
Drejtoi Revolucionin e Kadifenjtë, u bë simbol i demokracisë.
Çekët mbajtën zi dje për vdekjen e Vaclav Havel, ish-presidenti dhe dramaturgu disident, i cili ka kaluar disa vjet në burg për t’u bërë më pas lideri i parë i Çekosllovakisë postkomuniste. Në kështjellën “Hradcany” të Pragës, ku ndodhen zyrat presidenciale, u ngritën flamuj të zinj, ndërsa zyrtarët e qeverisë kanë nisur të planifikojnë detajet për atë që kanë premtuar të jetë funerali më i madh shtetëror në dekada dhe qytetarët kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj nëpër rrugët e Pragës, sapo televizioni shtetëror transmetoi lajmin e vdekjes së tij. Funerali është planifikuar të mbahet më 23 dhjetor, ka raportuar Agjencia Çeke e Lajmeve. Havel vdiq dje në gjumë, pas një sëmundjeje të gjatë në rrugët e frymëmarrjes. Ai ishte një ikonë ndërkombëtare, pasi kishte kundërshtuar regjimet totalitare në ish-bllokun sovjetik dhe ka ndihmuar në drejtimin e Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989. Ai ka qenë president për rreth 13 vjet dhe ndër miqtë e tij më të ngushtë ishin Nelson Mandela dhe Lech Valesa. Motoja e tij gjatë tranzicionit ishte “E vërteta dhe dashuria do të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen”. Presidenti aktual çek, Vaclav Klaus, tha se “Vaclav Havel u bë një simbol i shtetit të ri çek. Ai do të kujtohet jo vetëm për luftën e tij kundër totalitarizmit komunist, por edhe për lidershipin e Revolucionit tonë të Kadifenjtë dhe si president i parë i shtetit të lirë”.
Havel u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, në shtëpinë e tij në veri të Pragës. Ai u ka mbijetuar disa operacioneve për kancerin në mushkëri, të cilat e lanë atë të dobët fizikisht për pjesën tjetër të jetës. Havel ishte me gruan e tij, Dagmara dhe një infermiere gjatë momenteve të fundit të jetës.
Ish-presidenti polak, Lech Valesa, tha: “Një njeri i madh, një burrë me merita. Të gjithëve do të na mungojë. U prehtë të paqe!”
I lindur në vitin 1936, djali i një ndërtuesi të pasur, Havelit iu mohua e drejta të merrte një edukim të mirë kur komunistët erdhën në pushtet në vitin 1948 dhe ia rrëmbyen familjes së tij të gjithë pasurinë. Pjesa më e madhe e punës së tij në presidencë ishte lufta për shpirtin e reformave demokratike kundër ekonomistit të krahut të djathtë, Vaclav Klaus, i cili e zëvendësoi atë në vitin 2003. Pas largimit nga presidenca, Havel iu përkushtua sërish dramaturgjisë me veprën “Largimi”.
Vetë Havel është shprehur: “Gjëja më absurde që i ka ndodhur, ishte që ka qenë aq gjatë president dhe më vonë i njërit prej dy shteteve: një herë i Çekosllovakisë dhe pastaj prej vitit 1993 i Çekisë”. I njohur si një njeri i qetë e modest, Havel u bë simbol në mbarë botën për fillimin e ri demokratik të vendit të tij.
Fillimisht ai ka punuar si punëtor në teatër, shkroi veprat e tij të para dhe u bë kritik i regjimit dhe në vitin 1968, kur trupat e Paktit të Varshavës marshuan në Pragë dhe në vitin 1977, si njëri nga themeluesit e lëvizjes demokratike “Charta 77”. Deri në vitin 1992, ai ishte president i Çekosllovakisë, kur nacionalistët sllovakë kërkuan largimin e tij duke e qëlluar me vezë. Havel dha dorëheqjen. Vendi u nda dhe në vitin 1993 Haveli u bë presidenti i parë i Republikës Çeke dhe qëndroi dhjetë vjet në pushtet, me gjithë sëmundjet e rënda. Një president që e çoi vendin drejt Perëndimit, por e kritikonte edhe këtë Perëndim. Pas përfundimit të mandatit në vitin 2003, ai u angazhua për të drejtat e njeriut.
Vetëm pak ditë më parë ai ishte interesuar për botimin në shqip. Dëshironte që në vendin me një të kaluar të përbashkët të mund të lexoheshin edhe kujtimet e tij. U nda nga jeta pa e parë librin e botuar. Shtëpia Botuese “55” hedh së shpejti në treg librin “Ju lutem shkurt”, ndërtuar mbi një rrëfim të gjatë mbi jetën letrare dhe politike të ish-presidentit çek, Vaclav Havel. Libri është përkthyer nga Ilir Alushi dhe është ndërtuar mbi një intervistë që ish-presidenti bën me gazetarin dhe analistin e njohur, Karel Hvizhgjalën, ndërthurur me copëza kujtimesh. “Ju lutem shkurt”, duket se është një nga librat më të dashur të ish-presidentit. Havel ishte shumë i lumtur që libri do të botohej në gjuhën shqipe, dhe e ka ndjekur me interes përkthimin e librit. Vetëm disa ditë më parë Havel është interesuar mbi botimin e këtij libri përmes sekretares së tij. Ndihem e prekur që Havel nuk mundi ta shihte librin të botuar në shqip, një libër të cilin ai gjithnjë e quajti si një nga rrëfimet më të ndjera”, thotë Alda Bardhyli, drejtoreshë e botimeve “55”, e cila na vë në dispozicion një copëz nga libri i ish-presidentit Havel. al.mi
Pjesë nga libri
(Uashington, 7.4.2005). U largova. U largova për në Amerikë. U largova për dy muaj së bashku me familjen, me Dashën, me dy qentë dhe vajzën e saj Madlenkën. U largova me shpresë se këtu do të gjej më shumë kohë dhe përqendrim për ndonjë shkrim. Që dy vite nuk jam president dhe kam filluar të jem nervoz, se deri më tani asgjë serioze nuk kam shkruar. Kur me pyesin nëse shkruaj e se çfarë shkruaj, nevrikosem paksa dhe them se gjatë jetës sime kam shkruar shumë, sigurisht më shumë se pjesa më e madhe e bashkëqytetarëve të mi e se shkrimi nuk është një detyrim i prekshëm. Këtu jam mik i bibliotekës së Kongresit, ku më është rezervuar një ambient shumë i qetë dhe i këndshëm, ku mund të shkoj kur dëshiroj dhe mund të bëj çfarë të dua. E për këtë kurrkush nga unë nuk do asgjë. Kjo është e mrekullueshme. Me dëshirë, përveç të tjerash, do t’u përgjigjem pyetjeve të zotit Hvizhgjala
Zoti President, nëse do të më lejoni, do ju drejtohem ashtu si quhen presidentët e meritës në shumë vende të botës. Bisedën do të dëshiroja ta filloja me pyetjen, që ka lidhje më gjysmën e dytë të viteve ‘80, kur u bëtë disidenti më i njohur në Europën Qendrore, ose siç ka shkruar John Keane “yll në teatrin e opozitës”. Ju kujtohet momenti kur për herë të parë ju shkoi ndër mend që duhet të hyni në jetën politike dhe për këtë nuk mjafton vetëm roli i dramaturgut, eseistit dhe mendimtarit?
Para së gjithash, do të doja të thosha diçka në lidhje me cilësimin “ylli në teatrin e opozitës”. Së pari bëmë gjithçka që të mos ndahemi në “yje” e në të tjerë, sa më shumë që një nga ne ishte i njohur e rrjedhimisht dhe më i mbrojtur, aq më tepër u përpoq që të dalë në mbrojtje të atyre më pak të njohurve që ishin dhe më të dobët në këtë drejtim. Mirëpo regjimi i përmbahej principit “përça e sundo”. Dikujt i thoshit “Si është e mundur që ju, një dijetar i respektuar nga të gjithë, të merreni me këto njerëz pa vlera”. Dikujt tjetër i thoshit: Mos fillo me këto, këto janë kafshë të mbrojtura, dhe këto nga kjo në një farë mënyre do të dalin dhe ty do të lenë në të, në mënyrë që ti të kesh të gjitha pasojat dhe për ta”. Është e kuptueshme që në një situatë të tillë i dhamë rëndësi parimit të barazisë të të gjithë atyre që në një farë mënyre u shprehën kundër regjimit… Së dyti: e këtë e dini shumë mirë. Gjithmonë dyshoj për veten, kritikoj veten për gjithçka të mundur e të pamundur, nuk e pëlqej veten, e një individ i tillë nuk mund të pranojë pa protesta të mbajë një vlerësim të tillë që është “yll”. Nga ana tjetër, duhet të pranoj që në brendësi kam një aftësi integruese: jam një person i cili nuk i pranon konfliktet fizike, atmosferat mbytëse dhe konfrontimet, sidomos kur nuk janë të nevojshme, nuk kam qejf kur flitet vetëm për një problem pa asnjë rezultat të dukshëm, jam përpjekur që t’i pajtoj njerëzit, të ndikoj në përshtatshmërinë e tyre dhe të kërkoj mënyrën se si një mendim të përbashkët ta kthejmë në një veprimtari të perceptueshme. Mbase këto kanë qenë cilësitë e mia, të cilat edhe se nuk jam përpjekur dhe nuk kam dashur, më nxorën në ballë të lëvizjes opozitare, e si pasojë mund t’i jem dukur dikujt si një “yll”. E tani do t’i përgjigjem pyetjes tuaj: nuk mendoj që në jetën time mund të gjendet një vijë ndarëse midis kohës, kur nuk i jam kushtuar politikës dhe kohës kur i jam kushtuar. Në një farë mënyre, me politikën dhe çështjet publike jam marrë gjithnjë e në një farë mënyre- dhe duke më konsideruar vetëm si shkrimtar- kam qenë tregues politik. Në kushtet e regjimeve totalitare, politikë konsiderohet gjithçka, të themi dhe një koncert i muzikës rrok. Sigurisht ndryshime janë, por këto ekzistojnë në llojin dhe dukshmërinë e pasojave politike të asaj çfarë kam bërë: ndryshe ishin në vitet gjashtëdhjetë dhe ndryshe në vitet tetëdhjetë. I vetmi moment kyç në jetën time nga kjo pikëpamje, ishte momenti kur në nëntor të vitit 1989 vendosa të pranoj kandidaturën për president. Në këtë moment nuk kishim të bënim më me ndikimin politik të asaj që bëj dhe filloi periudha e funksionit politik, me të gjitha çfarë ajo përmban. Ngurrova deri në momentin e fundit.
Pati ngurrime apo kjo ju joshi?
Më shumë kam pasur ngurrime, frikë. Ishte diçka krejt e re për mua. Unë nuk isha i përgatitur për këtë rol, me ndryshim nga presidentët amerikanë që përgatiten për këtë funksion. Për këtë ndryshim thelbësor të jetës sime duhej praktikisht të vendosja brenda disa orëve. Së fundi triumfoi apeli i ambientit që më rrethonte mbi përgjegjësinë time personale: më thanë pikërisht atë që më vonë shpesh ua përsërita të tjerëve, të cilët u përpoqa t’i ftoj në politikë, duke i thënë se nuk është e drejtë që tërë jetën vetëm të kritikojnë dhe, kur kanë mundësi të tregojnë se kjo mund të bëhet më mirë, atëherë të tërhiqen anash… Ky apel ishte i shoqëruar dhe me konkluzionin se në një situatë revolucionare kjo është e vetmja zgjidhje dhe se të gjitha përpjekjet tona do të ishin të padobishme dhe të gjithëve të tjerëve do t’u kisha pështyrë në fytyrë, nëse si figura kryesore e ngjarjeve do të kisha refuzuar të angazhohesha më tej dhe të përballoja pasojat e veprimeve të mia.
Cili ishte mendimi i gruas suaj të atëhershme, Olgës, e cila ishte e njohur për gjykimet e saj të prera?
Duhet të them se vendimet e mia si disident gjithmonë i ka përkrahur. Për sa i përket kandidaturës për president, dhe ajo si unë kishte dyshimet e saj, ndoshta më të forta. Por së fundi ma dha aprovimin e saj.
Disa nga kolegët tuaj menjëherë pasi lexuan librin tonë “Hetim në largësi” të vitit 1986, patën ndjenjën që ti do të futesh në politikë. Nëse më kujtohet mirë, këtë mendim i ka shprehur dhe Milan Kundera Vaclav Bjelohradskit. Unë personalisht e kam dëgjuar që mund të bëheshit president në fillim te vitit 1989, nga Pavel Tigridi, i cili më pyeti se çfarë mendoja për këtë. Kur u njohët ju për herë të parë me këto mendime dhe cili ishte qëndrimi ndaj këtyre hamendjeve?
Nuk habitem që këtë e ka thënë Milan Kundera. Mendoj se gjithnjë më ka konsideruar si një njeri më politik, sesa unë e kam konsideruar veten. Kur së fundi Pavel Tigridi shkroi në revistën “Svjedectví” që botohej në ekzil, që unë mund të isha presidenti i ardhshëm, kam qeshur me këtë si ndaj një shakaje. Po kështu kam qeshur dhe në verën e këtij viti kur këtë ma tha Adam Michnik. Por sigurisht me një farë rëndësie për domosdoshmërinë e kandidaturës sime gjatë ditëve te revolucionit filloi të flasë, nëse nuk gaboj, miku im Michael Kocab. Me kalim e kohës më duket se kam qenë i fundit që këtë ide të postit të presidentit e kam kapur me seriozitet.
Në kohën e daljes nga burgimi, pra pas vitit 1983, ke marrë çmime të shumtë prestigjioze. Në SHBA çmimin “Obie” për dramën e vënë në skenë jashtë Broadway-it, në vitin 1986 çmimin “Erasmus Roterdamski”, në vitin 1989 Çmimin e Paqes të botuesve gjermanë në Panairin e librit të Frankfurtit etj. A patët frikë se po ktheheshit më shumë në një ikonë politike sesa në shkrimtar? Se Perëndimi me çmimet e tij po ju shtynte drejt politikës?
Vetëm për saktësi, çmimin “Obie” e kam marrë dy herë në vitet ’60 e në atë kohë asnjëfarë “ikone” nuk mund të isha. Po e pranoj, se më vonë, kjo do të thotë në kohën që kam qenë në burg e pas daljes nga burgu, doktoratat dhe çmimet që mora, ishin më shumë sesa shprehje e mirënjohjes ndaj veprës sime, shenjë respekti për diçka që do ta quaja historia ime: u perceptova si dikush i cili nuk u tërhoq nga e vërteta e tij, ishte i gatshëm që për të, të shkojë në burg, dhe atje refuzoi propozimin për emigrimin, pastaj doli nga burgu e vazhdoi pikërisht në atë që bënte më parë- kjo është një histori e bukur e për më tepër shumë e kuptueshme. Mund të qesh me këtë dhe të mendoj që nuk jam kaq simpatik sa historia ime e, si rrjedhojë, çmimet i kam marrë pa meritë, por në të njëjtën kohë duhet të pranoj që është shumë e mirë që një histori e tillë është perceptuar, respektuar dhe shpërblyer. Kjo është dhe për të mirën e përgjithshme- si një mënyrë e konfirmimit të vlerave të caktuara, respektivisht kuptimit të një pune të caktuar- kjo është dhe një përkrahje shumë konkrete e kësaj pune, e falë kësaj merret gjithnjë e më tepër në konsideratë. Kush e di nëse pa vëmendjen ndërkombëtare do të kisha mbijetuar burgimin, ose në vend të pesë viteve do të isha burgosur 15 vjet. Diçka tjetër është vazhdimi i historisë sime: më shumë doktorata dhe çmime kam marrë gjatë periudhës si president. Në këtë kohë , istoria ime u ngjiz dhe u mbyll në një mënyrë pothuajse përrallore, nëse nuk dua të them si një kiçe: çeku Honza- megjithëse të gjithë i thoshin që kjo nuk ka asnjë vlerë- përpiqej të shembte murin me kokë dhe e goditi kaq gjatë, sa me të vërtetë muri ra dhe ai u bë mbret, e mbretëroi 13 vjet të gjatë. E me të vërtetë “kjo përrallë” pati një ndikim të madh e, si rrjedhojë, gëzova e ende gëzoj një admirim më të madh se ai që meritoj, por dhe për këtë nuk do të qesh. Pse të mos nxirren në pah pikërisht këto lloje happy and-esh? Pse kjo nuk mund të jetë më burim shprese dhe për ata për të cilët ky mur nuk ka rënë? Çfarë ndjenjash e çfarë mendoj unë për këtë, kjo nuk është e rëndësishme. Dhe diçka: çmimet i kam kuptuar si një farë përkëdheljeje, që në një farë mënyrë ekuilibronte atë mund të pafund, të padukshëm e shterues, që fshihej pas pjesës presidenciale të historisë sime.
Disa herë jeni propozuar për çmimin “Nobel” të paqes. Jeni mërzitur që këtë çmim nuk e morët asnjëherë?
Çdo njeri është së paku pak ziliqar. Mendoj se do të gënjeja, sikur të shtiresha se për mua është njëlloj nëse e marr apo jo këtë çmim. Sigurisht, kjo do të më gëzonte. Mosinteresi ose mospërthithja do të ishin shprehje e një madhështie të tepërt. Kujtoj se si nuk më pëlqeu gjesti i Jean-Paul Sartre, i cili kundërshtoi të marrë çmimin “Nobel” të letërsisë. Ndoshta e kam gabim, por atëherë këtë e ndjeva si një përpjekje për të luajtur rolin e një rebeli. Është e kuptueshme që në kohën e komunizmit ky çmim do të kishte forcuar shumë përpjekjet tona. Në periudhën e presidencës do ta kisha pranuar me një vrasje ndërgjegjeje. Mendoj se politikanët që janë në poste, e kanë për detyrë të përpiqen për paqen, për një botë të mirë e të drejtë, paguhen për këtë dhe do të ishte më mirë që këtë çmim ta marrë dikush tjetër, i cili për diçka të mirë përpiqet, pavarësisht se kjo nuk është detyrë e tij dhe rrezikon shumë me këtë. Ky çmim i përkrah dhe i forcon këta njerëz dhe përpjekjet e tyre, e nuk është vlerësim për të kaluarën.











