
KUKES – Shqipëria për herë të parë është bërë kryesuese e Konferencës Ndërkombëtare të Vendeve Nënshkruese të Traktatit të Otavës, për ndalimin e përhapjes, përdorimit dhe prodhimit të minave, punimet e së cilës po zhvillohen në Tiranë. Dje, përfaqësues nga 157 vendet anëtarë të Konferencës dhe mbi 20 përfaqësues diplomatikë, mes tyre dhe ambasadoret e Gjermanisë dhe PNUD-it, kanë parë nga afër ngritjen e kapaciteteve për ndihmën ndaj të aksidentuarve me mina dhe municione të paplasura në Spitalin Rajonal të Kukësit. Në këtë spital, me ndihmën e donatorëve të huaj është ngritur reparti i fizioterapisë dhe reparti i protezimit, për riparimin dhe prodhimin e protezave për të gjymtuarit. Në këto reparte trajtohen aktualisht 100 viktima, por kapacitetet janë dhe për 686 të tjerë nga gjithë vendi që janë aksidentuar nga municionet e paplasura. Arben Braha, drejtor i AMAE-së, (Qendra Shqiptare e Veprimit ndaj Minave), tha se pas çminimit të brezit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, po bashkëpunohet me donatorët e huaj dhe autoritet qeveritare shqiptarë që zyra të shtrijë aktivitetin e saj edhe në demontimin e municioneve të paplasura, që janë në depot e ushtrisë shqiptare. Ndërkohë, pranë kësaj zyre ushtron aktivitetin edhe Zyra e Asistencës ndaj Viktimave dhe të Edukimit. Sipas koordinatorit të kësaj zyre, janë disa projekte që kanë të bëjnë me mbledhjen e të dhënave, asistencën mjekësore, ndërtimin e kapacitetit dhe qëndrueshmërisë, ndihmën social-psikologjike, integrimin ekonomik dhe ri-integrimin arsimor të viktimave të minave. Gjatë luftës së Kosovës, në një brez kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë, në thellësi deri në 20 km të territorit administrativ të Shqipërisë u minua nga ushtria dhe policia serbe një sipërfaqe e konsiderueshme, kryesisht në Has, Tropojë e më pak në Kukës. Gjatë viteve 1999-2005 ndodhën 210 aksidente me mina, nga ku humbën jetën 34 persona dhe u plagosën ose u gjymtuan 238 banorë. j.h











