
Pas marrjes së plotë të komandës operative në Libi, NATO-ja ka nisur testin e parë me qytetin Ajdabiya, ku po zhvillohen luftime të ashpra mes rebelëve dhe forcave të Gedafit.Përpjekjet e rebelëve për të nxjerrë jashtë qytetit skuadrat e Gedafit dhe tanket e tij kanë dështuar, duke shënuar qindra viktima. Me gjithë bombardimet gjatë natës, forcat e Gedafit nuk kanë dalë nga qyteti. Rebelët tentuan t’i sulmonin vetë ata, por pa pasur sukses. Humbje të mëdha në njerëz janë shënuar kryesisht nga pala e rebelëve. Mijëra banorë të këtij qyteti, kryesisht familjarë të rebelëve, janë larguar drejt ndonjë zone më të qetë për të mbrojtur fëmijët e tyre. Dje NATO ndërhyri në këtë qytet, i cili mbetej më i rrezikuari që pas çlirimit të Misratës nga forcat e koalicionit, përpara se t’i kalonte komanda Aleancës Veriatlantike. Pamje televizive të avionëve të Aleancës që shkatërronin tanket libiane janë publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa Unioni Afrikan kërkon të ndërmjetësojë për të evituar gjakderdhjet. Avionë luftarakë janë dëgjuar të fluturojnë në Ajdabiya, në pjesën lindore të Libisë të premten, pas tre shpërthimeve, të cilat, sipas rebelëve në këtë qytet, kishin goditur forcat e Muamar Gedafit atje. Pentagoni ka dhënë për mediat disa detaje mbi bombardimet gjatë natës. Koalicioni ka hedhur 16 raketa “Tomahawk” dhe ka kryer 153 sulme ajrore gjatë 24 orëve të fundit kundër artilerisë së Gedafit. Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s është shprehur nga Brukseli se NATO-ja ka planifikuar që operacioni i zonës së ndalim-fluturimit të zgjasë rreth 90 ditë, edhe pse kjo periudhë mund të shkurtohet apo të zgjatet, sipas zhvillimeve. Franca, e para që nisi sulmet kundër Libisë, ka vlerësuar se operacionet mund të zgjasin disa javë. Qeveritë perëndimore shpresojnë që fushata e bombardimeve kundër Libisë të shërbejë edhe për të zbutur qeverisje të tjera autokratike në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme. Në Tripoli, banorët kanë protestuar përpara perëndimit dje, ndërkohë që në qiell vërtiteshin avionët e NATO-s, për të treguar se ata do të jenë gjithmonë të gatshëm të sakrifikohen për të mbrojtur Gedafin. Shtetet e Bashkuara kanë raportuar se mundësia e Gedafit për të komanduar dhe kontrolluar forcat e tij ishte zvogëluar. Por televizioni shtetëror libian raportoi se “vëllai-lider” i ka graduar të gjithë anëtarët e forcave të tij të armatosura dhe të policisë “për luftën e tyre heroike dhe kurajoze kundër sulmit kolonial të kryqëzatës”, pa dhënë detaje të tjera. Ndërkohë, bombardimet e NATO-s kanë prekur edhe rrethinat e Tripolit. Kryeministri britanik, David Kameron, tha se “nuk ka të ardhme për Libinë me në krye Gedafin”. Ai kërcënoi mbështetësit e tij se rrezikojnë të shpallen fajtorë për krime lufte.
Unioni Afrikan
Në Unionin Afrikan ka plane për të ndërhyrë në fushatën ndërkombëtare ndaj Libisë për të kërkuar lehtësimin e bisedimeve që duhet t’i japin fund luftës në vendin e pasur me naftë. Një ditë më parë Gedafi ka kërkuar ndihmën e Unionit Afrikan duke akuzuar ndërkombëtarët se po vrasin civilët dhe duke kërcënuar se do të merret haku i tyre. Gedafi i ka bërë thirrje Unionit Afrikan të bashkohet me të, ndërsa brenda Unionit janë shtuar zërat se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ishte disproporcionale dhe e padrejtë.
Sanksione të reja
Bashkimi Europian ka miratuar masa të reja kufizimi për Libinë, për të shmangur që të ardhurat e gazit dhe të naftës të kalojnë në fondet e Gedafit. Ndërsa si Union, europianët kanë bërë thirrje për largimin e Gedafit. Ata kanë mbështetur mbrojtjen e integritetit territorial të Libisë. BE kërkoi që autoritetet libiane të njohin faktin se misioni ndërkombëtar bëhet për të mbrojtur civilët. Sipas Këshillit të Europës, operacionet në Libi do të vazhdojnë deri kur të ketë siguri për popullsinë civile.
SHBA-Britani
Britania ka luajtur deri tani një rol dominues në diplomacinë ndaj Libisë, por angazhimi i saj në operacionet ushtarake ka qenë plotësisht modest ndaj atij të SHBA-ve. Britania ka hedhur në Libi shtatë raketa “Tomahawk”, krahasuar me të paktën 168 raketa të të njëjtit lloj që janë hedhur nga SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se kishin plan për të hedhur 40 raketa në një bazë ushtarake të Gedafit, ndërsa ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hague, ka deklaruar se Britania ka kryer gjithsej 59 operacione në Libi.
© Panorama.al











