
Pavarësisht se janë në rolin e viktimave, pasi i afërmi i tyre është vrarë nga një breshëri kallashnikovi disa metra larg banesës së tij në nëntorin e shkuar, familjarët e Luan Pujës i ka mbërthyer paniku. Ata shprehen se janë të frikësuar dhe kërkojnë mbrojtje nga strukturat e shtetit për krimin që i mori jetën 42-vjeçarit, në Lagjen 15 të Durrësit. Në një intervistë për gazetën, Arben Puja, vëllai i viktimës së ekzekutuar nga fqinji, thotë se ndihen të kërcënuar. Ai shprehet se që kur nisi konflikti patën ndërmjetës për ta shuar atë, por kjo nuk ndodhi, derisa më 21 nëntor fqinji, Andrea Berberi, i mori jetën Luan Pujës. Në emër të të gjithë familjes, Arben Puja kërkon mbrojtje si dhe të vihet drejtësi, në të kundërt, drejtësinë do ta vërë ai vetë.
Ju jeni pala që mbeti e dëmtuar, pasi humbët vëllain. Pse thoni që ndiheni të kërcënuar?
Ndjehemi të frikësuar, sepse përditë na thonë njerëzit që të ruhemi se do të na vrasin. Nuk është ndonjë çudi që edhe ne të na vrasin ashtu siç vranë edhe vëllain tim. Ndoshta është edhe mendimi ynë, por ne mendojmë çështja do të pushohet. Ne me palën në konflikt jetojmë në një lagje, madje banesat tona janë përballë njëra-tjetrës dhe ky është një problem shumë i madh. Të afërmit tanë na thonë se duhet të bëjmë kujdes dhe të mos lëvizim shumë, sepse njerëzit e tij thonë se do të vrasë ende.
Po thoni se keni marrë mesazhe kërcënuese në mënyrë indirekte. A ia keni bërë të ditura organeve kompetente këto?
Jo, nuk ua kemi bërë të ditur organeve kompetente shqetësimin, pasi e dimë se nuk do të zgjidhim gjë. E them këtë se disa muaj më parë, pas nisjes së konfliktit, vëllai im Luani dhe komshiu Andrea Berberi ishin në gjyq me njëri-tjetrin. Problemit që ata patën nuk iu dha një zgjidhje, por e neglizhuan dhe si pasojë mbeti i vrarë im vëlla. Nëse do të ishin marrë masa deri në atë kohë për shuarjen e konfliktit mes dy palëve, vëllai im sot do të ishte gjallë dhe nuk do të kishte lënë dy fëmijë të mitur jetimë dhe pa asnjë lloj ndihme.
Nëse pala kundërshtare do t’u kërkonte falje dhe do të shprehte ngushëllimet, a do të ishit më të qetë?

Kjo që po thoni ju është shumë e vështirë që të ndodhë, jo për ne, por për palën kundërshtare. Ne atë po kërkojmë që ata të vijnë edhe të kërkojnë falje, por ata nuk janë të aftë për ta kërkuar atë. Kemi dëgjuar se autori në sallën e gjyqit nuk ka shprehur asnjë shenjë pendimi për vrasjen e vëllait tim. Ne tashmë do t’ia lëmë kohës se çfarë do të sjellë ajo. Por ne kërkojmë që autori për këtë që bëri të marrë dënimin maksimal. Nëse autori del dhe nuk kryen dënimin sipas ligjeve në fuqi atëherë, hakmarrja mbetet e vetmja mënyrë. Do të hakmerremi për arsye që të mbrojmë veten, pasi kemi frikë se mos na vrasin më parë.
Ju po kërkoni dënimin maksimal për autorin e vëllait tuaj. Pse mendoni se mund të ndodhë ndryshe?
Nuk duam asgjë tjetër përveçse drejtësisë që të vihet në vend dhe autori që vrau tim vëlla të marrë dënimin që i takon. Jemi të frikësuar sepse kemi dëgjuar se nëpërmjet makinacioneve të ndryshme autori i krimit ka marrë një certifikatë mjekësore si i sëmurë mendor, çka do të ndikonte shumë në dhënien e dënimit të tij. Nëse do të ndodhte diçka e tillë, nuk do të ishim aspak të sigurt për jetën tonë, pasi ai mund të vrasë sërish. Pra, nëse ai del nga burgu pa marrë dënimin maksimal, ne do të vëmë vetë drejtësi. Autori kishte shkrehur 37 plumba mbi trupin e vëllait tim dhe pasi e kishte qëlluar dhe e kishte lënë të vdekur në vend, ai kishte pështyrë sipër trupit të tij, ndërsa pasi ishte larguar disa hapa, ishte kthyer pas dhe ia kishte varur automatikun në qafë.
Përse ishin në konflikt Luani dhe Andrea?
Në fakt që prej muajit mars, kohë kur vëllai im kishte kryer punime hidraulike dhe elektrike në shtëpinë e autorit, Andrea Berberit, ky i fundit nuk i kishte dhënë hakun e punës, prej 600 mijë lekësh të vjetër. Një ditë, në gjendje të dehur, e kishte provokuar vëllain tim në lokalin e lagjes ku po kryente punime dhe ishin konflikuar me njëri-tjetrin në praninë e shumë dëshmitarëve. Çështja shkoi në Polici e në Gjykatë, dhe 5 ditë para vrasjes, gjykata dha vendimin se vëllai im ishte dënuar me 6 muaj burgim, e konvertuar në 18 muaj liri me kusht. Me sa mbaj mend, në gjykatë u zhvilluan rreth 8 seanca gjyqësore dhe vetëm pala jonë merrte pjesë. Pasi u dha dënimi, ne gjetëm një mik të përbashkët dhe tri ditë para vrasjes, miku i shkon palës tjetër në shtëpi dhe merr garancinë se konflikti ishte shuar njëherë e përgjithmonë. Por kjo nuk ndodhi.
Fëmijët
Arben Puja thotë se i vëllai ka lënë jetimë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, të cilët janë të tronditur nga pamja e të atit të masakruar. “Të dy fëmijët janë në gjendje shoku. Si vajza, ashtu edhe djali. Ditët e fundit kemi marrë edhe një mjek për të parë gjendjen e fëmijëve, pasi vajza është shumë e frikësuar dhe sa herë që kthehet nga shkolla thotë se e kanë ndjekur nga pas. Djali është në gjendje pak më të mirë, ndërsa vajza ka pësuar traumë psikologjike. Madje, këtë gjë e konstatoi edhe vetë mjeku i familjes”, thotë xhaxhai i fëmijëve.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











