Presidenti i SHBA, Donald Trump thuhet se i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahut të ndalojë sulmet ajrore në Liban, sipas një raporti në Wall Street Journal.
Raporti përshkruan një marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuar midis dy udhëheqësve, me presidentin amerikan që duket i bezdisur nga iniciativat e vazhdueshme ushtarake të qeverisë izraelite.
Sipas Journal, Trump i kërkoi Netanyahut në një telefonatë të kohëve të fundit të “ndalojë së hedhuri në erë ndërtesat” në Liban, ndërsa Uashingtoni përpiqet ta mbajë “gjallë” procesin e deeskalimit në rajon.
Sipas medias, telefonatat e shpeshta midis dy udhëheqësve janë bërë më të nxehta dhe konfrontuese sesa në të kaluarën.
Një person që thuhet se ka dëgjuar bisedat e presidentit amerikan me ndihmësit e tij tha se Trump ka shprehur zhgënjim që Netanyahu “dëshiron të bombardojë të gjithë”.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha gjithashtu gazetës se presidenti është i lodhur nga kërkesat e përsëritura të kryeministrit izraelit për veprime ushtarake.
“Bibi i shpjegon presidentit pse duhet të goditet një objektiv, pse inteligjenca izraelite di si ta bëjë dhe kur ta bëjë, dhe presidenti dëgjon. Bisedat zakonisht janë të njëjta“, thuhet se tha zyrtari.
© Panorama.al












