Drita nga galaktikat më të largëta, miliarda vite drite larg nesh, është aq dobët sa që lëvizë nga spektri i shikueshëm në segmentin infra të kuq dhe shndërrohet në nxehtësi. Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, po ndërton një teleskop të ri të hapësirës që do të jetë në gjendje të studiojë këtë lëvizje të dritës. Sipas “Zërit të Amerikës”, në një “dhomë të pastër” të NASA-s në Qendrën e Hapësirës Goddard, në periferi të Uashingtonit, inxhinierët po ndërtojnë një teleskop të ri hapësire që mban emrin e drejtorit të dytë të NASA-s, James Webb. Ata shpresojnë ta lëshojnë atë në orbitë në vitin 2014. Teleskopi i ri do t’i ndihmojë shkencëtarët ta hedhin vështrimin miliarda vite dritë larg. Zëvendës drejtori i ekipit që punon për teleskopin, Jonathan Gardner, thotë se pasqyra e tij me diametër 6.5 metra do të jetë në gjendje të diktojë sinjale infra të kuqe shumë të dobët, sepse do të mbahet në temperaturë shumë të ulët, afër zeros absolute (-277 Celsius). Një ekran i madh, me madhësinë e një fushe tenisi, do ta mbrojë atë nga nxehtësia e tokës dhe e diellit. Por si mund të shikojnë shkencëtarët në të kaluarën? Jonathan Gardner shpjegon:) “Mund të shikojmë në të kaluarën, sepse drita do kohë të arrijë deri tek ne. Ndërkohë, sa më larg që ne arrijmë të shikojmë, aq më shumë kohë i duhet dritës të arrijë këtu, pra në të vërtetë ne shikojmë në të kaluarën. Nëse e hedhim vështrimin në një largësi të caktuar, atëherë mund të mësojmë se si ka qenë gjithësia në të kaluarën, kur kjo dritë emetohej nga galaktikat e ndryshme. Në këtë rast, ne mund të shohim gjithësinë kur ka qenë më e re e deri afër Big Bengut”.
Zoti Gardner thotë se shkencëtarët duan të dinë kur janë formuar galaktikat e para, si ishin ato, çarë cilësi kanë pasur, si kanë lindur yjet. Disa nga shkencëtarët shpresojnë të gjejnë diçka që ne nuk e dimë se ekziston. Teleskopi do të jetë i pajisur me tre kamera infra të kuqe me sensor më të fuqishëm se më parë. Por pjesët më interesante janë pasqyrat e veçanta me shtresa ari që formojnë pasqyrën kryesore të teleskopit. “Pasqyra kryesore është e ndërtuar nga 18 segmente gjashtëkëndëshe. Secili segment është i mbështetur nga një bosht që i lejon të lëvizin. Kështu që ne mund të komandojmë lëvizjen e pasqyrave dhe në këtë mënyrë mund t’i mbajmë ato në linjë të drejtë dhe me fokus të përbashkët”. Jonathan Gardner thotë se teleskopi i ri do të jetë në disponim të shkencëtarëve në gjithë botën, projektet e të cilëve do të zgjidhen në bazë të nevojave dhe rëndësisë shkencore. “Ne do të kërkojmë propozime nga astronomët. Astronomët nga çdo universitet i botës mund të bëjnë projekt-propozime. Komisioni i përbërë nga rreth 100 astronomë do t’i shqyrtojë këto propozime dhe do të zgjedhë projektin që do të përdoret për një vit të caktuar”. Zoti Gardner thotë se ky proces siguron shfrytëzimin më të mirë të mundshëm shkencor të teleskopit, duke iu përgjigjur pyetjeve më të rëndësishme të kohës. Teleskopi i ri do të dërgohet në hapësirë në vitin 2014 dhe pritet të funksionojë për 10 vjet me radhë. Jetëgjatësia e tij është e kufizuar nga sasia e karburantit në motorët, të cilët do të përdoren kohë pas kohe për pozicionimin e tij në hapësirë. Teleskopi do të stacionohet në një distancë 1 milionë e gjysmë kilometra larg tokës, kështu që astronautët nuk do të jenë në gjendje ta furnizojnë atë me karburant.











