Një kompani e tretë dyshohet se është përfshirë në kontrabandën e naftës së pa përpunuar, e njohur ndryshe si nafta “virgin”.Hetimet e Njësisë Task Force në Prokurorinë e Tiranës, kanë gjetur dokumente që flasin për një kompani të tretë, të quajtur “Euro Petrol”, e cila dyshohet se ka qarkulluar naftën “virgin” gjatë periudhës së kontrabandës, në vitet 2007-2009. Sipas burimeve nga Prokuroria, emri i kompanisë së tretë të dyshuar ka dalë në dosje gjatë sekuestrimit të dokumenteve shkresore, që kanë të bëjnë me qarkullimin e naftës së papërpunuar. Organi i akuzës pohon se veç kompanive “Fisheku” sh.a. dhe “Euroil”, kompania e tretë, “Euro Petrol”, dyshohet se ka marrë naftë “virgin” në dorëzim nga dy kompanitë e para. Të dhënat për subjektin e dyshuar “Euro Petrol”, janë në fazën e verifikimeve paraprake, pasi ende nuk është e qartë skema e realizuar nga kjo kompani. Dokumentet që zotëron Prokuroria, sipas hetuesve, tregojnë se ngarkesat që kanë qarkulluar me mjetet e kësaj kompanie, kanë dërguar naftë “virgin” në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë. Megjithatë, nuk është e qartë nëse nafta është dërguar në këto dy vende për t’u futur në treg në gjendjen e pa përpunuar apo është dërguar në këto vende si transit për në pikat e përpunimit, në vende të rajonit apo në BE. “Momentalisht, mund të konfirmojmë se kompania “Euro Petrol”, ka qarkulluar naftë “virgin” të marrë në dorëzim nga rafineria e Ballshit”, kanë thënë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, roli i kësaj kompanie është duke u verifikuar. Në kuadër të këtyre verifikimeve Prokuroria e Tiranës ka nisur letërporosi në Serbi dhe në Mal të Zi, ku është kërkuar informacion për deklaratat doganore të bëra nga kompania e dyshuar në hyrje të këtyre vendeve. Organi i akuzës, ka kërkuar informacion për sasinë e naftës dhe qëllimin e kalimit të saj në kufi, përpunim apo tregtim.
Gjenden dokumente tek “Euroil”
Oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë, kanë gjetur një mori dokumentesh në zyrat e kompanisë “Euroil”, pronari i të cilës u arrestua javën e kaluar me akuzën e kontrabandës së naftës “virgin”. Burimet nga organi i akuzës, kanë thënë se menjëherë pas arrestimit të shtetasit Hajri Elezaj, është ushtruar kontroll në ambientet e kompanisë së drejtuar prej tij. Prokuroria pohoi se gjatë kontrollit në këto zyra është gjetur një armë pa leje “Shotgan” si dhe një mori dokumentesh. Burimet nga hetimi thanë se bëhet fjalë për materiale shkresore, ndërkohë që janë sekuestruar edhe dy kompjutera, në të cilët ndodhen materiale që kanë të bëjnë për hyrje-daljet e sasive të naftës “virgin”, faturat e pagesave dhe një sërë veprimesh që janë kryer gjatë viteve 2007-2009. “Nga kontrolli janë gjetur dokumente që flasin për aktivitetin tregtar të kompanisë, i cili, në një pjesë të tij gjatë viteve 2007-2009, ka qenë i përqendruar në marrjen e naftës “virgin” në dorëzim në Ballsh e Vlorë dhe rifutjen e saj në treg në gjendje të papërpunuar”, thanë hetuesit. Sipas tyre, kompjuterat dhe dokumentet janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Pas sekuestrimit, dokumentet në fjalë po shqyrtohen me imtësi, pasi, sipas Prokurorisë, përmbajtja e tyre flet jo vetëm për rolin e kompanisë “Euroil”, por edhe për raportin e këtij subjekti me bizneset tjera që kanë bashkëpunuar në qarkullimin e naftës së papërpunuar, e cila është futur në tregun shqiptar me deklarata false doganore, sikur të ishte karburant i pastër i sjellë nga jashtë vendit.
Jaka: Drejtësia të mos diskriminojë biznesin
TIRANE – Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, në një deklaratë para medias, ka folur dje për “diskriminimin në mënyrë selektive dhe trajtimit të pabarabartë që i bëhet përfaqësuesve të biznesit”. Duke iu referuar arrestimeve për kontrabandën e naftës, Jaka përmendi se në nenin 18 të Kushtetutës thuhet shprehimisht: “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”. Sipas Jakës, kjo e drejtë themelore kushtetuese duhet të zërë vend për të gjithë shtetasit shqiptar që ecin sipas këtij ligji themeltar. “Arrestimet e dy ditëve të fundit, bërë në drejtim të disa sipërmarrësve vendas, krijon një situatë paniku dhe pasigurie, krijon precedentë seriozë, duke e kthyer biznesin në tabelë lehtësisht të goditshme”, tha Jaka. Ai theksoi se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë inkurajon dhe nxit krimin ekonomik, Prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë për të hetuar të gjithë veprat penale të bizneseve, por nga ana tjetër duhet të jemi të kujdesshëm për të ruajtur integritetin e sipërmarrësit shqiptar. “Nëse për sipërmarrësit shqiptar nuk hezitohet të futen në burg në bazë të një hetimi paraprak, duke i ulur edhe reputacionin në treg, në ndryshim me rastet e tjera, ku nuk ndodh që të merren masat më të rënda siç është ajo e arrestit me burg. Por ka raste kur kryetar bashkish apo komunash janë madje të dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre”, tha Jaka. Ai theksoi se Prokuroria duhet të ruajë sekretin hetimor të çështjeve.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











