
Mjekët kardiokirurgë i shpëtojnë jetën 49-vjeçares nga Durrësi. Lumturie Muçaj është sjellë me urgjencë në spital për shkak të një çarjeje në aortë. Pas një ndërhyrjeje disaorëshe bluzat e bardha kanë arritur të riparojnë defektin e saj, një operacion i cili sot realizohet vetëm në disa shtete perëndimore. “Pacientja u shtrua në kushtet e emergjencës në shërbimin tonë dhe për herë të parë në Shqipëri dhe në dijeninë tonë mund të jetë në 4 apo 5 rastet e para në Ballkan. Ky intervent është jashtëzakonisht kompleks, shënon ato standarde që bëjnë edhe ndarjen kardiokirurgjisë në ato raste të superspecializuara me kardiokirurgjitë konvencionale”, tha shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, drejtori i QSUT-së theksoi se ndërhyrje të tilla tashmë mund të quhen të rralla jo vetëm për realitetin mjekësor shqiptar, por dhe për realitetin më të mirë të klinikave në botë. “Kjo do të thotë se tashmë në QSUT bëhen ndërhyrje tepër të vështira, duke filluar që nga 4 ditësh që është fëmija më i fundit e deri te moshat e thyera me komplikacione të shumta”, tha Ivziku. Gjatë këtij viti janë realizuar 170 intervente për korrigjimin e defekteve të lindura. “Aktualisht mund të them dhe rikonfirmoj se asnjë shqiptar nuk duhet të dalë më jashtë vendit që të trajtohet për sëmundjet me karakter kirurgjikal të zemrës”, tha mjeku kardiokirurg pediatër, Altin Veshti. Ndërkohë që Saimir Kuçi, mjek reanimator, theksoi se në Shërbimin e Kardiokirurgjisë janë operuar fëmijë nga dy kilogramë e deri te moshat 90-vjeçare, të cilët tashmë trajtohen me një normalitet në këtë shërbim. “Shërbimi i Anestezi-Reanimacionit ka përballuar me sukses një shërbim cilësor përgjatë 24 orëve, duke realizuar edhe urgjencat e çdo orëve. Kjo klinikë mund të quhet si një klinikë elitë”, tha Kuçi.
ZIRINA LLAMBRO











