TIRANE – Gjykata e Tiranës do t’u njoftojë sot masat e sigurisë të vendosura në mungesë 13 personave të arrestuar për kontrabandën e naftës “virgin”. Ditën e sotme, duke nisur nga ora 10:30, pritet që të arrestuarit të dalin njëri pas tjetrit në gjykatë. Burime nga hetimi i çështjes kanë pohuar se masat e sigurisë në të cilat do të mbahen 13 të arrestuarit, janë vendosur në mungesë të tyre ditë më parë. Pas arrestimit të shtetasve të dyshuar, mes të cilëve ndodhen biznesmenë, inspektorë doganash e tatimesh, sipas procedurës ligjore, gjykata do t’u njoftojë atyre vendimet për masat e sigurisë. Shtetasit Hajri Elezaj, pronar i kompanisë së karburanteve “Euroil” dhe Iliaz Fisheku, pronar i kompanisë Fisheku sh.a, pritet të dalin para gjykatës, e cila disa ditë më parë ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë arrest me burg. Më pas, në gjykatë do të dalin me radhë të arrestuarit e tjerë, mes të cilëve edhe dy tregtarët Martin Fisheku dhe Bajram Fisheku, si dhe inspektori i tatimeve të Fierit, Dashamir Kasaj e doganieri i Vlorës, Edmond Ferraj. Personat e tjerë që do të dalin para gjykatës janë shtetasit Flamur Merkaj, Vladimir Koteci, Gani Prençe, Reshat Aleksi dhe Kadri Hajredini, të gjithë punonjës të dy kompanive të mëdha, që sipas Prokurorisë kanë kryer qarkullimin e naftës “virgin”, duke e hedhur atë në treg të papastër, me efekt ndotës në ambient dhe me dëmtim për automjetet. Para gjykatës do të dalin edhe dy personat e arrestuar të shtunën, shtetasit Fadil Abdurrahmani dhe Gazmend Serjani, të cilët mësohet se kanë qenë shoferët e autoboteve që kanë kryer transportimin e naftës “virgin” nga Ballshi për në pikat e ndryshme të shpërndarjes. Të gjithë personat, (13 të arrestuar dhe një i shpallur në kërkim) sipas Prokurorisë akuzohen se kanë kryer veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Sipas Prokurorisë, nafta e papërpunuar është marrë nga rafineritë e Ballshit dhe është shpërndarë në pika të ndryshme në treg pa u përpunuar, me dokumente false sikur kishte ardhur nga jashtë vendit. tr.so











