Ndriçim Kulla, një monografi për at Zef Valentinin

Sep 5, 2011 | 10:51

“Shqipëria e vogël, aq e ngucur në kufij, vërshonjëse në vitalitetin njerëzor, gjithnjë e më shumë efikase sa më shumë e injoruar, aq xheloze në ruajtjen e identitetit të saj etnik, po njëherësh edhe aq universaliste, kaq fatkeqe, por gjithmonë e ruajtur nga Zoti në vijim të misionit të saj sekret në Europë”. Kështu do të shprehet në veprën e tij “Shqipëria dhe Ekumenizmi”, kleriku dijetar at Zef Valentini, i cili gjithë jetën ua kushtoi veprave studimore dhe kërkimore për vendin tonë. I harruar për dekada me radhë gjatë diktaturës, por edhe më pas, është momenti që ky njeri i mençur t’i bëhet i njohur lexuesit shqiptar përmes korpusit të tij krijues. Si një iniciativë e shtëpisë botuese “Plejad”, janë botuar tashmë 20 vepra të këtij autori, që rrokin tema nga më të ndryshmet, nga historia, tek ligji, studimet dhe kritika letrare. “Mosnjohja e këtij njeriu që ka punuar në masën 100 për qind për ne shqiptarët, është diçka tragjike e që lidhet plotësisht me dënimin dhe censurimin që i bëri sistemi komunist”, thotë botuesi dhe studiuesi Ndriçim Kulla, i cili këto ditë ka nxjerrë nga botimi një monografi kushtuar kësaj figure, titulluar “At Giuseppe Zef Valentini, albanologu më i madh i shek. XX”. “Mendoj se nuk është diçka shteruese, sepse kur të botohet plotësisht vepra e këtij albanologu, do kuptohet më mirë përmasa  e veprës së tij dhe me siguri që do ketë të tjera frymëzime për të, por sidoqoftë është një prezantim i mirë i këtij personaliteti, që do kontribuojë në rritjen e ndjeshmërisë për përhapjen e vlerave të tij”, thotë Kulla. Në monografinë e tij, studiuesi përpiqet të na japë gjithë informacionin e duhur mbi Valentinin. Ai e nis me lindjen, shkollimin, formimin dhe personalitetin e tij, për të vijuar me mbërritjen në Shkodër, ku do të vendosej edhe lidhja e pazgjidhshme me Shqipërinë. Për të zbritur më poshtë me interesat e tij për historinë e Shqipërisë, për figurën e Skënderbeut, për të drejtën zakonore, në veçanti Kanunin, kulturën shqiptare e për ta përmbyllur me pozicionimin e Shqipërisë “zyrtare” ndaj Valentinit pas Luftës së Dytë Botërore, një qëndrim armiqësor, i cili u shfaq jo vetëm kundrejt tij, por edhe shumë personaliteteve të tjera jezuite e françeskane, të cilët u konsideruan si bashkëpunëtorë me pushtuesin e reaksionarë. Ai do të largohej drejt Italisë me ndihmën e Ernest Koliqit, ndërkohë që pushteti komunist shqiptar vazhdonte ta kërkonte njeriun që “kish guxuar të monopolizonte kulturën shqiptare, apo si spiun i vjetër i SIM-it, Gestapos dhe Vatikanit”. Në 70-vjetorin e lindjes së talentit, në një shkrim tijin Koliqi do të shkruante: “Valentini nuk u mor kurrë me politikë militante. Vepra e tij frymëzohej prej qëllimit të naltësimit të klasës intelektuale shqiptare, drejt një koncepti ma të gjanë të jetës sociale me kultin e rregullit e frymës krenare t’energjive, ngjyer në burimet ma t’thella të substancës etnike”. Sipas Kullës, sot që kanë kaluar 20 vjet nga ndryshimi i sistemeve dhe fitorja e lirisë së shprehjes e mendimit, kërkohet që të kujtojmë këtë personalitet. “Lipset ta kërkojmë me vërtetësi madhështinë e tij të nderuar e të persekutuar, jo vetëm nga regjimi komunist, por edhe nga segmente të caktuara të vetë shkencës së albanologjisë shqiptare gjer vonë, e të kuptojmë thellë pse ai ka jetuar për Shqipërinë dhe me Shqipërinë në zemër. Sot, në epokën e globalizmit, produkti ynë par ekselencë, është karakteri dhe identiteti kombëtar, që detyrimisht duhet t’i rikthehet autoktonisë; E atëherë, edhe ndihmesa e dhënë nga at Valentini për kulturën dhe historinë e vendit tonë do të ketë mirënjohjen e merituar prej atyre që e duan popullin me gjak shqiptari dhe shpirtin e tij.”

© Panorama.al

Te lidhura