Ndërpritet festa në PD. Berisha sëmuret në podium, mjekët: Një ulje tensioni

Dec 13, 2011 | 11:28

kryeministri Berisha dje gjate momentit te renies se tensionit ne festen e PD

Truprojat e shoqërojnë jashtë sallës. Çfarë ndodhi pas stendës së festës në Pallatin e Kongreseve. Kryeministria: Berisha mjekohej pas një viroze.

Festimet për përvjetorin e 21-të të themelimit të Partisë Demokratike u ndërprenë dje për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Kryeministrit Sali Berisha. Kreu i qeverisë pësoi një gjendje të fikëti gjatë fjalimit para qindra të ftuarve në festën e PD duke u larguar menjëherë nga podiumi, i ndihmuar nga truprojat e tij. Shefi i Qeverisë ka qëndruar për disa minuta në shoqërinë e mjekëve Mentor Petrela, Fedhon Meksi e Tritan Shehu në pjesën e pasme të skenës në Pallatin e Kongreseve për t’u larguar pas disa minutash i shoqëruar nga stafi i tij i ngushtë.
Ceremonia
Kryeministri erdhi në ceremoninë e themelimit të partisë që në 18:10 dhe pas shfaqjes së një dokumentari për historikun e PD-së, ai nisi të mbajë fjalimin e rastit. Sipas stafit të Kryeministrit, fjala ishte parashikuar të zgjaste 24 minuta. Në podium, në krahun e majtë, Berisha shoqërohej nga përfaqësues të Forumit Rinor, ndërsa në krahun e

Berisha duke dale nga ambienti i festes

djathtë nga ish-studentë të Dhjetorit ‘90. Pranë tyre qëndronin truprojat. “Sot ne jemi të vendosur të ecim në rrugën e integrimit për t’u bashkuar me Europën”, ishin fjalët e kreut të qeverisë përpara se të ndalonte për pak çaste, kur konsumoi një gotë me ujë. Në atë moment, truprojat u afruan më shumë nga podiumi. Por Berisha nisi sërish fjalën e tij teksa tha: “Ndaj dhe le të shprehim ne nderimin më të madh për ata që sollën dhjetorin ’90, për miqtë tanë kudo në botë”. Pasi artikuloi këto fjalë ai i zgjati dorën truprojës në krahun e majtë, Arjan Adhami, i cili është afruar menjëherë duke e mbajtur në podium, teksa i mblodhi dhe letrat e fjalimit. Nga ana e djathtë u afrua shpejt edhe truproja tjetër. Fillimisht Kryeministri i vendosi të dyja duart mbi podium dhe pranë tij erdhi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa Basha i bëri me shenjë truprojave që ta çonin Berishën në krahun e majtë të sallës, pas ekraneve të mëdha që ishin vendosur për të shfaqur dokumentarin. Largimi i kreut të qeverisë u shoqërua me duartrokitje nga salla.
Gjendja shëndetësore
Pasi truprojat larguan kreun e demokratëve nga podiumi, në pak sekonda, pjesa pas ekraneve u mbipopullua nga zyrtarët e lartë të PD-së. Fillimisht ishin Topalli, bashkëshortja e Kryeministrit, Liri Berisha, Lulzim Basha dhe deputeti i PD-së, mjeku Tritan Shehu, të cilët iu gjendën pranë atij dhe më pas erdhën edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ministri Olldashi, deputetja Mesila Doda. Të paktë ishin të ftuarit që e kuptuan që Berisha u largua nga podiumi për shkak të gjendjes shëndetësore. Stafi i Kryeministrit sajoi në pak sekondave një ambient me tavolina e karrige ku Berisha u shtri, i asistuar nga Tritan Shehu dhe Vangjel Tavo, të dy mjekë në profesion. Pas dy minutash pranë grupit u afruan mjekët Mentor Petrela e Thedhon Meksi. Për rreth pesë minuta Berisha ka qëndruar i shtrirë, ndërkohë që sa vinte e shtohej kureshtja e të ftuarve në 21-vjetorin e themelimit të PD-së. Shumë prej tyre iu afruan banakut të sajuar për vendosjen e pijeve, që tani ndante Kryeministrin në gjendje jo të mirë shëndetësore me të ftuarit e shumtë. Njëri nga mjekët tha për gazetën se në ato minuta kur ka qëndruar shtrirë, kreu i qeverisë ka përmendur vazhdimisht fjalët: “Jam mirë. Jam mirë. Mos kini merak”. Më pas ai ka kërkuar që të çohet dhe të shkojë të presë tortën e ditëlindjes së PD-së, por kjo kërkesë e tij është kundërshtuar kategorikisht nga doktorët. Në këto kushte, Berisha është dorëzuar dhe ka dëgjuar fjalën e tyre për t’u larguar nga salla me ajër të rënduar dhe të shkonte në një ambient të pastër. Duke dalë nga Pallati i Kongreseve, ai ka përshëndetur simpatizantët e PD-së dhe është larguar nën mbikëqyrjen e rreptë të truprojave, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe kryetarja e Kuvendit. Nga stafi i ngushtë i kryeministrit u tha se ai ka qëndruar për pak çaste në një nga ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku ka konsumuar një kafe dhe pasi e ka siguruar edhe një herë stafin se është shumë mirë, ka zbritur në këmbë shkallët e kësaj ndërtese dhe me makinën që e priste te dera është drejtuar për në shtëpinë e tij, pak metra më larg. Pranë Pallatit të Kongreseve qëndroi në gatishmëri një autoambulancë dhe për një moment u shpërnda lajmin se ajo do të përdorej për të dërguar Kryeministrin në Spitalin Amerikan, por ai zgjodhi që të shkonte në shtëpi, ku gjatë darkës ka pasur komunikim të vazhdueshëm me anëtarë të kabinetit qeveritar. Mësohet se në shtëpi e kanë vizituar Topalli, Basha e ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Kryeministria: “Berisha piu kafe para se të largohej për në shtëpi”
Në mbrëmje, zyra e shtypit e Kryeministrisë shpërndau një njoftim për mediat, ku informoi mbi gjendjen e kreut të qeverisë. “Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij me rastin e 21-vjetorit të PD-së. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normalë dhe gjendje të stabilizuar. Kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq e të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij. Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Axhenda
Berisha, dje 5 takime zyrtare
Axhenda e ditës së djeshme e Kryeministrit konsiderohet si mesatare nga stafi i tij. Në faqen e internetit, deri në mesditë ishte hedhur njoftimi për takimin që Berisha pati me ambasadorin e ri italian, Massimo Gaiani, takimi me deputetët në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar demokrat, si dhe thirrja e Komisionit Shtetëror për veprimtaritë festive në 100 – vjetorin e pavarësisë. Gjithashtu, gjatë paradites ai ka pasur edhe një takim me ambasadoren australiane. Në orën 18:10 ai ka shkuar në Pallatin e Kongreseve për të festuar 21-vjetorin e themelimit të PD-së. Sipas stafit të tij, Berisha ka zhvilluar edhe disa takime të brendshme me ministrat e kabinetit qeveritar. Por, sipas bashkëpunëtorëve të tij, dita e djeshme nuk ka qenë një nga më të lodhshmet për ta bërë atë shkakun kryesor të rëndimit të gjendjes shëndetësore në festën e krijimit të PD-së.

Topalli zëvendëson Berishën në podium: Kaloi gjysmë të fikëti

Nuk pritet torta e ditëlindjes së PD, të gjithë në ankth për shëndetin e Kryeministrit
Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Kryeministrit dhe në momentin kur ai po linte Pallatin e Kongreseve për t’iu drejtuar apartamentit të tij, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dha lajmin se Berisha kishte kaluar një gjendje të fikëti dhe tani ishte më mirë. Pasi u fut sërish në hollin ku po zhvillohej ceremonia, e shoqëruar nga ministrja Bregu, Topalli iu drejtua podiumit ku tha se kryetari i PD-së kaloi një gjendje gjysmë të fikëti. “Kryeministri kaloi një gjendje gjysmë të fikëti për shkak të një viroze. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, gjendja e Kryeministrit ishte momentale dhe ai ndjehet më mirë. Sali Berisha është shumë mirë dhe tani është nën kontroll. Rroftë Sali Berisha!”, ishin fjalët e nënkryetares së PD-së, të cilat u pritën me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit në festë, të cilët prisnin lajme për shëndetin e kryetarit të tyre. Pas kthimit në hollin e Pallatit të Kongreseve nuk e patën të lehtë as Bregu, Basha e Tabaku, të cilët u ndaluan disa herë nga simpatizantët që i pyesnin për shëndetin e Kryeministrit. Pas lajmeve të mira të ardhura nga nënkryetarja e PD-së, të pranishmit u janë drejtuar tavolinave të koktejit por ajo që ka mbetur e paprekur për një kohë të gjatë ka qenë torta e ditëlindjes së Partisë Demokratike. Pas rreth 60 minutash nga nisja e ceremonisë, një kameriere e caktuar për të prerë tortën kur të mbaronte fjalën Kryeministrit, duket se është zënë ngushtë nga kërkesat e simpatizantëve, të cilët kanë dashur ta provojnë, dhe ka nisur ta ndajë atë. Rreth orës 19:30, holli i Pallatit të Kongreseve nisi të boshatisej. Në ato momente të ftuarit ishin më të qetë se shëndeti i Berishës, ndërkohë që shumë prej tyre ishin njoftuar se ai tani kishte mbërritur në apartamentin e tij.
Ceremonia
Në festën e krijimit të PD-së kanë marrë pjesë ambasadorët e BE, SHBA, OSBE-së, si dhe aleatët e demokratëve në qeverisje. Ilir Meta, Fatmir Mediu dhe opozitari Nard Ndoka ishin të pranishëm në ceremoninë e djeshme, teksa kanë munguar përfaqësuesit e PS dhe Presidenti Topi, të cilit i ishte dërguar një ftesë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Këto 21 vite, Partia Demokratike provoi se programi i saj ka në themel liritë e të drejtat e qytetarëve, se pasioni shpirtëror i demokratëve ka qenë dhe do të mbetet liria. Unë jam sot këtu për t’i garantuar shqiptarët se liritë e të drejtat e tyre, zgjerimi e garantimi i tyre është dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive të Partisë Demokratike e maxhorancës së saj, është arritja e madhe e jetës sonë”.

Çfarë është Lipotimia
Lipotimia (rënia e të fikëtit) është ulja e tensionit të gjakut në shifra poshtë 60mmHg. Shenjat janë: djersë në të gjithë trupin, dobësi e menjëhershme sa i sëmuri gati rrëzohet, humbje e ngjyrës së lëkurës. Në këto raste i sëmuri duhet të shtrihet dhe t’i ngrihen këmbët më lart sesa koka.

“News 24” dha i pari lajmin
Pasqyrimi i festës së 21-vjetorit të krijimit të Partisë Demokratike me regji qendrore, njësoj si në fushatat elektorale, këtë herë duket se ka nxjerrë blof të gjitha televizionet, të cilat e ndërprenë transmetimin pasi u ndërpre sinjali nga Pallati i Kongreseve. Megjithatë, “News 24” ishte i pari që dha lajmin e gjendjes shëndetësore të Kryeministrit dhe për pak minuta transmetoi edhe pamjet e para kur ai u largua nga podiumi.

Reagimi i kreut të opozitës dhe deputetit të PS
Rama: Të shkuara Saliut, Islami: E vlerësoj qëndrimin e Edi Ramës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi menjëherë dje lidhur me gjendjen e vështirë shëndetësore që kaloi rivali politik, Sali Berisha. Rama, nga rrjeti “Twitter”, i uroi Kryeministrit shëndet të plotë. “Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndiej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Të shkuara!”, deklaroi kreu i PS-së. Por, kjo deklaratë e shefit të opozitës është shoqëruar dhe me komentet e kritikëve brenda së majtës. Kastriot Islami, ish-sekretar për Çështjet Zgjedhore, ka vlerësuar komunikimin dhe gjuhën e Edi Ramës për kundërshtarin politik. “Vlerësoj qëndrimin e Edi Ramës lidhur me gjendjen shëndetësore të Kryeministrit Sali Berisha. Shpresoj që kjo sjellje njerëzore të mbetet në themel të konkurrimit politik, dhe kjo gjuhë komunikimi të jetë në themel të debatit të ideve, programeve dhe argumenteve të palëve kundërshtare. Kjo nuk do të thotë aspak që të shmanget konkurrimi apo ballafaqimi midis palëve, por këto të kryhen në mënyrë të kulturuar, konstruktive dhe me argumente racionale”, deklaroi Islami në faqen e tij në Facebook. Deputeti i Partisë Socialiste ka inkurajuar palët që të vazhdojnë rrugën e kulturimit politik, në mënyrë që në të ardhmen të shmangen situatat bllokuese për Shqipërinë. “Kjo mënyrë konkurrimi do t’i shërbente kulturimit të ballafaqimeve politike, do t’i shërbente zbutjes së situatave konfliktuale dhe do të jepte mesazhe pozitive në funksion të integrimit të vendit në Bashkimin Europian”, pohoi Islami.

ARISTIR LUMEZI & ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura