TIRANE – Kostandin Xhuvani, i akuzuari për vrasjen e Alfred Musabelli tre muaj më parë në Tiranë, u njoh dje me masën e sigurisë “arrest me burg”, caktuar ndaj tij në mungesë. Xhuvani, 22 vjeç, u vetëdorëzua të hënën në Drejtorinë e Policisë, pasi kishte qëndruar tre muaj në arrati, që pas ngjarjes së 12 shkurtit pranë Qytetit Studenti. Në një seancë me dyer të mbyllura, Xhuvanit iu komunikua masa e sigurisë “arrest me burg”, caktuar ndaj tij për akuzën e “vrasjes me dashje”. Bëhet e ditur se vetë Xhuvani ka pranuar para gjykatës autorësinë e vrasjes, si edhe ka treguar pendesë për aktin e kryer. Tre muaj pasi figuronte “në kërkim” për Policinë, Kostandin Xhuvani u paraqit rreth orës 11:30 të së hënës në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit. Në polici, ai ka dorëzuar edhe armën nga e cila ka dalë plumbi që i mori jetën Alfred Musabelliut. Ndërkohë, pritet që në vijim të hetimeve prokuroria të ndryshojë akuzën penale ndaj Xhuvanit, nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes”. Kjo, për shkak të deklarimeve të dhëna në polici nga ana e Xhuvanit, si edhe disa provave të gjetura në vendin e ngjarjes. “Jam penduar për atë që ndodhi. Nuk doja kurrsesi që të ndodhte, por kur i pashë në dorë pistoletën që ia kishte drejtuar shokut tim, e kam shkrepur armën unë i pari dhe menjëherë më pas u pendova për atë që bëra”, mësohet të ketë deklaruar Xhuvani, pas vetëdorëzimit të tij në polici. Në lidhje me të njëjtën akuzë, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasin Albi Zela.











