Nano, 4 qëndrime në një ditë

Jun 12, 2012 | 13:35

Fatos Nano

Ish-kreu i PS sulmoi Ramën, Berishën, kontestoi procedurën e zgjedhjes së Nishanit.

Në fund uron Nishanin: Simbol i unitetit kombëtar.

Kandidati i vetëshpallur për President, Fatos Nano, ishte mjaft aktiv dje gjatë një dite të vrullshme politike me zhvillime të papritura. Ndryshe nga ditët e tjera, Nano ka reaguar për çdo pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit. Ish-lideri socialist e ka cilësuar turp situatën e krijuar pas dorëheqjes nga gara të analistit dhe ekonomistit Artan Hoxha, duke ua faturuar këtë përgjegjësi kryetarëve të partive politike. “Turp dhe vetëm turp mund të konsiderohet gjithçka po ndodh me procesin e zgjedhjes së Presidentit; turp sepse ka arratisje nga serioziteti; turp sepse ka arratisje nga përgjegjshmëria; turp sepse ka arratisje nga integrimi; turp sepse ka arratisje nga Europa”, u shpreh Nano në njoftimin e parë dje. Ai i kërkoi PS ta kandidojë atë për të qenë ai garant i fitoreve të ardhshme të PS.
“Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti e të mos i shmanget e as druhet garës. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon, duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë”, u shpreh Nano në njoftimin e tij. Por, tri orë më vonë, rreth orës 16:00, një orë para nisjes së raundit të katërt në Kuvend për votimin e Bujar Nishanit për President, Nano reagoi sërish. Pasi ishte konsultuar me juristë, Nano e cilësoi të papajtueshëm me Kushtetutën kandidimin e Nishanit ministër për President. “Pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tonë, Fatos Nano i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit i paralajmëruar me kandidat te radhës për President, ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese”, shprehet Nano. Sipas tij, bazuar në Kushtetutë, një ministër i kabinetit qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen, dhe dorëheqja e tij duhet të jetë pranuar me dekret nga Presidenti. Gjithashtu, sipas Nanos, një shkelje kushtetuese, ministri kandidat për President e ka të pamundur që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si deputet. Kur u pa se maxhoranca ishte e vendosur që ta çonte deri në fund përzgjedhjen e saj për President, në orën 17:00, kur nisi dhe seanca, Nano reagoi sërish, e këtë radhë duke akuzuar Kryeministrin Berisha se kërkon të marrë çdo pushtet. “Fatos Nano shpreh zhgënjimin e tij të thellë për sjelljen e reagimin e liderit të shumicës qeverisëse Sali Berisha, i cili nuk ia doli dot që të shkëputet nga marifetet dhe llogaritë e ngushta partiake apo brenda koalicionit. Sali Berisha nuk ia doli dot mbanë që të sillet, flasë e veprojë si shtetar, sikurse detyra e tij si ish-president republike dhe Kryeministër në detyrë e kërkon”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e Nanos sapo seanca kishte nisur. “Sali Berisha dëshmoi se dashuria e tij për pushtetin e tejkalon dashurinë e tij për shtetin; dashuria e tij për partinë e tejkalon dashurinë e tij për kombin; dashuria e tij për koalicionin e tejkalon dashurinë e tij për integrimin europian dhe partnerët tanë euroatlantikë”, vijoi më tej ai. Në fund të raundit zgjedhor, kur maxhoranca zgjodhi Bujar Nishanin në krye të shtetit, Nano përgëzoi fituesin duke e cilësuar simbol të unitetit kombëtar. “Fatos Nano i shpreh urimet më të sinqerta Presidentit të sapozgjedhur të Republikës, Bujar Nishani. Sot Shqipëria ka Presidentin e saj më të ri, i cili ka dalë nga një votim transparent në Kuvend”, thuhej në njoftimin e Nanos.

Deklaratat
Ora 12:57

Fatos Nano po ndjek me vëmendje të gjithë këtë kaos total që po shkaktojnë kryetarët e partive, të cilët tashmë, për shkak të llogarive e axhendave të tyre të ngushta partiake, po e kthejnë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës në një proces të turpshëm dhe në një rrezik të madh për fatet e vendit dhe të integrimit europian. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet garës. Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon, duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë.

Ora 15:54
Pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tonë, Fatos Nano i bën apel dhe i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse se kandidimi i fundit i paralajmëruar me kandidat të radhës për President, ministrin Bujar Nishani, është një gafë e rëndë kushtetuese dhe rrezikon të kthehet në një shkelje të rëndë kushtetuese. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një ministër i kabinetit qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Gjithashtu, ministri kandidat për President e ka të pamundur, sipas Kushtetutës, që të votojë për veten në Kuvend, në cilësinë e tij si deputet.

Ora 17:02
Fatos Nano shpreh zhgënjimin e tij të thellë për sjelljen e reagimin e liderit të shumicës qeverisëse, Sali Berisha, i cili nuk ia doli dot që të shkëputet nga marifetet dhe llogaritë e ngushta partiake apo brenda koalicionit. Sali Berisha nuk ia doli dot mbanë që të sillet, flasë e veprojë si shtetar, sikurse detyra e tij si ish-president republike dhe Kryeministër në detyrë e kërkon. Sali Berisha, në të gjitha qëndrimet e tij dhe në sjelljen e tij të këtyre ditëve, dëshmoi se ai është tashmë i paaftë që të bëjë marrëveshje shtetarësh për të mirën e shtetit dhe kombit, porse ai është i aftë vetëm për marrëveshje partiake në dëm të kombit dhe interesit publik.

Ora 19:52
Fatos Nano i shpreh urimet më të sinqerta Presidentit të sapozgjedhur të Republikës, Bujar Nishani. Sot Shqipëria ka Presidentin e saj më të ri, i cili ka dalë nga një votim transparent në Kuvend. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen, e Presidenti i ri Bujar Nishani më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar. Të gjitha energjitë tona të përbashkëta, të të gjithë klasës politike, qeveri dhe opozitë, të qytetarëve dhe në bashkëpunim me partnerët euroatlantikë, duhet të fokusohen te reformat e integrimit europian dhe manifestimet sa me dinjitoze të atdhetarisë në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar.

Nano: Nishani të kandidojë pasi Presidenti të dekretojë dorëheqjen
“Jam konsultuar me konstitucionalistë”

Ish-kreu socialist, kandidat i vetëshpallur për President, tha dje se kandidati i maxhoracës, Bujar Nishani, ishte në shkelje të rëndë të Kushtetutës. Sipas tij, Nishani duhet të dorëhiqet më parë dhe dorëheqja e tij të jetë dekretuar nga Presidenti i Republikës. “Referenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja e bën antikushtetues kandidimin e ministrit Bujar Nishani për President pa përmbushur më parë të gjithë procedurën ligjore të dorëheqjes. Fatos Nano i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse që të mos e thellojnë krizën duke bërë edhe shkelje kushtetuese, përveç shkeljeve të rënda morale e politike që janë bërë deri sot. E, mbi të gjitha, Fatos Nano i bën apel shumicës qeverisëse që të respektojë e vlerësojë me qetësi e seriozitet të thellë thirrjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për të mos e kthyer procesin e zgjedhjes së Presidentit në një proces të zgjedhjes së një ministri të kabinetit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e ish-kryeministrit.

Mbyllet “Lëvizja Nano për President”
Në njoftimin e fundit të shpërndarë dje për mediat, zyra e “Lëvizjes Nano për President” njoftoi dhe mbylljen e misionit të saj. “Lëvizja Nano për President që sot e konsideron të përmbyllur misionin e saj. Më tutje do t’ju njoftojmë për trajtën e saj të re”, thuhet në fund të njoftimit. Në një nga deklaratat e publikuara nga kjo zyrë pak ditë më parë thuhej se nëse Edi Rama dhe Grupi Parlamentar i PS nuk e mbështeste Nanon në garën e tij presidenciale, atëherë ai do të rikthehet në PS “për ta shëruar atë nga lëngimi i saj për një kohë të gjatë”. Pritet që ditët në vijim të njoftohet nëse do të ketë një angazhim në politikën aktive të Nanos.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura