Shtatë persona të akuzuar për mashtrim kompjuterik me pasoja të rënda dërgohen në gjyq nga Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës.Personat e akuzuar në këtë çështje janë pronarë dhe punonjës kompanish udhëtimi, që prisnin bileta për udhëtarët frekuentues të linjave ajrore. Skema kriminale ka qenë e organizuar deri në detaje dhe mjaft e ndërlikuar. Sipas akuzës, skema është vënë në jetë me anë të bashkëpunimit të pronarëve dhe punonjësve të kompanive të udhëtimit në Tiranë, me të paktën dy shtetas shqiptarë nga Kosova, me qëndrim në Prishtinë. Kompanitë e udhëtimit në Tiranë kanë arkëtuar paratë e udhëtarëve, duke i marrë ato kesh, ndërkohë që pagesa e prenotimit tek agjencitë ajrore është bërë në mënyrë kriminale. Pasi merrnin prenotimet në Tiranë, të dyshuarit lidheshin me dy personat nga Kosova dhe u jepnin atyre emër, mbiemër dhe linjën e udhëtimit të pasagjerit. Dy shtetasit kosovarë kryenin blerjen e biletës pranë kompanisë së udhëtimit, me anë të kartave të kreditit të shtetasve të huaj, kryesisht amerikanë dhe kanadezë. Kosovarët thyenin kodet e kartave të kreditit të shtetasve të huaj dhe paguanin nga llogaria e tyre bankare biletat e porositura në Tiranë. Në këtë mënyrë, agjencitë e dyshuara të udhëtimit në kryeqytetin e Shqipërisë, përvetësonin shumat financiare të marra kesh nga udhëtarët. Skema e mashtrimit kompjuterik është zbuluar nga shtetasit e dëmtuar nga kjo vepër penale. Pasi kanë konstatuar kryerjen e pagesave nga llogaritë e tyre bankare, ata janë interesuar pranë bankave, ku kanë mësuar se fjala ishte për bileta hyrëse ose dalëse nga Shqipëria. Shtetasit e huaj kanë kuptuar se diçka nuk shkon, pasi nuk kishin kryer udhëtime në Shqipëri. Ata i kanë konfirmuar bankave këtë fakt dhe bankat menjëherë kanë njoftuar agjencitë ajrore se pagesat ishin kryer në mënyrë të paligjshme nga persona të paautorizuar. Në lidhje me këtë skemë mashtrimi është vënë në dijeni policia dhe Prokuroria shqiptare. Për këtë shkak, Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës filloi hetimin dhe arrestoi tetë persona, shtatë nga të cilët janë dërguar në gjyq me akuzën e “mashtrimit kompjuterik”. Të akuzuarit për këtë ngjarje u arrestuan në korrik të vitit 2010, pas hetimeve disamujore të zhvilluara nga policia dhe Prokuroria shqiptare.
Të akuzuarit
Zenel Buchala
Arjan Troka
Etleva Minxhozi
Elisabeta Bengasi
Flora Nikaj
Erjon Jaupllari
Ken Koromani
100 denoncime
për vjedhje janë bërë në adresë të shtatë personave të akuzuar për mashtrim kompjuterik. Shtetasit e dëmtuar kanë qenë kryesisht amerikanë dhe kanadezë











