
Ish-lideri historik i PS: Më prisni në konkurrim.
“Rama nuk rreshti së bëri marifete pushteti duke ushqyer shantazhin ndaj palëve të tjera”
Ish-kryeministri Fatos Nano e ka kërcënuar dje sërish kryetarin e PS-së, Edi Rama, se nëse nuk e kandidon për President, do të jetë në garën për Kryeministër në vitin 2013.
Deklarata e Nanos erdhi pak orë përpara se kreu i socialistëve dhe Kryeministri Sali Berisha të takoheshin në selinë e Kryesisë së Kuvendit për të negociuar për kreun e ri të shtetit. Në një njoftim të shpërndarë nga Arian Galdini, koordinatori i lëvizjes “Nano” për President, thuhet se “Fatos Nano është i gatshëm dhe i vendosur që nëse do të pengohet arbitrarisht dhe pashpjegueshmërisht në mundësitë e tij për të garuar për President, atëherë do t’i vetofrohet publikut dhe qytetarëve shqiptarë për të konkurruar me të gjithë kryetarët e derisotëm për zgjedhjet e vitit 2013, bazuar në një alternativë të qartë vlerore. Konkurrenca e lirë dhe e ndershme, pjesëmarrja e publikut dhe transparenca janë në themelin dhe shpirtin e qëllimeve dhe vizionit politik të Fatos Nanos”. Në njoftim thuhet gjithashtu se Nano kërkon të kandidojë për t’i shërbyer vendit si President, ndërsa politika e krizës, siç e quan ai, kërkon të bëjë pazare dhe të merret vesh sipas traditës joperëndimore për rregulla loje prej nga ku të fitojnë mandate deputetësh e zgjidhin punët e pushtetit. “Ata luajnë e luftojnë veç për pushtet e motivohen nga dëshira dhe ambicia që ose njeri të mbetet Kryeministër, ose të bëhet tjetri, i cili drejton deri sot opozitën. Është Fatos Nano ai që po u prish punë kryetarëve që të bëjnë pazare e të merren vesh për lojëra e marifete pushteti. Fatos Nano u vetofrua dhe priti me qetësi olimpike që kryetari i PS-së, Edi Rama, të kthjellohet e të fillojë të mendoje për vendin më shumë se sa për lojërat e marifetet e pushtetit. Por Edi Rama nuk rreshti së bëri lojëra e marifete pushteti duke ushqyer krizën, shantazhin ndaj palëve të tjera politike e duke shpërfillur dhe anashkaluar Fatos Nanon”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Ish-kryeministri i PS-së është shprehur i gatshëm të konkurrojë për të qenë President konsensual, por edhe në një garë të lirë dhe të ndershme në Parlament nëse deputetët nuk do të zgjedhin kreun e ri të shtetit përmes urdhrave të kryetarëve. “Fatos Nano ka dëshmuar se politikës së krizës dhe shpërfilljes së Edi Ramës, nëse Edi Rama nuk reflekton e kthjellohet, do t’i kundërpërgjigjet me konkurrim dhe dinjitet. Demokracia është konkurrencë dhe dinjitet. Kush nëpërkëmb dinjitetin e cilitdo qytetar e aq më tepër të ish-kryetarit të PS-së dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, e meriton të ballafaqohet me kostot e konkurrencës me dinjitet. E megjithatë, lëvizja e Nanos nuk është as kërcënim e as shantazh, por ftesë për reflektim e kthjellim për Edi Ramën, ose ftesë për konkurrim me dinjitet”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp nga zyra e ish-kreut të PS-së, Fatos Nano.
Takimi me mbështetësit
Kandidati i vetëshpallur për postin e kreut të shtetit, Fatos Nano, zhvilloi dy ditë më parë takime me ish-deputetët, ish-drejtues të PS-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët ka shpjeguar arsyet e vetëofrimit për postin e Presidentit. Nano, gjatë takimit me përkrahësit e tij e ka cilësuar si të pakuptimtë dhe të paarsyetuar qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste për të mos i dhënë mundësinë e firmave të deputetëve dhe për t’i mundësuar atij të hyjë zyrtarisht në garën presidenciale. Në një deklaratë për mediat Nano ka kërkuar mbështetjen nga kryetari PS-së, në rast të kundërt, ai do të krijojë një lëvizje të re politike brenda së majtës.
Takimi, nuk flitet për Nanon
Me gjithë kërcënimin e ish-kryetarit të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit të vendit, Fatos Nano, në drejtim të Edi Ramës, ky i fundit nuk është ndalur për asnjë minutë te emri i tij në takimin e mbrëmshëm me Kryeministrin Sali Berisha. Edhe në përfundim të takimit, kryetari i socialistëve u shpreh se opozita nuk do të hyjë në garë emrash për faktin se është pakicë në Parlament.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











