Nafta, çmim rekord, barazon benzinën

Jan 16, 2012 | 12:09

Çmimi i karburanteve në vend arrin në 189 lekë për litër. Ndikim edhe shtrenjtimi i dollarit ndaj lekut

Shoqata: Shkak çmimi në bursa dhe taksa, nuk e ulim dot

Nëse deri dje ata që kishin një makinë nafte mendonin se ishte më ekonomike, këto ditë duhet të kenë ndryshuar mendim. Çmimi i naftës për herë të parë ka barazuar çmimin e benzinës në disa pika karburanti në kryeqytet, duke u shitur plot 189 lekë, po aq sa edhe benzina. Kjo nuk ndodh në të gjitha pikat, por çmimet variojnë nga 183 lekë për litër deri në 189 lekë, çka reflekton zhvillimet e fundit, si brenda vendit, ashtu dhe në bursë. Nga 1 janari karburantet pësuan rritje, që nga importuesit, përveçse iu atribuua ndryshimeve në bursë apo kursit të këmbimit (forcimit të dollarit karshi euros), u lidh edhe me taksën e re mbi karburantet. Nga 1 janari hyri në fuqi taksa e re e qarkullimit që shkoi nga 5 lekë në 7 lekë për litër karburant, çka së bashku me TVSH-në e çon në 8.4 lekë këtë taksë. Sakaq duket se lajmet e mira nuk do të jenë pjesë e sektorit të karburanteve. Presidenti i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Alia, u shprehet për gazetën se pavarësisht uljeve që janë shënuar këto tri ditë në bursë, ato nuk mund të reflektohen direkt në tregun vendës. Kjo luhatje në favor të konsumatorit në bursa, në fakt nuk pritet që të ketë ndonjë jetëgjatësi të madhe, nëse nuk qetësohen tonet mes SHBA-ve dhe Iranit. “Ka pasur një farë rënie në bursë për çmimet e karburanteve, por kjo nuk mund të pasqyrohet menjëherë në Shqipëri, pasi tregu aktualisht operon me karburantin që është importuar në kohën kur në bursë karburanti ka qenë më i shtrenjtë dhe normalisht ka një kosto më të lartë kur përcillet te konsumatorët. Uljen e dy ditëve të fundit duhet t’ia atribuojmë vlerësimit negativ që “Standard and Poor’s” bëri për Francën, por situata nuk është se duket shumë e favorshme për tregun e karburanteve, nëse kemi parasysh tonet që kanë pasur këto ditë SHBA-të dhe Irani” shprehet Alia. Ai vlerëson se pjesa më të madhe e rritjes së çmimit në vendin tonë vjen si rezultat i paketës fiskale të miratuar dhe zbatuar, që rrit në mënyrë të ndjeshme taksat mbi karburantin. Rritja e çmimit të karburanteve jo vetëm në bursën europiane, por dhe më gjerë, deri diku është nën presionin e deklaratave që janë bërë së fundi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për “refuzim” të naftës iraniane nga vendet e tjera, ndërkohë që Irani, nga ana e vet, ka kërcënuar për bllokim të Gjirit Persik, duke bllokuar kështu naftën nga vendet e tjera tregtuese, çka do të sillte sërish një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve.

Taksa e qarkullimit
Që nga gushti i vitit të kaluar ndryshimet në ligjin për “Taksat vendore” hynë në fuqi dhe tashmë taksa e qarkullimit mblidhet përmes karburantit. Deri më 31 dhjetor 2011 kjo taksë ishte 5 lekë për çdo litër karburant, ndërkohë që nga 1 janari u bë 7 lekë për litër.

Çmimi sipas APP
Benzinë pa plumb

Çmimi lekë për litër           75.20 lekë
Pagesë në doganë                       67.24 lekë

Naftë  D1
Çmimi lekë për litër              85  lekë
Pagesë në doganë               71.25  lekë

Bursa e Londrës, dje 110 dollarë/fuçia
Në Bursën e Londrës çmimi i karburanteve dje preku nivelin 110 dollarë për fuçi. Nëse do të bënim një analizë të ditëve të fundit mbi ecurinë e çmimit të karburanteve në këtë bursë mund të themi që kjo është dita e tretë që karburantet janë ulur nga niveli 113 dollarë, që ishte një javë më parë. Kjo ulje e çmimit të karburanteve në këtë bursë, së cilës i referohen edhe importuesit shqiptarë, vjen si efekt i vlerësimit negativ që “Standard and Poor’s” bëri për Francën dhe Austrinë. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shënua një rritje me 1 cent për gallon, ku mesatarja ishte 3.39 dollarë për gallon, apo 98.7 dollarë për fuçi. Situata e çmimeve në bursën amerikane dhe në atë europiane pritet të jetë në ndikimin e zhvillimeve të krizës së borxheve në eurozonë, si dhe të deklaratave në distancë mes SHBA-ve dhe Iranit.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura