Rregullorja, nisma e PS pritet të dorëzohet në Kuvend

Sep 19, 2011 | 10:20

TIRANE- Partia Socialiste pritet te depozitojë sot në Kuvend draftin e saj për një reformë të plotë parlamentare. Në thelb të këtij drafti, socialistët kërkojnë kthimin e Rregullores së Kuvendit ashtu siç ishte para vitit 2009, kur ajo u ndryshua me votat e maxhorancës.

E konceptuar në dy faza, reforma e propozuar nga socialistët kërkon një rregullim të shpejtë të funksionimit të Parlamentit, kryesisht në seancat plenare në fazën e parë dhe adresim të të gjitha vërejtjeve dhe mangësive që janë evidentuar në raportin analitik të Komisionit Europian.

Në propozimet e tyre për të përmbushur një mirëfunksionim të seancave plenare, por dhe të komisioneve, socialistët kërkojnë një rregullim më të mirë të votimit të fshehtë, veçanërisht për shkarkimin e anëtarëve të organeve kushtetuese si Gjykata Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, prokurori i Përgjithshëm.

Paketa e PS
Kërkohet ndryshimi i Rregullores për votimin e fshehtë për shkarkimin e anëtarëve të organeve Kushtetuese (Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm etj.).

Dhënia e pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës për emërim në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë votimi të mos jetë nominal.

Propozimet e bëra (kryesisht nga Presidenti i Republikës për anëtarë të organeve kushtetuese të Drejtësisë), komisioni përkatës, i cili harton raportin, ai duhet t’i kalojë Kuvendit dhe të mos i japë kompetencë kryetarit të Kuvendit të njoftojë organin propozues për këtë raport.

Debati i lirë prej 60 minutash të zhvillohet, ashtu siç ka qenë, në fillim të seancën plenare dhe jo në fund të saj, siç është sot.

Të hiqen të drejtat e kryetarit të Kuvendit për të përjashtuar nga seancat dhe komisionet deputetët kur ata shkelin Rregulloren, e drejtë e shfrytëzuar deri tani vetëm për opozitën.

Të qartësohet kuadri normativ i marrëdhënieve të komisioneve dhe të deputetëve me institucionet e tjera dhe grupet e interesit. Të ketë përcaktime të qarta, pa ekuivok, që të shmanget çdo pengesë  administrative ndaj procesit ligjbërës dhe kontrollit parlamentar.

Të përcaktohet qartë në Rregullore një ekuilibrim të së drejtës qeveri-opozitë, bazuar në parimet demokratike europiane gjatë debateve dhe diskutimeve, mes kohës së maxhorancës dhe opozitës.

Rregullorja e re, kusht për ligjet me 3/5
Partia Socialiste i ka vendosur një kusht maxhorancës: miratimin e Rregullores së re të Kuvendit për të votuar ligjet me shumicë të cilësuar që kërkojnë votën e deputetëve të PS. Përmes këtij kushti, socialistët kërkojnë rregullimin e jetës së Parlamentit, të cilin e shohin jofunksional me Rregulloren e miratuar pa praninë e tyre vetëm me votat e maxhorancës. Ligji për Gjykatat Administrative nuk mori votat e PS, duke u tërhequr sërish për rishqyrtim, pasi ishte vetëm Edi Rama që u shpreh pas vizitës me dy ministrat e Jashtëm, grek dhe italian, se deputetët socialistë nuk do të ngrenë kartonin jeshil vetëm për t’i bërë qejfin Brukselit.

© Panorama.al

Te lidhura