
Takimi qeveri-biznes. Akcizat do administrohen nga doganat. Bregasi: Jeni kundër frymës së Kryeministrit për lehtësi ndaj biznesit. Ligji ka ngarkesa për vendësit dhe të huajt
Përfaqësues të Ministrisë së Financave, zëvendësministri Alfred Rushaj dhe drejtoresha Arjana Dyrmishi kanë mbrojtur këto ndryshime të cilat vijnë në kuadër të përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, por duket se për disa çështje biznesi ka pasur rezervat e veta. Kështu presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, ngriti një sërë shqetësimesh të lidhura me kostot shtesë që i vijnë biznesit nga sistemi i ri i pullave fiskale që do implementojë koncesionari si dhe nga disa pika të tjera.
Garancia
Një ndër konceptet më të debatuara nga ky ligj ishte pjesa e garancisë. Një biznesi i lind detyrimi sipas ndryshimeve në ligjin për akcizat që të lërë si garanci në të holla apo edhe dorëzani një shumë të caktuar që nuk mund të preket nëse nuk shlyhen borxhet që ky i fundit mund të ketë për të paguar. Garancia duhet të jetë masën 100 për qind të akcizës që ky biznes paguan. Për Bregasin kjo praktikë nuk e ndihmon aspak biznesin, madje i krijon atij vështirësi në një kohë kur kriza globale dhe ajo e eurozonës kanë dhënë efektet e tyre në gjendjen financiare të çdo sipërmarrjeje. Presidenti i BiznesAlbania komentoi se fryma në ligjin për akcizat nuk është ajo që Kryeministri përmend shpesh për “një qeveri me taksa të ulëta” që nxit biznesin të investojë. “Kryeministri ka një realitet të mirë për biznesin. Administrata çuditërisht nuk e ndjek këtë me penalitetet. Në rast se Kryeministri thotë që qeveria ime është qeveri e taksave të ulëta që nuk i zë frymën biznesit, që e nxit dhe stimulon atë për të hapur vende të reja pune, për të përmirësuar klimën, kjo duhet të pasqyrohet në legjislacion. Se kjo frymë nëse nuk hidhet në letër mbetet thjesht frymë. Atëherë nga kjo pikëpamje unë mendoj se ju duhet ta rishikoni ligjin me gjithë ato ngarkesa që ky ligj i bën biznesit shqiptar vendës apo importues”, tha Bregasi lidhur me çështjen e garancisë së borxhit. Nga ana e drejtoreshës Arjana Dyrmishi u theksua se garancia është një kërkesë që nuk e ngarkon biznesin, madje e lehtëson atë po të kihen parasysh kushtet në ligjin që është ende në fuqi.
Ndryshimet te ligji
Ministria e Financave nga ana tjetër ka mbrojtur ndryshimet në ligjin për akcizat me argumentin që do të përmirësohet kontrolli dhe shmangia e evazionit fiskal. Ligji i ri e kalon gjithë përgjegjësinë e administrimit të akcizës te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, duke ia hequr komplet Tatimeve pjesën e tyre. “Projektligji parashikon një platformë të re, ku të gjithë operatorët do të jenë të pajisur me magazinat fiskale, do të kenë gjithashtu një modul elektronik, në të cilën mund të pasqyrohen të gjitha lëvizjet e mallrave të akcizës, qoftë për ato që është paguar detyrimi i akcizës, qoftë ato që janë në kushtet e pezullimit tatimor, apo edhe lëndë të para që shërbejnë për të prodhuar lëndët e akcizës do të mund të evidentohen”, u shpreh Rushaj. Ndërkohë që për të gjitha propozimet që biznesi kërkoi që të rishikoheshin nga ana e Financave u shpreh gatishmëria për t’i diskutuar. Projektligjin e akcizave e komentoi pozitivisht dje edhe ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, i cili u shpreh se ligji ka kohë që diskutohet me grupet e interesit dhe se biznesi ka bërë propozimet e tij për çështje që janë me interes.
Pika e garancive që biznesi shpreh rezerva
Borxhi, garancitë
Neni 21
Garantuesi
1. Kur në përputhje me dispozitat e këtij ligji, kërkohet dhënia e një garancie, me qëllim që të sigurohet pagesa e një borxhi, kjo garanci depozitohet nga depozituesi i miratuar, dërguesi i regjistruar, pritësi i regjistruar, ose nga përfaqësuesi fiskal.
2. Për një borxh, autoritetet doganore mund të kërkojnë vetëm një garanci.
Neni 22
Garanciaglobale
Me kërkesë të depozituesit të miratuar, dërguesit të regjistruar, pritësit të regjistruar/operatorit të regjistruar ose nga përfaqësuesi fiskal, autoritetet doganore mund të lejojnë dhënien e një garancie globale për të mbuluar dy ose më shumë veprime, për të cilat ka lindur ose mund të lindë një borxh. Këto raste specifikohen në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 23
Masa e garancisë
1. Depozituesi i miratuar është i detyruar të depozitojë një garanci në masën 100% të detyrimit të akcizës të produkteve të depozituara.
2. Nëse garancia jepet nga subjekte të tjera, shuma e garancisë së dhënë nga depozituesi i miratuar zvogëlohet në të njëjtën shumë.
3. Depozituesit e miratuar, dërguesit e regjistruar, pritësit e regjistruar, janë të detyruar të garantojnë në masën 100 % detyrimin e akcizës edhe për të gjitha operacionet e tjera me pezullim të detyrimeve të akcizës.
4. Autoriteti doganore ka të drejtë të përjashtojë nga detyrimet e përcaktuara në pikën 1 dhe 2 të këtij neni, institucionet buxhetore.
Neni 24
Format e garancisë
Garancia mund të jepet në formën e një:
a. Depozitë në të holla ose;
b. Dorëzanie.
Neni 25
Depozita në të holla
1. Depozita në të holla duhet të bëhet në monedhën zyrtare të Republikës së Shqipërisë.
2. Konsiderohen të barasvlershme me një depozitë në të holla:
a. Dorëzimi i një çeku, pagesa e të cilit garantohet nga institucioni që e ka lëshuar atë, në çdo mënyrë që quhet e pranueshme për autoritetet doganore;
b. Dorëzimi i çdo instrumenti tjetër të njohur prej autoriteteve doganore si mënyrë pagese.
3. Garancia në formën e një depozite në të holla ose çdo formë pagese e barasvlershme me të, jepet në përputhje me dispozitat në fuqi.
Neni 26
Dorëzania
1. Dorëzanësi, merr përsipër me shkrim të paguajë personalisht dhe/ose bashkërisht me depozituesin e miratuar, pritësin e regjistruar, dërguesin e regjistruar shumën e borxhit të garantuar që duhet paguar.
2. Dorëzanësi duhet të jetë një person i tretë i vendosur në Republikën e Shqipërisë dhe i pranuar nga autoritetet doganore.
3. Autoritetet doganore mund të refuzojnë miratimin e dorëzanësit ose të llojit të garancisë së propozuar, kur kjo e fundit vlerësohet në bazë të kritereve të përcaktuara me akt nënligjor se nuk siguron pagesën e borxhit brenda afatit të përcaktuar.
Neni 27
Zgjedhja e llojit të garancisë
1. Personi, të cilit i kërkohet sigurimi i garancisë, është i lirë të zgjedhë midis llojeve të garancive të parashikuara në nenin 24 të këtij ligji.
2. Në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, autoritetet doganore mund të refuzojnë pranimin e llojit të garancisë së propozuar, kur ai është i papajtueshëm me funksionimin e regjimit të produkteve të akcizës. E njëjta procedurë zbatohet edhe për garancinë e propozuar. Autoritetet doganore mund të kërkojnë që lloji i garancisë së zgjedhur të mbahet vetëm për një periudhë të caktuar.
Neni 28
Garancia shtesë
Kur autoritetet doganore gjykojnë se garancia e ofruar nuk siguron, ose nuk është më e sigurt ose e mjaftueshme për të siguruar pagesën e një borxhi, brenda afatit të caktuar, ato kërkojnë prej depozituesit të miratuar, pritësit të regjistruar, dërguesit të regjistruar ose nga përfaqësuesi fiskal sipas preferencës së tyre, të sigurojnë një garanci shtesë ose të zëvendësojnë garancinë e mëparshme me një garanci të re.
Neni 29
Çlirimi i garancisë
1. Garancia nuk çlirohet për sa kohë që borxhi, për të cilin kjo garanci është lëshuar, nuk është shlyer ose mund të lindë përsëri. Garancia duhet të çlirohet sapo borxhi shlyhet ose nuk mund të lindë përsëri.
2. Kur borxhi shlyhet pjesërisht ose mund të lindë vetëm në lidhje me një pjesë të shumës që është siguruar, me kërkesë të personit të interesuar, çlirohet vetëm pjesa përkatëse e garancisë, me përjashtim të rastit kur shuma në fjalë nuk e justifikon këtë veprim.
Kostot e biznesit
Biznesi ngriti dje si shqetësim edhe kostot shtesë që mund t’i vijnë nga ndryshimet në ligjin e akcizave. Kështu, një ndër kërkesat ishte që çmimi i pullave fiskale të njihet si shpenzim i zbritshëm, pikë për të cilën Financat u shprehën se kjo tashmë është aplikuar. Një tjetër kërkesë ishte ajo e mundësisë që koncesionari të marrë përsipër përgjegjësinë e vendosjes së pajisjeve për kodet e sigurisë dhe pullave fiskale. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi kërkoi që të shihen më me kujdes kostot që i ngarkohen biznesit, pasi ky i fundit është boll i ngarkuar nga interesat e kredive bankare, të cilat
rrisin në mënyrë artificiale kostot e produkteve.
Nertila Maho
© Panorama.al











