TIRANE – Gjykata e Apelit në Tiranë la dje të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tre të pandehurve për llogari të hetimit ndaj kontrabandës së naftës “virgine”, mes të cilëve edhe biznesmenin Hajri Elezaj. Ditën e djeshme Apeli mori në shqyrtim ankimet e të pandehurve Kadri Hajredini, Hajri Elezaj dhe Vladimir Koteci për lënien në “arrest me burg” dhënë për ta më 14 mars 2011. Gjykata nuk e pranoi dje kërkesën e avokatit të biznesmenit Hajri Elezaj, pronarit të “Euroil” sh.a. për lirim të klientit të tij për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Avokati i Elezajt pohoi para gjykatës se klienti i tij vuante nga sëmundje në mushkëri e në zemër dhe se kishte probleme me diabetin. Bashkangjitur këtyre pretendimeve, avokati paraqiti epikrizat përkatëse për këto sëmundje, akte të lëshuara nga mjekët e QSUT-së dhe të një spitali privat në Tiranë. “Mungesa e një ndihme të specializuar mjekësore mund të rëndojë gjendjen shëndetësore të klientit tim duke i rrezikuar edhe jetën”, është shprehur avokati. Ndërkohë, përfaqësuesi i Prokurorisë në seancë, prokurori Shkëlqim Hajdari, pretendoi se masa “arrest me burg” ndaj Elezajt nuk duhej të ndryshonte. Gjithashtu, prokurori ka paraqitur disa akte të tjera në provat shkresore kundër Elezajt. Në përfundim, gjykata vendosi lënien në fuqi të masës “arrest me burg” dhënë nga Shkalla e Parë për Elezajn. Avokati i të pandehurit Vladimir Koteci i mohoi dje akuzat e klientit të tij para gjykatës. “Akuza e mashtrimit ndaj të mbrojturit prej meje është e pabazuar. Ai thjesht ka bërë transport të naftës me një bot privat. Asnjë mashtrim nuk ka bërë”, tha avokati. Pasi dëgjoi edhe pretendimet e akuzës, gjykata vendosi mosndryshimin e masës “arrest me burg”, caktuar nga Gjykata e Tiranës për Kotecin.
Të premten, Gjykata e Apelit shqyrtoi ankimet e shtatë prej të pandehurve të tjerë të arrestuar për llogari të kontrabandës me naftën “virgine”. Kështu, Apeli liroi nga “arresti me burg” duke i lënë në “detyrim paraqitje” biznesmenët Bajram e Martin Fisheku. Ndërsa për pesë të tjerë, Apeli la në fuqi masën “arrest me burg”, caktuar për ta në Gjykatën e Tiranës. ar.ba











