harisi dhe Ibrahim Lleshi. Edhe ndaj këtyre personave ka nisur procedimi penal për “falsifikim dokumentesh”, pasi sipas Policisë, kanë mashtruar me dokumentet e paraqitura. Hetimi ka nisur nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, pas një denoncimi që ka kryer Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.
Hetimi
Dy prej personave në hetim, Zyhdi Harisi dhe Ibrahim Lleshi, kanë përfituar pension në mënyrë të jashtëligjshme nga viti 2007 deri në vitin 2008. Gjatë kësaj periudhe, zyrtarja e Sigurimeve Shoqërore, Flora Ceka, ka qenë sërish në hetim për të njëjtën akuzë, derisa u arrestua bashkë me 3 persona të tjerë më 22 nëntor të vitit 2008, gjatë operacionit të koduar “Dosja e hapur”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan tre ish-punonjës të Sigurimeve Shoqërore në kryeqytet, si dhe një ish-zyrtar në minierën e Mushqetës, të akuzuar për abuzime në dhënien e pensioneve të parakohshme. Në atë kohë, Flora Ceka ishte me detyrë ekonomiste në një firmë private, ndërsa akuzohej se kishte shpërdoruar detyrën gjatë kohës që punonte si inspektore e verifikimit të pensioneve në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, ku është riemëruar së fundi.
Pensionet
Me dhjetëra kanë qenë rastet e referuara nga Policia e Tiranës në Prokurori vitet e fundit, kur shtetas të ndryshëm kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë përfituar pension të padrejtë. E gjithë skema, sipas hetimeve, nis me manipulimin e certifikatave të lindjes dhe më pas vazhdon me falsifikimin e librezave të punës. Fillimisht ndryshohet certifikata e lindjes së personit që do të përfitojë pensionin, më pas ndryshohet edhe libreza e punës për t’i shtuar vitet e punës, në mënyrë që gjithçka të përputhet me kërkesat e ligjit. Më pas, dokumentacioni paraqitet në zyrat e Sigurimeve Shoqërore, dhe nëse ekziston vullneti i punonjësve, dosja mund të kalojë në vendimmarrje dhe pensioni “i parakohshëm” bëhet realitet. Policia në shumë raste i ka zbuluar këto abuzime me anë të informacioneve të marra në rrugë operative, duke kontrolluar thjesht dokumentacionin e zyrave të Sigurimeve Shoqërore.











