TIRANE – Ndahet nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, prokurori i Krimeve të Rënda, Xhevat Hana. Prokurori i njohur i dosjes penale të zhdukjes së Remzi Hoxhës humbi jetën dje në një spital në Itali, ku ishte dërguar për kurim prej disa javësh. Lajmi është bërë i ditur dje nga burimet zyrtare, të cilat thanë se prokurori i njohur u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare. Prej më se një muaji, prokurori Hana trajtohej fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Itali nga një sëmundje e rëndë. Hana ishte kuruar në Shqipëri dhe ishte nisur për në Itali pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të tij. Prokurori Xhevat Hana prej pesë vitesh ka hetuar dhe më pas ka përfaqësuar Akuzën në gjyq për dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas që humbi gjurmët në Tiranë në tetor të vitit 1995. Xhevat Hana kishte një karrierë të spikatur në fushën e Drejtësisë e Gjyqësorit, fillimisht si inspektor i Avokatit të Popullit e më pas si këshilltar juridik i Presidentit të Republikës Alfred Moisiu, ku pati angazhime direkte në çështje të rendit dhe drejtësisë. Në vitin 2004, Xhevat Hana mori përsipër rihapjen e dosjes së mbyllur për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe më pas kreu veprimet hetimore paraprake duke vënë nën akuzë katër ish-zyrtarë të shërbimit sekret, si dhe duke kërkuar ekstradimin e Ilir Kumbaros.











