Ndoka: PS u fry për vete, na vodhi votat ne aleatëve

May 30, 2011 | 11:16

Në një bisedë për gazetën “Panorama”, kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, flet për procesin zgjedhor të 8 majit. Ndoka thotë që demokristianët arritën objektivat e tyre, ndërsa shton se Partia Socialiste ka cenuar votën e PDK-së.Sipas kreut të demokristianëve, PS është treguar e ngurtë me aleatët e saj dhe ka deformuar rezultatin në mjaft zona, për të cilat PDK pret që të hapen dhe të shihen nga ankesat e tyre drejt KQZ-së e Kolegjit Zgjedhor. “Normalisht që patëm probleme në numërimin e votave, sepse nuk patëm vëzhgues apo numërues. Partia Socialiste u tregua e ngurtë dhe nuk la hapësirë për aleatët në grupet e numërimit të votave apo në komisionet e votimeve. Më skandalozja është që ne nuk patëm mundësi të vijojmë me procesin”, tha Ndoka. Gjithsesi, ai tha se PDK do të vijojë të mbetet një forcë opozitare me dëshirën për të reformuar Kodin Zgjedhor. Ndoka shprehet se këto zgjedhje ishin një gjysmë dështimin për PS-në, nisur nga kauza e pas zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, kur kërkoi hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e votës. “Do të angazhohemi për reformimin e Kodit, por edhe për ndryshimin dhe përmirësimin e mentalitetit në PS. Është hera e dytë që PS merr një besim, por ashtu si dështoi në 2009, kësaj radhe është si një gjysmë dështimi. Kjo e dyta besoj se mund të jetë një mësim”, u shpreh Ndoka.
Z. Ndoka, a i realizoi Partia Demokristiane objektivat e veta në zgjedhjet lokale të 8 majit?
Patjetër që po. Madje më shumë se parashikimet tona. Ne morëm mbi 50 mijë vota dhe fituam tri komuna. Votat kanë një shpërndarje simetrike si në Veri ashtu edhe në Jug. Kemi marrë vota në Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe në disa komuna e bashki kemi dalë edhe forcë e parë politike, para PD-së e PS-së. Në shumicën e komunave dhe bashkive jemi forca e dytë e koalicionit të opozitës.
Disa parti në koalicionin opozitar, si kreu i PSD-së, Gjinushi, kanë pasur pretendime në lidhje me administrimin e procesit duke kritikuar Partinë Socialiste se nuk ka mbrojtur votën e tyre. Ju keni pretendime të tilla? Si ka funksionuar koalicioni mes jush në lidhje me këtë çështje?
Normalisht që patëm probleme në numërimin e votave, sepse nuk patëm vëzhgues apo numërues. Partia Socialiste u tregua e ngurtë dhe nuk la hapësirë për aleatët në grupet e numërimit të votave apo në komisionet e votimeve. Më skandalozja është që ne nuk patëm mundësi të vijojmë me procesin. Ky përbën vërtet një problem. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes PD e PS në këtë pikë.
Pra është prekur rezultati i Partisë Demokristiane?
Pa diskutim që po. Kemi një numër ankesash në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. Kemi pasur probleme në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Shkodër e Vlorë.
Ju jeni aktualisht në koalicion me PS-në, kur thatë që vota juaj nuk është administruar siç duhet. Kjo do të thotë që do të rishikoni pozicionin tuaj në koalicion me PS-në?
PDK është në opozitë dhe si e tillë do të qëndrojë opozitare. Do të angazhohemi për reformimin e Kodit, por edhe për ndryshimin dhe përmirësimin e mentalitetit në PS. Është hera e dytë që PS merr një besim, por ashtu si dështoi në 2009, kësaj radhe është si një gjysmë dështimi. Kjo e dyta besoj se mund të jetë një mësim. Ndoshta edhe për shkak se Kodi Zgjedhor nuk u reformua. Ndoshta pati dëshirë nga PS, por ishte PD ajo që e bllokoi.
Pra ju do të vijoni të qëndroni brenda koalicionit me Partinë Socialiste?
Normalisht që po. Do të tentojmë të reformojmë Kodin për zgjedhjet e tjera.
Ku pretendoni se koalicioni, opozita nuk funksionoi mirë?
Së pari, nuk kishte një strategji të mirë në drejtimin e fushatës. Shpeshherë PS ndihej si e braktisur nga aleatët dhe ndonjëherë tjetër aleatët ndiheshin të braktisur prej saj. Së dyti, ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve me mungesën e vëzhguesve të aleatëve në procesin e numërimit. Kishte një monopolizim nga ana e PS. Këto janë dy problemet thelbësore, ndërsa kishte edhe një moskoordinim mes partive opozitare dhe mes liderëve. Po të shikojmë koalicioni qeveritar, edhe parti fantazmë arritën të marrin këshilltarë, ndërsa PS u fry si parti duke u bërë partia e parë e vendit duke mos mbështetur aleatët.
Mbeten edhe 2 vite deri në zgjedhjet parlamentare. Nëse nuk arrihen pretendimet tuaja në reformimin e Kodit, do të rishikoni pozicionin tuaj?
Ne jemi në koalicion për shkak të kësaj, pasi Partia Demokratike shkeli disa parime me Kodin e ri Zgjedhor. PD shkeli marrëveshjen dhe sot jemi në opozitë. Nëse PS angazhohet maksimalisht në reformimin e Kodit, ku edhe partitë e vogla të kenë hapësira dhe të jenë prezent në administrimin e votës, do të ishte shumë pozitive. Kjo do të ishte një strategji bashkëpunimi.

Marko Dajti: Koalicioni i majtë dështoi

Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, akuzon komisionerët e PS-së se i kanë vjedhur votat e kësaj partie, duke ua dhënë partive të tjera të koalicionit të majtë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai tha se pati raste flagrante që votat e kësaj partie i kalua aleatëve të preferuar të PS-së. “Ky koalicionin nuk funksionoi ashtu siç e kishim parashikuar. Në radhë të parë, këtij koalicioni i mungoi sinqeriteti nga Partia Socialiste. Unë mund ta konsideroj plotësisht të dështuar dhe vetëm fiktiv, me qëllimin për të deklaruar një numër të madh partish përbërëse të tij dhe vetëm kaq”, tha Dajti. Sipas tij, votat nuk iu mbrojtën kësaj partie. “Partia Socialiste na premtoi se do të ketë një bashkëpunim të sinqertë dhe do të na ndihmonte e mbështeste sidomos gjatë numërimit të votave. Ndërsa ne i kërkuam Partisë Socialiste vetëm garanci në numërimin e votave. Kjo gjë nuk ndodhi siç u premtua”, shtoi Dajti.

Gjinushi: PS nuk na i mbrojti votat gjatë numërimit

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, kryetari i PSD Skënder Gjinushi u shpreh se Partia Socialiste nuk mbrojti votën e aleatëve. “Ne dimë fakte konkrete; Në Burrel kandidati ynë na tha se qëndroi në një monitor dhe mbajti shënim votat e veta. Ai kishte numëruar 37 vota, procesverbalin nuk ia dha njeri dhe të nesërmen ishin 27 vota të shënuara, por jo vetëm kaq, por në të gjithë komunën kishte të shënuara vetëm 32 vota. Fenomeni është vërejtur gjithandej, ndaj ajo që duket është se ka devijim dhe tjetërsim të votës së partive aleate. Edhe në Tiranë kam informacionin që janë numëruar për PSD 17 vota dhe në procesverbal shkruhen 10 apo në Durrës nga 22 vota në një qendër votimi, shkruhen 2. Numërimi i votave për partitë aleate është shumë defektoz. Grupet e numërimit kanë dy numërues të PS dhe 2 të PD-së. Partia Socialiste duhet të na ruajë votën, dhe jo PD-ja”, ka thënë Gjinushi.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura