Na duhet një raund i dytë!

May 27, 2011 | 10:20

BLENDI KAJSIU

Për të zgjidhur krizën aktuale së pari duhet të kuptojmë thelbin e saj. Thelbi imediat i krizës aktuale është fakti i thjeshtë që asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka fituar. Dy kandidatët për kryetar Bashkie kanë dalë barazim. Për të kuptuar këtë mjafton t’u referohemi shifrave si nga KQZ-ja, si nga PD-ja, edhe nga PS-ja. Tabela e mëposhtme e përmbledh rezultatin elektoral sipas KQZ-së:

Tabela 1. Rezultati i zgjedhjeve për kandidatët për Bashkinë e Tiranës

Natyrisht, dikush mund të protestojë duke thënë që duhet marrë parasysh rezultati i PS-së dhe jo i KQZ-së. Por, edhe sipas shifrave të PS-së, ku Rama del me 10 vota më shumë se Basha, të dy kandidatët kanë pak a shumë të njëjtën përqindje të elektoratit, 48%.
Por, vini re! Jo vetëm që kandidatët kanë të njëjtën përqindje votash, por asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e votave prej 50 + 1%. Kjo do të thotë që asnjëri prej tyre nuk ka marrë më shumë se gjysmën e votave të numrit total të votuesve. Ky është një problem themelor politik, pasi kryetari i Bashkisë së Tiranës zgjidhet me një sistem elektoral maxhoritar, pra drejtpërdrejt nga qytetarët, në mënyrë që ai të përfaqësojë vullnetin e shumicës së votuesve. Ky është dhe thelbi parimor i sistemit elektoral maxhoritar. Ama, në rastin konkret, asnjëri prej dy kandidatëve nuk gëzon shumicën e votave. Dhe këtë e pranojnë të dyja palët.
Në kushte të tilla, çfarëdo vendimi që të marrë KQZ-ja apo Kolegji Zgjedhor, sado që ky vendim të respektojë procedurën apo Kodin Elektoral, ai do të jetë një vendim antidemokratik dhe arbitrar. Kështu, vendimi i KQZ-së që nxjerr Lulzim Bashën fitues me 80 vota, nuk është problematik vetëm për shkeljen flagrante të procedurës, por sepse ai e emëron Lulzim Bashën kryetar Bashkie të Tiranës edhe pse Basha, në fakt, nuk gëzon mbështetjen e shumicës (50 + 1%) të votuesve. Nga këtu buron edhe një pjesë e mirë e irritimit socialist. Për socialistët, KQZ-ja dhe jo votuesit po emëron fituesin. Për të njëjtat arsye, sikur Kolegji Zgjedhor t’ia japë fitoren Ramës, demokratët me të drejtë do të irritohen, sepse as Rama nuk gëzon mbështetjen e shumicës së votuesve.  Në të dyja rastet, vendimi i institucioneve do të jetë arbitrar.
Prandaj thirrjet për respektimin e pavarësisë së institucioneve, për respektimin e procedurës, apo të pavarësisë së Kolegjit Zgjedhor, që vijnë edhe nga komuniteti ndërkombëtar, janë thirrje shterpë.  Shkaku imediat i krizës aktuale nuk është as manipulimi elektoral, as sjellja e turpshme e KQZ-së, as presioni i PS-së mbi institucionet zgjedhore, as mungesa e kulturës demokratike shqiptare, as polarizimi i palëve në proces. Të gjitha këto janë pasoja dhe jo shkaqe të krizës. Ngërçi aktual politik nuk zgjidhet në mënyrë procedurale në tavolinë, por në mënyrë elektorale nga votuesit.
Shkurt fare, duhet organizuar një raund i dytë i zgjedhjeve për kryetar Bashkie në Tiranë. Për dy arsye të ndërlidhura. Së pari, raundi i parë prodhoi një barazim mes dy kandidatëve kryesorë. Së dyti, asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë mbi 50% të votave. Pra asnjëri prej tyre nuk është votuar nga shumica e votuesve. Në këto kushte, duhet organizuar një raund i dytë për të përcaktuar fituesin. Askush nuk duhet të bëhet kryetar Bashkie në Tiranë pa pasur shumicën absolute të votave.
Po çfarë garancie kemi që raundi i dytë nuk do të prodhojë barazim përsëri? Së pari, garancia qëndron në faktin se raundi i dytë duhet të zhvillohet vetëm mes Edi Ramës dhe Lulzimn Bashës. Pra nga tre, tashmë do të kemi dy kandidatë, ndërkohë që votat e kandidatit të tretë do të shpërndahen mes dy kandidatëve aktualë. Së dyti, fakti që do të kemi vetëm dy kandidatë do të thotë se do të ketë vetëm një kuti, vetëm një fletë votimi dhe vetëm dy emra në fletën e votimit. Shkurt, procesi zgjedhor do të jetë tmerrësisht i thjeshtë. Për pasojë, numri i votave të pavlefshme, që tashmë është gati 7000 dhe që buron nga kompleksiteti i procesit të votimit, do të reduktohet ndjeshëm. Së treti, thjeshtëzimi i procesit zgjedhor e ul edhe më tej mundësinë e manipulimit dhe kontestimit. Për të tria këto arsye (pa u zgjatur në një sërë arsyesh të tjera), një raund i dytë i ka të gjitha gjasat të prodhojë rezultat të qartë dhe të pakontestuar.
Në këtë pikë, dikush, me të drejtë do të ankohet se zgjidhja që po propozoj unë nuk parashikohet në Kodin Zgjedhor, se ajo kërkon një kod të ri etj., etj.  Pavarësisht se një objeksion i tillë ka bazë legale, ai tejkalohet lehtë nëse ekziston një marrëveshje politike mes palëve për të organizuar një raund të dytë në mënyrë që t’i jepet mundësi votuesit për të përcaktuar fituesin në Tiranë. Një marrëveshje e tillë shumë lehtë mund ta ndryshojë Kodin Elektoral, që edhe në të ardhmen zgjedhjet për kryetar bashkie të jenë me dy raunde, në mënyrë që situata si kjo e sotmja të evitohen. Ka pak rëndësi nëse një marrëveshje e tillë shkel apo tejkalon Kodin aktual, pasi Kodi Elektoral duhet të jetë në funksion të zgjedhjeve, dhe jo zgjedhjet në funksion të Kodit.
Thelbi i krizës aktuale është politik dhe jo institucional. Deformimi i KQZ-së, shkelja e procedurës elektorale dhe bllokimi i institucioneve po ndodh sepse asnjëra palë nuk ka fituar. Ndaj duhen injoruar thirrjet e ambasadorëve, apo të BE-së, për respektimin e institucioneve, për zbatimin e procedurës etj., etj., dhe duhet ushtruar presion qytetar për të zhvilluar një raund të dytë mes kandidatëve për të përcaktuar fituesin. Në këtë mënyrë, kryetarin e Bashkisë nuk e përcakton as KQZ-ja e Ristanit, as Kolegji anonim Zgjedhor, as ambasadori amerikan dhe as Bashkimi Europian, por votuesit e kryeqytetit. Përndryshe, në vend të një fituesi do të kemi dy humbës.

© Panorama.al

Te lidhura