Fitorja e Napolit 2-0 ndaj Vilarealit në Grupin A të Ligës së Kampioneve ka sjellë lajmet e para të këqija për skuadrën e Valter Maxarrit. Dëmtimi në kavilje i sulmuesit uruguaian, Edinson Kavani, ka rezultuar edhe më serioz nga çfarë dukej. Lojtari, i cili shënoi golin e dytë të ndeshjes nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 17-të, u zëvendësua pas një përplasjeje me një lojtar spanjoll. Ai pritet të mungojë në ndeshjen e Serisë A kundër Interit, në “San Siro”, edhe pse koha e rikuperimit të tij nuk është përcaktuar ende. Kështu, sipas mediave italiane, lojtari mund të mos jetë i gatshëm për të paktën dy javë. “Ndihem krenar për Napolin tim, për atë që po bën në Europë dhe Itali, por jam i shqetësuar për Kavanin. Nuk dimë ende në ç’gjendje është dëmtimi i tij dhe sa do na mungojë. Shpresoj që të rikthehet sa më parë”, tha Maxarri, skuadra e të cilit renditet në vend të dytë në grupin e saj me 4 pikë.











